E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ora e fatit për Ermonela Jahon

Gripi i këngëtares, Ruth Ann Swenson, i ka dhënë mundësinë sopranos shqiptare, Ermonela Jaho, që të dalë para publikut në "Metropolitan Opera" në Nju Jork, ku ka luajtur rolin e Violetës në operën "La Traviata".

Ora e fatit duket se është në krahun e Ermonela Jahos. Pas suksesit që pati në muajin janar në Londër, këtë javë ajo është ngjitur në një nga operat më të njohura të Nju Jorkut.

Gjithnjë janë rastësitë ato që i kanë hapur dyert Jahos. Sezoni i gripit që ka përfshirë gjithë këngëtarët e operës në "Metropolitan Opera" në Nju Jork, i ka dhënë mundësinë Ermonelës që të ngjitet në skenën e këtij teatri për të zëvendësuar sopranon e njohur, Ruth Ann Swenson, në rolin e Violetes në operën "La Traviata". Ajo ka kënduar përkrah tenorit Jonas Kaufmann, ashtu siç ka bërë edhe në janar, kur ka zëvendësuar Anna Netrebko në rolin e njëjtë në shtëpinë e operës "Royal" në Londër.

Debutimin e parë në këtë rol në Tiranë ajo e ka pasur qëkur ka qenë 17 vjeçe, ndërsa ka interpretuar edhe në skena të tjera me famë botërore, si në operën shtetërore në Mynih, teatrin "San Carlo" të Napolit, teatrin "Juseppe Verdi" në Trieste, si dhe në opera të ndryshme në Amerikë.

Muajin e kaluar, në "San Diego Opera", ajo po ashtu kishte zëvendësuar Angela Gilber në rolin e mbretëreshës Mary nga Skocia, në operën e quajtur "Mary, Queen of Scot". "Jam i sigurt se të gjithë kanë pritur me padurimin si do të dukej zëvendësimi i Gilbert, e cila është e sëmurë. Por mund të them me plot gojën, se sopranoja shqiptare ishte thjesht mahnitëse" ka shkruar kritiku Molly Bettiga në "Voice of San Diego".

Ermonela Jaho, përveç roleve të ndryshme në gjithë botën, është shpërblyer me çmimin special të kritikës në garat "Giacomo Puçini" në Milano të Italisë, në vitin 1997, ka fituar çmimet e para në "Spontini International" në Ankona në Itali në vitin 1998, dhe atë në garën "Spontini" në Rovereto të Italisë në vitin 1999, ndërsa në vitin 2000, është shpallur këngëtarja më e mirë e festivalit "Wexford" në Irlandë.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›