Sarandë, protesta për urën
SARANDE - Shembja e një ure mbi lumin Bistricë izolon disa fshatra nga qyteti i Sarandës. Kanë kaluar më se dy muaj nga shembja e urës, por askush nuk interesohet për të zgjidhur shqetësimin e këtyre banorëve, të cilët për një vizitë mjekësore apo për nevoja të tjera jetësore, do t'u duhet që të përshkojnë rreth 40 km rrugë për të arritur Sarandën. Ky ka qenë edhe shkaku që banorët e fshatit Fanar, i cili ndodhet rreth 12 km larg qytetit të zgjedhin paraditen e së dielës për të protestuar, pasi shqetësimi i tyre i bërë edhe publik, deri tani ka rënë në vesh të shurdhët. Rreth dy muaj më parë, në afërsi të fshatit Fanar, pasi kaloi mbi urë një makinë e tonazhit të rëndë e ngarkuar me hekur, u shemb një këmbë e saj, që lidhte zonën me qytetin e Sarandës, duke e bërë kështu atë të pakalueshme. Banorët shqetësimin e tyre e bënë prezent në komunën e Alikos e më pas në nënprefekturë, por deri tani nuk kanë zgjidhje. Pas shembjes së urës firma "Shameti", që merret me prodhimin e inerteve dhe që zhavorrin e lumit e përdor për prodhimin e inerteve, paralel me urën bëri një rrugë, e cila u shërbente edhe fshatarëve. Por nuk zgjati shumë kjo formë lidhjeje e zonës nëpërmjet rrugës paralele me urën. Drejtori i Ujërave në Sarandë, Skënder Duka urdhëroi prishjen e kësaj rruge për t'i hapur rrugë rrjedhjes së lumit, se pengimi i tij mund të shkaktojë përmbytje të fushave përreth. Kryeplaku i fshatit Fanar, Theodhori Mitro, tha se ndërtimi i urës është shumë i domosdoshëm, pasi detyrohen të bëjnë një rrugë prej 40 km për të mbërritur në qytet. sh.d