Dhëmblani, asnjë masë pas tragjedisë
TEPELENE/ PIRO NASE
Dhëmblani mund të shndërrohet në një shkretëtirë, nëse qeveria shqiptare nuk merr masa për të larguar tonelatat me municione. Të grumbulluara në 12 depo, gjashtë prej të cilave në kushte tepër të rrezikshme, ato mund të shpërthejnë vetëm nëse provokohet një zjarr në afërsi të tyre qoftë i parëndësishëm. Alarmin e jep kreu i komunës së Lopësit, Vait Sinaj, i cili ka zgjedhur gazetën "Panorama" të shprehet publikisht në kushtet e indiferencës së theksuar nga ana e qeverisë shqiptare, megjithë apelet e njëpasnjëshme. Dikur fshati numëronte mbi 1500 banorë, ndërsa sot vetëm 1/3 e tyre i kanë rezistuar vështirësive të përditshme në një vend të shuar. Ata që banojnë aktualisht, çdo ditë jetojnë me frikë se një gabim i vogël mund të shkaktojë shpërthimin e 12 mijë tonëve municione.
Zoti Sinaj, a mos është pak e tepruar nga ana juaj që e komentoni gjendjen në Dhëmblan tepër alarmante?
Absolutisht që jo. Si kryetar komune ku hyn edhe fshati Dhëmblan, i cili që ka hyrë në historinë e re të vendit vetëm se shpërthyen depot e municioneve tre vjet më parë ku humbën jetën tre persona, u plagosën disa ta tjerë dhe mbetën pa shtëpi e katandi më tepër se gjysma e fshatit, mendoj se nuk është e tepërt ta cilësoj situatën kritike. Mali, poshtë të cilit ndodhen banesat e Dhëmblanit, mbart nën vete 6 tunele të mbushura plot e përplot me municioneve të kalibrave të rënda. Nga momenti në moment ato mund të shpërthejnë, sepse nuk ka shkuar asnjë njeri në to prej mëse 16 vitesh. E pra, ky është një alarm real i mbështetur në shqetësimet edhe të banorëve të fshatit, të cilët përjetuan në majin e 2006 situatën më katastrofale të parë ndonjëherë. E them këtë sepse shpërthimi i Gërdecit ishte sa gjysma e atij që ndodhi këtu tri vjet më parë, ku u hodhën në erë më tepër se 6 mijë tonë municione.
Si kryetar i Komunës së Lopësit, cilat kanë qenë hapat tuaja për të vënë në dijeni institucionet shtetërore rreth këtij rreziku?
Kam informuar në mënyrë periodike Ministrinë e Mbrojtjes për rrezikun që mbartin depot, pasi ato mund të shpërthejnë. Njëkohësisht kam mbajtur marrëdhënie korrespodenciale edhe me zyrën e Avokatit të Popullit, ku më kërkuan një informacion të detajuar, të cilin unë ia kam përcjellë. Insistimi im ka qenë mjaft evident sidomos në beharin e kaluar, kur zjarri iu afrua depove në mal dhe aty mund të kishte ndodhur hataja. Kërkova një grup për pastrimin e terrenit, një makinë zjarrfikëse që të jetë në dispozicion për shuarjen e zjarreve, por deri më tani nuk është bërë merak askush. Megjithatë, jo zyrtarisht kam marrë vesh se nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes mund të vijë një grup kontrolli për të parë nga afër gjendjen. Vjet i kam dërguar zotit kryeministër një peticion, fill pas tragjedisë së Gërdecit, por nga ai apo dhe nga zyra e tij për informim, nuk kam marrë ndonjë përgjigje. Shpresojmë që zoti Berisha të kujtohet edhe një herë tani kur nuk ka ndodhur ndonjë katastrofë.
Deri më tani nuk ka ardhur ndonjë grup ushtarakësh nga ana e dikasterit përkatës?
Para pak ditësh, në depot poshtë rrënojave ku shpërthyen 6 depot në maj të 2006, kishte ardhur një grup specialistësh ushtarakë. Zyrtarisht nuk kam pasur as më të voglën dijeni për këtë vizitë misterioze në përbërje të së cilit më thanë që kishte edhe ekspertë amerikanë. Ata nuk morën kontakt me mua, qëndruan rreth katër orë dhe u larguan. Në këtë mënyrë unë nuk mund ta dija qëllimin e vizitës dhe inspektimit të tyre në depot e poshtme. Ajo që mua më shqetëson është se rruga që të çon për tek gjashtë tunelet në mal që mbajnë 12 mijë ton municione të kalibrit të rëndë. Rruga është dëmtuar totalisht, madje vetëm me kafshë mund të shkosh aty, pasi shkuarja me makinë është mision i pamundur. Pra, edhe nëse do të duhet të ndërmerret një aksion për heqjen e këtij municioni, do të duhet të rregullohet një herë rruga pastaj procesi i transportit të tyre. Më kanë thënë se të gjitha municionet janë hedhur sa andej-këtej, njëra mbi tjetrën çka vështirëson sistemimin e tyre pale më të flasim për transportimin.
A ndihet frika tek banorët e Dhëmblanit për ndonjë rast të dytë shpërthimi?
Frika ndihet tek ta pasi e kanë mendjen të degdisen jashtë tij në Tepelenë, tek fshatrat larg zonës së mbulimit nga ndonjë shpërthim i mundshëm, apo sa më larg. Vendimi i tyre është i drejtë pasi këtu nuk kanë se çfarë të bëjnë tjetër, veçse merren me blegtori se punimi i fushave është i pamundur.