E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritëhijet globaliste të takimit të G20

ADRIAN CIVICI 

Takimi i G20 që do zhvillohet në 2 prill në Londër është padyshim një nga evenimentet më të rëndësishme të planetit Në radhë të parë sepse vendimet e tij priten me ankth si anija, që do nxjerrë në breg botën e ndodhur në mes të furtunës së krizës ekonomike, financiare e sociale. Së dyti, sepse në këtë samit pritet të bëhet në mënyrë sa më të plotë “skaneri i krizës”, duke vënë pikat mbi “i” për shkaqet e vërteta të saj, për përgjegjësitë reale të botës financiare, qeverive apo shteteve të ndryshme. Së treti, që është më e rëndësishmja, të propozojë “arkitekturën e re financiare e ekonomike botërore”, “rregullat e reja mbi të cilat do të rrugëtojë kapitalizmi i shekullit të XXI-të”, “garancitë dhe detyrimet e të gjithëve për “t’u rikthyer në një zhvillim normal e në favor të së gjithë planetit”.
Por, ndërkohë që dy objektivat e parë janë relativisht të lehtë dhe të pranueshëm nga të gjithë, për të tretin janë shfaqur e pritet të zhvillohen debate të mëdha. Globalizimi i ekonomisë, tregjeve dhe financave botërore bëri që kriza, edhe pse lindi e u zhvillua vetëm në disa shtete të pasura e të fuqishme, të përhapej shpejt dhe të mos kursente askënd në çdo cep të globit. Globalizimi duket se “po kërkon” që edhe zgjidhjet e së ardhmes të “kenë vulën, kontributin dhe të mbrojnë interesa sa më të gjera”. Deri tani, shumë probleme thelbësore të zhvillimit botëror i janë besuar shteteve të veçanta apo grupimeve të ndryshme të tyre si G8, SHBA, BE, etj., si dhe institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare si FMN, Bankës Botërore, FAO, OBT, OCDE, etj. Në takimin e G20 të 2 prillit do jenë prezentë të gjithë, ose pothuajse të gjithë. Ndërkohë, ashtu siç është normale përpara evenimenteve të tilla, në të gjitha mjediset e interesuara apo në media kanë filluar të qarkullojnë tezat dhe kundërtezat e bisedimeve, aprovimet dhe kundërshtitë, propozimet dhe refuzimet për masa, reforma e politikat e nevojshme të së ardhmes, kënaqësitë dhe hatërmbetjet, aleancat dhe lobimet për të arritur qëllimet dhe aprovuar propozime të caktuara, etj. Kriza konsiderohet nga të gjithë si pjesë e globalizimit dhe po në kuadër të globalizimit kërkohet që të zgjidhet. Ja disa nga pikëpyetjet e mëdha që pritet të marrin përgjigje.
A përfaqëson G20 interesat dhe aspiratat e gjithë vendeve dhe popujve të botës? A mundet që çdo konkluzion e vendim i saj të jetë automatikisht i pranueshëm e në interes të së gjithëve? Në 2 prill do të mblidhen vetëm 20 vende nga 201 të tillë që ka bota. Pra vetëm 10% e vendeve, por që përfaqësojnë rreth 90% të prodhimit dhe tregtisë botërore si dhe mbi 65% të popullsisë. Megjithatë, si efekt direkt i globalizimit, të 201 vendet e planetit kanë direkt mbi kurriz pasojat e rënda shumëdimensionale të krizës: ekonomiko-financiare, sociale, ushqimore, energjetike e mjedisore. Të gjitha do të presin “me veshët ngritur” se çfarë do të ngjasë në Londër në 2 apo 3 prill. A do jenë vendimet e G20 vetëm në favor të nevojave dhe objektivave të tyre, apo ato duhet të marrin maksimalisht në konsideratë dhe interesat apo nevojat e pjesës tjetër të botës. G20 ka lidershipin dhe pozicionin e nevojshëm që të veprojë në favor “të gjithë njerëzimit”, por nëse vepron ngushtësisht dhe vetëm në favor të interesave të veta, do të shkaktonte mjaft pasoja negative në pjesën tjetër të botës. Përfaqësuesit e një grupimi shumë të madh vendesh të quajtur G172, që nuk rezultojnë të jenë të ftuar në tavolinën e bisedimeve në Londër, evokojnë me shqetësim faktin se p.sh: “se përse vendet e pasura e të fuqishme përfitojnë subvencione e mbështetje për bankat, tregjet financiare, industrinë e automobilave, grupet sociale të prekura, etj., ndërkohë që vendet e varfra e ato në zhvillim e kanë shumë të vështirë të përfitojnë nga ndihma të tilla e aq më pak të ndërtojnë “paketa shpëtuese”?. Frika kryesore e tyre qëndron në faktin se “ndoshta në kërkim të rrugëdaljes nga kriza, vendet e zhvilluara do të harrojnë apo shtyjnë për shumë kohë angazhimet e tyre për realizimin e Objektivave të Mijëvjeçarit, të cilat shihen si e vetmja mënyrë për të luftuar varfërinë dhe nxitur zhvillimin në shumë rajone e vende problematike e të varfra të botës. SHBA dhe Anglia janë shprehur hapur tashmë se do t’i shtojnë përpjekjet “në favor të vendeve të varfra dhe atyre që janë prekur më rëndë nga kriza”. Japonia ka njoftuar shtimin e “kontributit të saj financiar pranë FMN, në mënyrë që t’i krijojë asaj më shumë mundësi ndihme financiare për vendet në nevojë urgjente”. Argjentina, Brazili, Arabia Saudite dhe Indonezia janë deklaruar hapur se në samitin e Londrës do lobojnë në favor të “një plani tërësor për mbështetjen e ekonomisë botërore”, etj.
Përballë një tendence shumë alarmuese drejt proteksionizmit të mjaft vendeve të botës, G172, është shumë e ndjeshme edhe ndaj vendimeve që mund të prekin “politikat tregtare” të vendeve të zhvilluara. Nëse një tendencë e tillë pranohet direkt apo në heshtje në samitin e Londrës, shumë vende të botës do të ishin “viktima” të shtrenjtimit të importeve dhe bllokimit të eksporteve të tyre. Fati i pazgjidhur i bisedimeve tregtare në kuadrin e “ciklit të Doha-s” qëndron akoma si shpata e Demokleut mbi kokën e të gjithëve. G172, është në favor edhe të një ridimensionimi të disa institucioneve ndërkombëtare si FMN e Banka Botërore, duke i përshtatur ato më shumë me sfidat e shek të XXI-të. Evropianët duket se janë më në favor të “krijimit të institucioneve e organeve të reja të rregullimit të tregjeve financiare botërore”.
Tashmë, nga të gjithë mund të konstatohen ndryshime thelbësore të sistemit ekonomik e financiar të trashëguar nga revolucionet industriale dhe modelit kapitalist të Anglisë, Francës, Gjermanisë, Japonisë e SHBA. G7 apo G8, simbolet e qeverisjes ekonomike e financiare botërore, po ia lënë vendin G20. Mbas dy shekujsh dominimi pothuajse absolut, “perëndimi” duket se ka filluar të mendojë filozofinë e “ndarjes” dhe pranojë konceptin e “ndërvarjes” me një numër shumë më të madh vendesh e popujsh të botës. Të ashtuquajturat “fondet sovrane” të Azisë dhe Lindjes së Mesme disponojnë likuiditete financiare të jashtëzakonshme, për të cilat bankat dhe tregjet financiare perëndimore kanë nevojë. Kina dhe shumë vende të tjera aziatike apo latino-amerikane disponojnë likuiditetet e nevojshme financiare, që të blejnë në mënyrë masive bonot e thesarit të qeverisë amerikane, duke kontribuar kështu në financimin e diapozitivit të domosdoshëm financiar, që administrata Obama ka premtuar se do të nxjerrë Amerikën dhe ndoshta botën nga kriza aktuale. Por Kina, me sa duket e mbështetur nga Rusia, Brazili dhe India kanë hedhur në tavolinë edhe një tjetër propozim shokues: “Zëvendësimin e dollarit si monedha kryesore e rezervave ndërkombëtare nga një monedhë tjetër”, propozim ky që me siguri do ngjallë debate e reaksione të forta në Londër sidomos nga ana e SHBA.
Sfida tjetër e madhe ka të bëjë me “hedhjen e bazave të modelit të zhvillimit për shekullin e XXI-të”. Do vazhdojë të dominojë modeli amerikan apo perëndimor “i konsumit pa limit”, i një konsumi “alla amerikan” që i përkthyer në shifra nënkupton që 75-80% të PBB të shkojë vetëm për blerje e konsum të përditshëm? Apo tashmë ka ardhur koha që të gjithë të reflektojmë për raportet ndërmjet “konsumimit pa limit dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, d.m.th., për raportet midis konsumit dhe burimeve natyrore disponibël? Nëse 1 miliard indianë apo 1 miliard kinezë do të ndjekin verbërisht modelin dhe “ëndrrën amerikane”, atëherë mund të kalkulojmë lehtësisht se rezervat e naftës nuk mjaftojnë as për 10-20 vitet e ardhshme, se rezervat dhe burimet e ujit do bëhen një luks dhe njëkohësisht burim konfliktesh të reja botërore, se pyjet dhe toka bujqësore do të reduktoheshin me shpejtësi, se ushqimet natyrale do të zëvendësoheshin pasivisht nga produkte gjenetikisht të modifikueshme apo super-industriale, se ajri që ne thithim çdo ditë do të ishte disa herë më i ndotur, etj. Beteja “zhvillim e konsum pa limit – burime natyrore të fundme e të parigjenerueshme” duket se ka filluar me intensitet. Studiuesit llogarisin se ne tashmë “po konsumojmë në nivelin 120% rezervat e rigjenerueshme të planetit”, dhe n.q.s., vazhdojmë kështu, pikëpyetjet për të ardhmen e përbashkët bëhen akoma më të mëdha e shqetësuese. Nëse problemet politike, ekonomike e sociale zgjidhen më lehtë me shtete, qeveri e kufij, problemet mjedisore e burimet natyrore kërkojnë një formulë e zgjidhje më globale, kërkojnë një politikë e koncept të përbashkët mbarëbotëror. 
Kriza financiare aktuale ka provokuar një energji të madhe në favor të një mobilizimi global e autentik në historinë e botës. Një angazhim i ri global është i nevojshëm për t’u përgjigjur sfidave që gjithashtu janë globale. Realiteti i tanishëm dëshmon se “globalizimi nuk është perfekt”, por ajo që pritet nga samiti i G20 është objektivi drejt një “globalizimi jo përjashtues”, drejt një “humanizimi të globalizimit”. Të gjithë sytë e botës në 2 dhe 3 prill do të jenë të drejtuar drejt Londrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›