E vërteta e ngjarjes, të cilës iu kushtua dhe filmi "Në fillim të verës"
Plot 67 vjet të shkuara, apo më saktë më 21 gusht të vitit 1941, aty nga ora 2 pas mesnate i gjithë qyteti i Vlorës dhe rrethinat e tij u tronditën nga një shpërthim tepër i fuqishëm, i cili jo vetëm që prishi qetësinë e asaj nate vere, por u duk sikur i shkundi nga themelet të gjitha shtëpitë e atij qyteti bregdetar buzë valëve të kaltra të Jonit dhe Adriatikut. Edhe sot e kësaj dite, mjaft nga të moshuarit e atij qyteti e mbajnë mend atë shpërthim të fuqishëm dhe kujtojnë edhe flakët e mëdha që u ngritën lart në qiell, duke ndriçuar të gjitha malet e kodrat e Radhimës buzë detit. I gjithë qyteti e gdhiu atë natë pa vënë gjumë në sy, jo vetëm nga ankthi dhe frika e shpërthimeve të tjera që vazhduan edhe gjatë gjithë ditës së nesërme, por edhe nga sirenat e zhurma e automjeteve ushtarake të italianëve, të cilët në atë kohë kishin përqendruar një numër të madh forcash ushtarake në atë qytet bregdetar prej nga kishin ikur me luftë që në 1920-ën. Pa zbardhur mirë dita, në të gjithë qytetin u përhap lajmi se ishin hedhur në erë depot gjigande të municioneve të italianëve në fshatin Radhimë, të cilat ishin përqendruar në një hapësirë të madhe dhe u shërbenin atyre për të furnizuar forcat e tyre që luftonin kundër italianëve. Shpërthimi i tmerrshëm i asaj nate vere jo vetëm që u mbajt mend gjatë në kujtesën e vlonjatëve, por aty nga fundi i viteve ‘70, regjimi komunist i kushtoi edhe një film artistik të titulluar: "Në fillim të verës". Ai film, i cili në vitet që pasuan u bë mjaft i njohur për publikun, i kushtohej luftës antifashiste të qarkorit komunist të Vlorës dhe personazhi kryesor i filmit personifikonte Heroin e Popullit, Shyqëri Alimerkon, të riun komunist që hodhi në erë depot e italianëve në fshatin Radhimë të Vlorës. Po si qëndronte e vërteta rreth asaj ngjarjeje të largët dhe a ishte vërtet Alimerko autori i atij aksioni të bujshëm që historiografia e propaganda e regjimit komunist e ngriti në art, duke i kushtuar edhe një film artistik? Lidhur me atë ngjarje të shumëpërfolur na njeh dëshmia e zotit Jaup Xhezo Ilajazi, njërit prej të rinjve nacionalistë vlonjatë të organizatës së Ballit Kombëtar gjatë viteve të luftës, i cili pas një emigrimi politik prej 46 vjetësh, në vitin 1998 u kthye për të ngrysur ditët e fundit të jetës në qytetin e tij të lindjes. Intervistën që po botojmë në këtë shkrim ia kemi marrë këtu e tetë vjet të shkuara në shtëpinë e tij, diku në lagjen "Skelë", në prani të dy miqve tanë: Fari Shaska e Pavllo Bezhani, që na ndërmjetësuan e ndihmuan për t‘u takuar e biseduar shtruar me Jaup Xhezo Iljazin, i cili ka ndërruar jetë para një viti.
Zoti Jaup, si qëndron e vërteta rreth aksionit të djegies së depove të municioneve në Radhimë të Vlorës, të cilit para viteve ‘90 i është kushtuar edhe filmi artistik "Në fillim të verës"?
Atë aksion e mbaj mend shumë mirë, jo vetëm për faktin se ai ishte i pari aksion ku merrja pjesë unë, por edhe sepse aty u plagosa në dorë. Ai aksion u krye në fshatin Radhimë të Vlorës, ku italianët asokohe kishin grumbulluar e përqendruar sasira të mëdha municionesh. Nga ajo depo gjigande, e cila përbëhej prej më shumë se 20 kapanonesh të ndërtuara në formë barangash dhe stivash të tjera me predha dhe municione të mbuluara me mushama, furnizohej e gjithë ushtria italiane, e cila luftonte në front me Greqinë.
Kush vendosi për kryerjen e atij aksioni?
Në fillimin e gushtit të vitit 1941, në shtëpinë time në Izvor të Vlorës erdhën Hysni Lepenica, Skënder Muço, Mehmet Alemi dhe Hysni Kapo, të cilët ishin dhe krerët kryesorë të lëvizjes antifashiste të Vlorës në atë kohë. Pas shumë diskutimesh, aty u vendos që të sulmohej ajo depo municionesh, duke u djegur dhe duke u hedhur në erë. Kryerjen e atij aksioni e mora unë përsipër dhe bashkë me mua u vendos që të vinte edhe Selim Laçej.
Si arritët ta kryenit atë aksion?
Pas disa ditësh nga ajo mbledhje që u bë në shtëpinë time, duke parë edhe kohën që ishte me shira dhe mjaft e përshtatshme për kryerjen e aksionit, diku aty nga ora 2 e natës unë u largova nga shtëpia duke u hedhur nga dritarja. Atë gjë e bëra pasi dera e shtëpisë mbyllej vetëm nga brenda dhe unë nuk desha që t‘i zgjoja njerëzit e shtëpisë, pasi ata jo vetëm që nuk duhet të dinin gjë për atë aksion, por edhe mund të më pengonin që të dilja në atë orë të vonë jashtë shtëpisë. Kjo edhe për faktin se fare pranë shtëpisë sonë ishte vendosur komanda e divizionit italian, "Siena", e cila ruhej me ushtarë natë e ditë. Sapo dola jashtë shtëpisë pa më ndjerë njeri, shkova në vendin e caktuar dhe u takova me Selimin. Pasi qëndruam një copë herë aty për t‘u siguruar se nuk na kishte pikasur njeri, u nisëm për në fshatin Rradhimë, ku ndodheshin depot e municionit, të cilat shtriheshin në një sipërfaqe të madhe. I gjithë kompleksi i atyre depove ruhej nga 14 roje italiane të armatosura mirë, të cilët ishin vendosur nëpër lartësi dhe pika kyçe të atyre maleve e kodrave përreth. Nisur nga fakti se rojet ishin të vendosura në një distancë të largët nga njëri-tjetri, ata nuk kontrollonin dot vendin me patrullim, por kishin një sinjal duke thirrur me numra njëri-tjetrin, sipas vendrojës ku ndodheshin. Pasi përgjuam për një farë kohe për të parë mënyrën se si ruheshin ato depo, ne u afruam te roja i 14-të, të cilit Selimi i vuri pushkën në grykë. Ai nuk bëri asnjë lloj rezistence dhe ne e çarmatosëm duke e kërcënuar se po të lëvizte, do ta vrisnim. Roja italian, duke kujtuar se ne do të ishim shumë vetë në atë aksion, nuk bëri asnjë lëvizje dhe kur erdhi koha për të përsëritur sinjalin, thirri numrin 14. Pas kësaj unë u futa brenda telave me gjemba, me të cilat ishte rrethuar i gjithë territori i depove dhe u afrova te një nga stivat me predha topi që ishte mbuluar me mushama dhe ndodhej para barakave. Pasi përgatita barutin dhe spërkata vendin me bidonin me benzinë që kisha marrë me vete, ndeza eshkën dhe menjëherë u largova me shpejtësi për nga vendi ku isha futur.
Sa kohë vazhdoi djegia e eshkës që do të ndizte barutin?
Djegia e eshkës vazhdoi jo më shumë se pesë minuta dhe ndërsa unë isha duke kaluar rrethimin e telave me gjemba, u dëgjua shpërthimi i parë. Në atë kohë, nga frika, unë ikja me vrap nga sytë këmbët, duke ecur nëpër ferra e gurë, duke u çjerrë në të gjitha pjesët e trupit. Ndërsa isha duke vrapuar dëgjova shpërthimin e dytë e kështu me radhë shpërthimet e tjera, pasi stivat ndiznin njëra-tjetrën. Në atë kohë, flaka e tymi që dilnin prej tyre u ngrit lart në qiell, duke e bërë vendin dritë. Unë me Selimin vazhdonim të vraponim tutje, lart malit, pa e kthyer kokën prapa dhe e ndalëm vrapin në vendin e quajtur Sheshet e Izvorit, në majën e Llustrës. Aty ne u ndamë dhe Selimi iku për në fshatin e tij, Tragjas, kurse unë u ktheva për te shtëpia ime.
Sa kohë vazhduan shpërthimet në ato depo dhe ç‘ndodhi më pas?
Shpërthimet aty vazhduan për 24 orë pa ndërprerje, kurse flaka dhe tymi kanë vazhduar edhe më gjatë. Që në momentin kur aty u dëgjuan shpërthimet e para, u dha alarm dhe aty afër u grumbulluan forcat e divizionit "Siena", si dhe përforcime të tjera të shumta që erdhën nga qyteti i Vlorës. Të gjitha ato forca që u grumbulluan aty vetëm sa shikonin flakët, pasi nuk kishin asnjë lloj mundësie për të shpëtuar ndonjë gjë nga ato që ndodheshin aty.
Kur u kthyet në shtëpi, a u treguat njerëzve për aksionin që kishit kryer?
Kur u afrova afër shtëpisë, unë nxora një shami të bardhë dhe e tundja që të mos më qëllonin rojet italiane që ruanin komandën e divizionit "Siena", e cila ishte fare pranë tokave tona. Pas shpërthimit, njerëzit e shtëpisë sime ishin zgjuar nga gjumi dhe duke mos më parë mua aty brenda, kishin menduar se atë gjë do ta kisha bërë unë. Pas kësaj, vëllai im doli fshehurazi nga shtëpia dhe pasi mori një ka, erdhi tek unë në mënyrë që të justifikohej futja ime në shtëpi në atë orë të vonë të natës. Kur hymë brenda, babai dhe nëna më përqafuan që shyqyr isha gjallë dhe pastaj menjëherë më sollën rrobat për t‘u ndërruar, pasi ato që kisha veshur më ishin bërë copë. Në mëngjes unë dola nga shtëpia krejt i qetë dhe që të krijoja një alibi, vajta menjëherë te zyrat e komunës në fshatin Dukat, ku kryetar i saj, Mustafa Matohiti, ishte duke pirë birrë me Mehmet Alemin.
A u takuat më pas me ata që ju ngarkuan kryerjen e aksionit?
Pas një jave erdhën në Tragjas Hysni Lepenica, Skënder Muço dhe Hysni Kapo, të cilët më përgëzuan për aksionin që kisha bërë. Gjatë asaj bisede me ta, Hysni Kapo më tha: "Të lumtë Jaup, aksioni yt ka bërë bujë të madhe dhe për këtë punë unë kam njoftuar edhe Sinan Gjonin e shokët e tjerë që ndodhen në burgun e Tiranës. Të gjithë e dinë se këtë aksion e ke kryer ti".
Po italianët a e mësuan se autori i atij aksioni ishit ju?
Italianët duhet të kishin dijeni se kush ishin autorët e atij aksioni, pasi në atë kohë ajo gjë u mësua nga shumë persona në Vlorë. Mbas dy-tre javësh nga dita që ishin djegur depot, unë me Hamit Musain dhe katër shokë të tjerë shkuam aty me qëllim që të bënim disa foto te mbeturinat e djegura, të cilat i donim t‘i kishim si dokument për aksionin që kishim bërë. Në atë kohë aty erdhën tre motoçikleta me bersalierë, të cilët më thirrën që të ndaloja. Unë kujtova se më kishin diktuar dhe nga frika se mos më kapnin, hodha në drejtim të tyre të vetmen bombë që kisha me vete dhe ika me vrap. Ata më qëlluan me mitraloz dhe një plumb i tyre me kapi këtu në dorën e djathtë, ku siç e shikoni e kam akoma shenjë. Pasi munda që të largohesha, shkova menjëherë në shtëpinë e Hamit Musait, ku infermieri i vjetër nga Dukati, Osman Xhemali, vinte çdo ditë dhe ma mjekonte dorën, duke më hequr ciflat e plumbit që ishin shpërndarë aty. Ai nuk kishte mjete të mjaftueshme për të ma mjekuar dhe ma priste mishin me gërshërë. Dhe nga kjo gjë edhe sot e kësaj dite këtë dorë e kam sakat. Gjatë asaj kohe që mjekohesha në shtëpinë e Hamit Musait, aty erdhi për të më parë edhe Hysni Kapo, i cili më tha se e gjithë Vlora e kishte marrë vesh se unë kisha djegur depot e Rradhimës.
Deri kur vazhduat të mbanit lidhje dhe të takoheshit me Hysni Kapon?
Me Hysni Kapon jam takuar edhe pas asaj periudhe kohe kur në mes organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar, ku bëja pjesë unë, dhe Partisë Komuniste, ku ai ishte një nga krerët kryesorë të saj, kishin filluar kontradiktat e acarimet e ashpra. Në atë kohë Hysniu më dërgoi një letër me anë të Selfo Dalanit, ku më kërkonte që të takoheshim. Ndonëse shokët e mi më porositën që të mos i shkoja në takim, pasi kishin frikë se do të më merrte peng, unë vajta në takim, të cilin e zhvilluam në qafën e Llustrës. Bashkë me mua në atë takim ishte dhe një kolonel i misioneve britanike, i quajtur Smith, me të cilin unë kisha kryer aksionin e djegies së depove të gjermanëve te "Shtëpia e beut", aty ku sot është "Sheshi i Flamurit". Ndërsa unë po i jepja Smithit disa të dhëna në lidhje me vendndodhjen e forcave gjermane që ai më kërkoi, Hysni Kapo më tha: "Mos u jep, se ato ua japim ne dhe u marrim ndonjë shpërblim në rroba a ushqime për partizanët". Gjatë asaj bisede kur Hysniu më bëri thirrje që të shkoja me komunistët, unë i thashë: "Jo vetëm që nuk do të vij me ju, por kam porosi nga Skënder Muço të të them të vish ti te ne, se vendin e ke të hapur te Balli".
Cila ishte përgjigjja e Hysni Kapos pas ftesës që ju i bëtë për të ardhur te Balli Kombëtar?
Hysniu m‘u përgjigj: "Nuk kam ndërmend që të vij me ju të Ballit, pasi luftën do e fitojmë ne". Unë ia ktheva: "Hysni, është e vështirë që ky anglezi të bëhet komunist". Pas kësaj ai më tha: "Po ta fitojmë ne luftën, nuk do të kemi më nevojë për këta". Kështu u ndamë me Hysni Kapon dhe ky ishte takimi i fundit që patëm bashkë në kohën e luftës, sepse më pas unë u arrestova nga gjermanët dhe përfundova në kampet e shfarosjes në Austri.
Të kthehemi tek aksioni i hedhjes në erë të depove të Rradhimës. Kur e mësuat për herë të parë se në Shqipëri ishte bërë një film artistik, ku si ngjarje kryesore ishte ajo e aksionit tuaj në Rradhimë të Vlorës?
Atë gjë e kam mësuar vetëm në vitin 1991, kur unë erdha për herë të parë në Shqipëri dhe njerëzit e mi të familjes më treguan lidhur me atë film, ku aksionin e djegies së depove të Rradhimës që kisha bërë unë në vitin 1941, regjimi komunist ia kishte atribuar Shyqëri Alimerkos. Po kështu, të afërmit e mi më treguan se për atë ngjarje ishin shkruar edhe disa libra, ku Shyqëriu dilte si autori dhe heroi i atij aksioni.
A u indinjuat nga ajo gjë që mësuat?
Jo vetëm që nuk u indinjova, por as nuk u çudita fare. Po kështu nuk kërkova asnjëherë që të shkruhet se atë aksion e kam bërë unë me shokun tim, Selim Laçej, të cilin komunistët e vranë që në vitin 1944, megjithëse ai nuk ishte marrë fare me asnjë aktivitet politik.
Po Shyqëri Alimerkon a e keni njohur gjatë luftës?
Jo vetëm që e kam njohur, por kam marrë pjesë edhe në varrimin e tij, pasi ai mbeti i vrarë gjatë një prite ku kishte dalë me disa shokë të tjerë për t‘i bërë atentat Sadik Premtes.
A ka pasur ndonjë lidhje Shyqëri Alimerko me aksionin e djegies së depove në Rradhimë të Vlorës?
Shyqëriu nuk ka pasur asnjë lloj lidhjeje apo dijenie për atë aksion, dhe në mos gabohem, në atë kohë ai ka qenë vetëm 17 vjeç.
Jetëshkrimi
Pas 46 vjetësh emigracioni politik, u kthye në Shqipëri dhe ndërroi jetë në 2007
Kush ishte Jaup Xhezo Iljazi?
Jaup Xhezo Iljazi u lind më 13 mars të vitit 1918, në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Në vitin 1940 ai mbaroi Shkollën Tregtare të Vlorës dhe së bashku me shokun e tij të shkollës, Hysni Kapon, fituan nga një të drejtë studimi për të ndjekur Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Bolonjës në Itali. Pasi mbaroi vitin e parë të atij fakulteti, në vitin 1941, Jaupi u kthye në Shqipëri dhe u lidh me avokatin e nacionalistin e njohur, Skënder Muço, i cili asokohe udhëhiqte grupet e rezistencës antifashiste në Vlorë. Në fillimin e gushtit 1944, teksa kthehej nga Dukati i Vlorës, ku kishte shkuar së bashku me Skënder Muçon për të marrë një letër që ua kishte dërguar Komanda e Forcave Aleate e Mesdheut, ai u arrestua nga gjermanët. Letra e anglezëve që iu gjet në xhep, u bë shkak për pushkatimin e Skënderit dhe internimin e tij në kampin e shfarosjes Rodaum të Austrisë. Nga ai kamp Jaupi mundi të lirohet vetëm në prillin e vitit 1945, kur aty hynë forcat e Ushtrisë së Kuqe dhe gjatë kthimit për në Shqipëri ai u arrestua nga komunistët serbë në Suboticë të Jugosllavisë, duke u mbajtur për disa kohë në burgun e Zemunit. Më pas atë e kthyen të lidhur në Shqipëri, ku gjyqi ushtarak që iu bë në qytetin e Elbasanit e dënoi me 101 vjet burg, duke e akuzuar si agjent të gjermanëve dhe anglezëve. Nga burgu politik ai mundi të lirohet në vitin 1949, kur u godit i ashtuquajturi grupi i Koçi Xoxes dhe qeveria komuniste bëri një farë amnistie, duke ia ngarkuar të gjitha fajet "koçixoxistëve". Më pas, me ndërhyrjen e ish-shokut të tij të ngushtë, Hysni Kapos, Jaupi u punësua si ekonomist dhe punëtor i thjeshtë në Vlorë dhe Elbasan. Në vitin 1952, kur Sigurimi i Shtetit zhduku pa asnjë gjurmë vëllanë e tij, Jaupi u arratis nga Shqipëria dhe doli në Jugosllavi. Gjatë qëndrimit të shkurtër në Jugosllavi si azilant politik, Jaupi nuk pranoi propozimin e Dushan Mugoshës për të bashkëpunuar me organizatën "TANEF", e cila luftonte për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Po në vitin 1952 Jaupi emigroi në Gjermaninë Perëndimore, ku qëndroi për dy vjet me radhë në "Kompaninë 4000" pranë qytetit Karzeslatuten, ku asokohe ishin grumbulluar me mijëra emigrantë antikomunistë nga vendet e ndryshme të Evropës Lindore, të cilët stërviteshin për të desantuar me misione në vendet e tyre. Pas suprimimit të atij kampi në vitin 1954, ai qëndroi për një kohë në Francë dhe më pas emigroi për në SHBA, ku për disa vjet me radhë u përfshi në jetën politike të mërgatës shqiptare që jetonte në atë kontinent. Në vitin 1998 Jaupi u largua nga SHBA dhe u kthye për të ngrysur ditët e pleqërisë në vendlindjen e tij, në qytetin e Vlorës. Që nga ajo kohë e deri para një viti, kur ai u nda nga jeta, vazhdoi të shkruante kujtimet e jetës së tij të gjatë dhe me peripeci të pafundme.
SSSASS