E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhëmblani, "vëllai i vogël" i Gërdecit

Tepelenën e kemi lënë pas krejt të lagur. Një shi i marrë nuk rresht së rëni që në orët e para të mëngjesit. Marrim xhadenë e vjetër, që lidh Tepelenën me Vlorën. Eshtë një rrugë e vjetër përmes maleve, e ndërtuar nga italianët që në Luftën e Parë Botërore. Makina jonë 4x4 nuk e ka të vështirë të çajë përmes rrugës së shtruar me çakull. "Pa shiko, pa shiko, e paskan rregulluar disi rrugën", merr frymë kolegu ynë që nget makinën. Radioja nuk pushon së përmenduri fjalët, viktima tjetër, Gërdeci, korrupsioni, tragjedia, fajtorët, dorëheqje… Në sediljen e pasme dy arkeologë vendas, që janë bashkuar me ne, flasin pa pushim për punët e tyre: Varri është romak, apo më i hershëm, po Kalaja e Matohasanajt, po ai fortifikimi atje përtej? Shiu, që bie ngadalë mbi xhamin e makinës, qetësia e mbytur, që mbizotëron kudo, biseda e arkeologëve mbi gjëra e bëma më shumë se dymijëvjeçare, sikur na e largojnë pak atë trishtimin që na kapluar që prej asaj të shtunës së zezë të Gërdecit, fare pranë shtëpive tona. Dhe kështu pak, nga pak i kemi kaluar ato 28 kilometra që ndajnë Tepelenën nga Komuna e Lopësit. Kemi lënë pas dredhat e Vjosës dhe kemi kundruar nga larg fshatrat në krah të saj në bregun matanë, Vasjarin, Qesaratin dhe të tjerët.

Arkeologët sërish i kanë hyrë një diskutimi tjetër. "Mogilat e Vasjarit - bën shenjë njëri prej tyre, ai më i riu, nga një grumbull kodrash që duken sikur janë ndërtuar nga dora e njeriut - mos janë gjë tuma? Edhe në serbisht ‘mogilë‘ varrezë do të thotë". "S‘ka mundësi - ia kthen kolegu më i vjetër - e ku ka këndej një qytet kaq të madh që të kishte një varrezë të tillë kolosale?".

Shtëpitë e para pranë Dhëmblanit na shfaqen vetëm pak kilometra pasi kemi kaluar kthesat e famshme të Salarisë. Në një goxha të përjetë, disa gurë jo edhe aq të vegjël janë shkëputur nga mali e kanë rënë në rrugë. Nuk ka asgjë për t‘u frikësuar. Shiu i madh ia "ha" shpesh shkëmbinjtë maleve të këtyre anëve. Deri më tani nuk kemi dëgjuar ende asnjë fjalë tragjike si predhë, bombë, shpërthim, të vrarë, shkatërrim. Asgjë, përveç zhurmës së butë të shiut dhe bisedës së paqtë të miqve tanë arkeologë.

"Ato ditë të tmerrit"

Dhëmblani është një fshat që shtrihet në këmbë të një mali të lartë. Fshati shtrihet diku aty te 600 metra mbi nivelin e detit. Mbi të, një nga majat më të njohura të Jugut, ajo e Këndrvicës, ka humbur nën retë që kanë zbritur deri poshtë në fshat. Ai shiu që na ka zënë që në Tepelenë nuk na ndahet edhe këtu. Shtëpitë e para që hasim janë disa ndërtesa të gurta që janë të braktisura. Njerëzit e këtyre anëve kanë zbritur për në vende më të qeta. Bëjmë mund që të takojmë ndonjë fshatar. Asnjë figurë njerëzore për be. Mjegulla dhe shiu i kanë strukur njerëzit ndër shtëpira. Asnjë punë nuk mund të bëhet në këtë stuhi e të ftohtë. "Po raki pihet ama - kujtohet njëri prej nesh - sot është tamam dita e duhur. Me siguri në klubin në qendër do takojmë njerëz".

Në sheshin e fshatit ndahemi me arkeologët që nxitojnë të lumtur përmes shiut drejt varreve dhe kalave të tyre. Dhe vërtet në klub takojmë dy fshatarë vendas. Janë Ago, pronari i lokalit dhe një i moshuar, xha Qemali. Nuk po pinë raki, po nejse, pak rëndësi ka. Tashmë i kemi gjetur njerëzit që do na flasin për ngjarjen që e shndërroi fshatin nga një vend të harruar, në një vend të njohur në të gjithë Shqipërinë.

Ago dhe xha Qemali flasin herë njëri e herë tjetri, njësoj sikur të duan t‘i rikujtojnë njëri-tjetrit atë histori e cila ende u ngjall frikë. Ka shumë pika lidhjeje mes Gërdecit dhe Dhëmblanit. Shpërthimi, në një pikë çmontimi të predhave këtu, ka ndodhur në një ditë pranvere, më 6 maj të 2006. Ishte një ditë e bukur me diell, njësoj si në Gërdec. Qe e shtunë, njësoj si të shtunën e 15 marsit të këtij viti, fëmijët ishin nëpër shtëpi. Më në fund një nga viktimat e tragjedisë pranë Vorës, oficeri Besim Çanga, ishte njeriu që komandoi më pas operacionin e xhenierëve për pastrimin e fshatit.

"Kishim nisur ta harronim atë të zezën që na gjeti dy vjet më parë - Ago flet me sytë ende të mbërthyer nga ekrani i televizorit, ku vazhdojnë të transmetohen pamjet e frikshme të shpërthimit në Gërdec - por kjo, që ndodhi andej nga ju, na e kujtoi sërish. Ndërsa shikoja ata të shkretët atje afër Vorës më dilte përpara e gjithë skena që kam përjetuar. E kam krejt para syve. Ishte një ditë e bukur me diell. Ishte e shtunë dhe të paktën fëmijët nuk kishin vajtur në shkollë. Andej afër orës një të drekës u dëgjua shpërthimi i parë. Nisën të thyhen xhamet dhe krejt fshati u lëkund sikur të kishte rënë një tërmet i fortë. Pas tij edhe shumë të tjerë dhe predhat nisën të na fluturojnë mbi krye. Kemi ikur nga sytë këmbët e jemi fshehur në disa kodra në të dalë të fshatit. Kudo kishte xhame të thyer, mure të çarë, bagëti që kishin dhënë shpirt nga përplasja e fortë, njerëz të lebetitur. Ishte dita më e keqe e jetës sime. Shpërthimet kanë vazhduar pa pushim për rreth pesë orë. Pastaj janë rralluar. Por ne nuk shkonim nëpër shtëpi, sepse kishim frikë. Më shumë e kanë pësuar ata që i kishin shtëpitë afër depove të municionit. Ka pasur disa shtëpi që janë, a nuk janë 500 metra afër depove që shpërthyen. Kështu jemi strehuar për shumë kohë nëpër kushërinj a ku të mundnim. Pastaj kanë ardhur ushtria që e komandonte Besimi i shkretë. Kur kam parë emrin e tij në listën e viktimave kam qarë gjatë. Ka ngrënë bukë me mua pikërisht në atë vendin ku ju po rrini tani". Agos sërish i mbushen sytë me lot dhe hesht një copë herë, duke u kthyer nga televizori. Ne e kuptojmë se i vjen zor prej nesh. Në këto anë burrat nuk para përloten kollaj. "Unë vetë votoj për të djathtën - shton Ago - por njerëzit që janë fajtorë për këtë krim unë do t‘i pushkatoja. Ne që patëm vetëm dy viktima dhe dëme materiale ende nuk e kemi marrë veten nga tmerri i atyre ditëve dhe jo më ata të Gërdecit. "Votoj për të djathtën", ka thënë Ago. Ishte një gjë që ne nuk është se na hynte shumë në punë. Por ca më vonë do ta marrim vesh se politika është një gjë e rëndësishme, e ngulitur fort në kryet e këtyre fshatarëve.

Xha Qemali është disi më praktik e më pak emocional se Agua. Pasi e ka përmendur edhe ai atë fjalën "pushkatim", si dënimi i vetëm për fajtorët e Gërdecit, xha Agua shton disa meraqe të tjera. Ai na rrëfen për një tjetër depozitë edhe më të frikshme se sa ajo që shpërtheu më pak se dy vjet më parë. "Në atë malin atje, që ne e quajmë Mali i Gribës - bën me dorë ai nga shkëmbinjtë që ngrihen mbi shtëpitë e fshatit - në Budulisht ka me dhjetëra tunele që vazhdojnë me kilometra e kilometra. Janë të mbushura me një sasi kolosale eksplozivi, predhash, a ku ta di unë. Ushtria i ka vërtet nën ruajtje, por kështu si po venë punët, edhe atje mund të ndodhë ndonjë shpërthim. Dhe, larg qoftë po të ndodhë kjo, atëherë do të rrafshohen shtëpi e gjë e gjallë ku janë e ku nuk janë këndej rrotull. Do të ndodhë hataja, prandaj u thoni atyre andej nga Tirana se ato tunele duhen zbrazur një orë e më parë. Edhe këto poshtë në fushë xhanëm, por ato me se s‘bën, një orë e më parë…".

Grupi i fshatarëve që kanë dëshirë të flasin tashmë është shtuar, veçse kanë nisur të flasin të gjithë në të njëjtën kohë, njësoj sikur të këndonin një këngë polifonike të këtyre anëve. Përshëndetja e hareshme e një burri me zë të trashë e ndërpret për pak minuta bisedën e rrëmujshme që po zhvillohej rreth nesh. Eshtë Osmën Hodaj, një shofer vlonjat që bën përditë rrugën Vlorë-Dhëmblan. "Katër orë tutje e katër orë tëhu, ky është tetëorëshi im", thotë duke qeshur vlonjati simpatik. "Edhe unë kam qenë atë ditë këtu - bëhet serioz ai befas - po rrija me disa miq në Sinanaj, në qendër të komunës, në pritje që të bëja rrugën e kthimit. Edhe pak e do të nisesha. Befas u dëgjua një si bubullimë. Ishte njësoj si një rrufe në qiell të pastër. Nuk i dhamë shumë rëndësi në momentet e para, por pastaj një fëmijë i alarmuar erdhi duke bërtitur: ‘Kanë plasur predhat, kanë plasur predhat!‘. Bashkë me disa të tjerë jemi futur te disa banesa dykatëshe që janë në qendër. Predhat fluturonin nga të katër anët. Një më ka kaluar fare pranë dhe u përplas diku në mur. Për fat të mirë ishte pa djegore". Sapo ka heshtur Osmëni, ka nisur sërish ajo biseda ku flasin të gjithë njëherazi. Megjithatë, nga fjalitë e përziera arrijmë të mësojmë se është caktuar një dëmshpërblim prej 73 milionë lekësh, por që nuk u akordua kurrë. Herë pas here dëgjojmë fjalët "spekulim" apo "korrupsion" dhe atëherë kuptojmë se ndokush do të ketë dashur të luajë ndonjë lojë, sikurse ndodh rëndom në raste fatkeqësie. Paratë e dëmshpërblimit vazhdojnë të jenë të bllokuara, me sa duket deri kur në këtë fshat të kenë mbaruar bisedat kur të gjithë flasin në të njëjtën kohë.

"Po unë jam i atij…!"

Dy figura interesante i janë shtuar grupit: Xhevati, të cilin na e prezantojnë si drejtori i shkollës, por që këmbëngul ta quajë veten "kryemësues" dhe një vendas tjetër edhe ky mësues. Fëmijët janë të parët që vuajnë pasojat e ngjarjeve të rënda. Shumë prej tyre mezi e kalojnë tronditjen e parë dhe këso shpërthimesh e hatarash lënë nganjëherë pasoja të pariparueshme te të gjithë të vegjlit. Pastaj, mësuesit që kemi takuar lart e poshtë Shqipërisë i kemi pasur gjithnjë bashkëpunëtorë të ngushtë. Në Dhëmblan na ndodh ndryshe, kush e di se përse. Të parin pyesim mësuesin për gjendjen e fëmijëve dy vjet më parë. Mësuesi vetëm na shikon dhe hesht, njësoj sikur nuk i jemi drejtuar atij. E përsërisim edhe një herë pyetjen tonë. Sërish heshtja na vjen si përgjigje. Vetëm ca më vonë ai kujtohet të përgjigjet: "Avash ore, i kam të menduara përgjigjet unë!". E drejtë, përgjigjja duhet të jetë gjithnjë e menduar, mbase më shumë se sa vetë pyetja. E lëmë edhe ca kohë mësuesin të mendohet deri sa ai vetë e gjen zgjidhjen. "Po marr kryeplakun - na thotë, dhe pastaj flet në celular - ore ku je ti? Se kanë ardhur disa vetë këtu, gazetarë thonë, po nuk e di se ç‘dreqin janë!".

Mësuesi, me pak fjalë, e ka dhënë përgjigjen. Atëherë i drejtohemi "kryemësuesit" me të njëjtën pyetje. Pra: "Si e përjetuan nxënësit atë ditë dhe si ndjehen ata sot?". Sërish një heshtje e pakuptimtë. E ndërsa heshtim të dy palët, mësues e gazetarë, kemi disa minuta më shumë kohë të sodisim portretin e veçantë të "kryemësuesit". Ka disa sy që nuk i kemi parë gjëkundi. Më shumë se sy ato janë dy viza të gdhendura në ballë. Sytë e Xhevatit janë aq të pupulitur sa që ne dyshojmë nëse na shikon apo jo. Gjatë rrugës na kishin thënë se emri që mban krahina dhe komuna, Lopës, vinte nga një legjendë e lashtë, sipas së cilës njerëzit, që banonin dikur këtyre anëve, dalloheshin nga të tjerët nga sytë e tyre të mëdhenj, njësoj si të lopës. Sytë-vizë të Xhevatit e përgënjeshtrojnë sakaq këtë legjendë, që me sa duket është sajuar keq. Nuk kanë asnjë ngjashmëri me ata të lopës. Më në fund "kryemësuesi" fillon të flasë si nëpër dhëmbë: "Po ç‘t‘iu them unë juve. Këndej kanë ardhur në atë kohë plot gazetarë të shumë gazetave. Ua kemi thënë atyre ato që kemi pasur për të thënë". "Po mirë na i thuaj edhe neve ato që u ke thënë atyre", këmbëngul njëri prej nesh. Atëherë Xhevati i ngratë thotë një fjali të cilën në fillim nuk e kuptojmë aspak. "E dini si është puna? Unë jam i atij!", na thotë duke u ndjerë ndjeshëm më i çliruar. "I kujt atij, i babait?", e pyesim duke u hallakatur edhe më tepër. "Jo, ç‘hyn babai këtu. Unë jam i Fatmirit. I Fatmir Mediut. Jam me republikanen, prandaj nuk e di nëse duhet të flas apo jo. Ju e dini edhe vetë se si janë këto punë".

Përgjigjen e marrim nga i miri Ago. "Fëmijët janë të frikësuar që nga shpërthimi. Nëse dëgjojnë ndonjë bubullimë të fortë, apo ndonjë fishekzjarre ata ngjethen dhe struken në ndonjë rrëzë. Le pastaj që kanë frikë të shkojnë me bagëtitë. Kështu është. Pastaj shënoni edhe këtë. Shpërthime të tilla, të mëdha ndotin të tërë zonën. Ka probleme me ndotjen kimike, që pasqyrohet në bujqësi dhe në shëndetin e njerëzve".

Xhevati "i atij" megjithëse nuk flet na ndjek pas në takimin tonë të ardhshëm që do të bëhet diku më afër depove të municionit. "Na duhet një psikolog, shënojeni. Fëmijët kanë nevojë për të", na thotë pak më pas, ndërsa ne vazhdojmë të ecim nëpër fshat. "Mos e do për vete psikologun", i thotë një nga bashkëfshatarët e tij gjysmë me shaka e gjysmë me të vërtetë.

Me kryeplakun te familja e dëshmorit

Për fat kemi takuar më në fund kryeplakun, Bashkim Meçajn. Me sa duket jo më kot është zgjedhur dy herë me radhë kryeplak. Bashkimi nuk ka nevojë të flasë në kor me zë të lartë si shumë nga bashkëfshatarët, as të mendohet gjatë e pastaj të mos thotë asnjë gjë si ca të tjerë. Me Bashkimin më në fund merremi vesh shkoqur. "Predhat i sollën në magazinat e mëdha që janë këtu poshtë. Në fillim ato shërbenin për drithin e Rezervave të Shtetit. Pas 1997-ës, kohë në të cilën ne vetë i mbrojtëm me roje ato rezerva të stërmbushura me drithë. Më pas shteti hoqi drithin dhe na solli predhat - thotë Bashkimi - në fillim neve nuk e pritëm keq këtë gjë. Asokohe nuk e dinim se çfarë rreziku po strehonim në gji. Nga njëra anë na leverdiste, sepse atje do të punësoheshin djem nga fshati. Do të ishte një ndihmë jo e vogël për ne. Edhe sot atje punojnë 15 vetë nga kjo zonë. Ajo që ndodhi në 6 maj të 2006-ës na ka tronditur jashtë mase. Tragjedia mund të ishte edhe më e rëndë, por për fat fëmijët nuk ishin në shkollë, sepse qe e shtunë. Nejse, pasi kaloi ajo tronditja e parë dhe pasi u pastrua zona nga xhenierët u kthyem në shtëpitë tona dhe nisëm riparimet. Shteti na ka akorduar një fond, që për ne ishte minimal, por as ajo shumë nuk është shpërndarë, por është bllokuar. U kemi dërguar peticione organeve më të larta të shtetit. Përgjigjja na erdhi vetëm nga Këshilli i Qarkut, askush tjetër nuk u përgjigj. Pas kësaj kemi bllokuar rrugën, duke mos i lënë kamionët e ushtrisë që të transportonin predha në drejtim të qyteteve të tjera. Pas disa kohësh Ministria e Mbrojtjes na ka shtruar rrugën nëpër të cilën erdhët ju. Kjo është pak a shumë historia jonë".

Bashkimi bën mund që të ndalojë rrethin e madh të bashkëbiseduesve që të përziejë bisedën. E pyesim se si e ka përjetuar fshati hatanë e Gërdecit. "Gërdeci edhe një herë na kujtoi se e kemi pusinë te koka. Mirë depot që janë poshtë, atje duhet të ketë ende afër 2 mijë ton predha, rreziku më i madh janë tunelet mbi fshat. Ato janë të frikshme. Pastaj ku i dihet? Asnjëherë një territor i infektuar me predha nuk është 100 për qind i pastër. Ja, para disa ditësh një nga shokët tanë gjeti një djegore dhe e hodhi tutje. Shpërthimi i përcëlloi rrobet", përgjigjet kryeplaku. "Hë mo se ishte e vjetër - dëgjohet sërish zëri i ‘Xhevatit të atij‘ - ajo ishte e luftës italo-greke". Ky zbulim shkakton të qeshura të forta në lokalin e vogël të Bashkimit, kryeplakut.

Vetëm me Bashkimin trokasim në një portë të fshatit. Këtu banojnë Jonuz dhe Xhevo Hanaj. Djali i tyre Adriani, 30-vjeçar, humbi jetën në shpërthimin e dy vjetëve më parë, po çmontonte një predhë bashkë me një ushtarak nga Berati, që vdiq në vend. Xha Jonuzi dhe nënë Xhevo na presin me sytë e përlotur. Neve çuditemi. Ata nuk e dinin aspak se disa gazetarë do t‘i vizitonin. Shkakun e mësojmë shumë shpejt: Janë duke parë lajmet që mbërrijnë nga Gërdeci. "Ah more djem - gjen forcë dhe flet i pari Xha Jonuzi - në ato depot ku m‘u vra im bir kam punuar për 36 vjet me radhë. Kurrë nuk e kam besuar se vendi që më mbajti me bukë mua dhe familjen do të bëhej vendi ku djali im do të linte jetën. Tani që shoh lajmet, tani që pashë hatanë e Gërdecit më kujtohen plot gjëra dhe plaga më është hapur edhe një herë nga fillimi. Pastaj unë e kam njohur Besim Çangën, atë oficerin që është vrarë atje. Vinte këtu thuajse përditë dhe mua më pëlqente se më thërriste ‘o dajë‘, ashtu sikurse flasin andej nga Elbasani". Plaku hesht një copë herë duke qarë njëherazi për dy të dashur, për djalin e tij dhe për mikun.

"Sikur të ma ndjente zemra atë ditë - nënë Xhevoja ka nisur të flasë me zë të ulët - nuk e di, por nuk desha që djali të shkonte atë ditë në punë. Pastaj kemi dëgjuar shpërthimin dhe një gjë më është këputur në gjoks. ‘Djali‘, mendova. Ai vetë i djegur rëndë kishte shkuar në ato kodrat përtej dhe kishte marrë në celular të vëllanë, djalin tjetër që është polic në Tepelenë. Ky duke ardhur me shpejtësi është gremisur dhe më është plagosur rëndë edhe ky. Desh i humba të dy djemtë. Adrianin e dërguan në Itali. Po nuk ia doli. Ka lënë pas neve dhe gruan shtatzënë me një fëmijë të vogël. Pas një muaji lindi djali që mban emrin e tij". Të dy pleqtë mblidhen afër njëri-tjetrit, njësoj sikur të duan të mbrohen nga tragjedia, lajmet e egra që dëgjojnë dhe vetmia e tyre. "Një porosi kam o djem - xha Jonuzi shikon nga blloqet tanë - djali im ra në krye të detyrës. Unë kam kërkuar që të trajtohet si dëshmor. Ai po punonte si ushtarak i këtij shteti, por nuk kam marrë asnjë përgjigje".

Pak nga pak ka ardhur koha të ndahemi me miqtë tanë të mirë të Dhëmblanit, me Agon, xha Qemalin, Xhevatin "e atij", Bashkimin, xha Jonuzin e nënë Xhevon, me njerëzit që jetojnë çdo minutë me "pusinë te koka" dhe me sytë e ngulitur fort në lajmet që mbërrijnë nga tragjedia e Gërdecit. Pak më poshtë, në Sinanaj, kemi lënë pikën e takimit me miqtë tanë arkeologë. E ndërsa presim ata ndalojmë një copë herë pranë një lapidari pranë zyrave të komunës. "Më 21 qershor 1943 populli i Lopësit dhe çetat partizane të Tepelenës shkatërruan komunën e postën e karabinierisë dhe në këtë çerdhe të Luftës Na.Çl. nuk u kthye më pushteti i borgjezisë", shkruhet në pllakën e lapidarit. Për pak kohë e vrasim mendjen nëse do të ishte më mirë që të ishte kthyer "pushteti i borgjezisë" në krahasim me "pushtetin e bombave", apo të dyja janë e njëjta gjë, apo "pushteti i borgjezisë" është një koncept i krijuar vetëm nga sistemi i kaluar diktatorial, sepse në fakt ekzistoka vetëm "pushteti i bombave"… Punë e ngatërruar fort.

Ja tek po mbërrijnë arkeologët tanë. Të lagur qull, por të lumtur si fëmijë. Janë ngjitur lart deri në Kalanë e Matohasanajt, një fortifikim i vjetër e pak i njohur. Ndërsa sistemojmë edhe një herë blloqet tona, që tani na duket sikur mbajnë erë barut, të mbushura plot me rrëfime të frikshme dhe shpërthime predhash, ata na duken qeniet më të lumtura në botë.

Pasaporta e Komunës LopëS

Vendndodhja: në Veriperëndim të TepelenëS

Numri i fshatrave: pesë, Sinanaj, Matohasanaj, Dhëmblan, Dorëz, Lab-Martalloz

Numri i popullsisë: 1177 banorë

Sipërfaqja: 58 kilometra katrorë

Biznese të regjistruara: 25

Aktiviteti kryesor: blegtoria

Arsimi: 2 kopshte, 2 shkolla fillore, 2 shkolla tetëvjeçare

Qendra e komunës: Sinanaj

Shkohet nëpërmjet rrugës së vjetër Tepelenë-Vlorë, e paasfaltuar

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›