Trashëgimia e diskutueshme e "Zotit Krokodil"
Një vit e gjysmë pas vdekjes së spekuluar të "showman"-it natyralist ka shpërthyer një mosmarrëveshje mes babait dhe bashkëshortes. Arsyeja? E veja po e shndërron kopshtin zoologjik në një firmë të madhe ekonomike dhe mediatike, me dëshirën e Steve
Më mirë të luftosh me krokodilët, se sa me prindërit për një trashëgimi multimilionere. Pas javësh të tëra mosmarrëveshjeje, Bob Irwin, babai i të famshmit "Zotit Krokodil", yllit televiziv Steve Irëin, i cili u vra gjashtë muaj më parë nga një krokodil, i është drejtuar së fundmi shtypit australian: "Do të preferoja më shumë të hidhesha mes këtyre krokodilëve, se sa të toleroj të gjithë këtë". Sipas babait të xhindosur, Terri, nusja amerikane, shndërroi gjithçka që kishte ndërtuar ai së bashku me djalin e tij për ruajtjen e natyrës dhe mbrojtjen e ambientit, në një grup mediatik. Kështu ai ka vendosur "t‘i prishë ambasadat" me nusen dhe të vazhdojë projektet për ruajtjen e ambienteve të tij dhe të të birit në pronën e re "Kingaroy", gjithmonë në Queensland.
Natyralisti australian kokëkrisur u bë i njohur në të gjithë botën me serialin televiziv "Gjuetari i krokodilëve", që në të vërtetë tregonte takimet e tij të afruara me të gjitha kafshët e rrezikshme. Ai vdiq papritur në shtator të 2006-ës, kur një krokodil i shpoi tejpërtej zemrën gjatë provave të "Ocean deadliest", dokumentar i cili flet për kafshët më të frikshme që ekzistojnë.
Steve la pas një biznes të madh prej miliona dollarësh, që tani sillet rreth imazhit të tij dhe atij të familjes, ndërkohë që ndahet në dy kolona: të drejtat e dokumentarëve të "Discovery Channel" dhe "Australia zoo" ("Kopshtit zoologjik Australia"). Ky "biznes" u krijua nga i ati, Bob, 36 vite më parë (që në vitin 1992 ia la gjithçka djalit dhe nuses) dhe ndodhet disa kilometra në veri të Brisbane.
Sot, me më shumë se 30 hektarë, 550 punëtorë dhe njëmijë kafshë, kopshti zoologjik tërheq më shumë se një milion vizitorë në vit.
Por për drejtimin e mbretërisë, familja Irwin është përçarë. Fërkimet mes të vesë së Steve Irwin, pronares aktuale të grupit dhe vjehrrit, filluan në shkurt të vitit të kaluar. Pjesëtarë të stafit konfirmuan më pas se marrëdhënia e tyre u prish nga fakti që tashmë "Australia zoo" dhe "Wildlife Warriors" (shoqata jofitimprurëse) po shndërrohen në një cirk dhe nuk kanë të bëjnë fare as me çështjet e ambientit dhe as me ëndrrën e "showman"-it.
Imazhi i "Zotit Krokodil" është shfrytëzuar aq shumë, saqë në muajin janar Terri organizoi një spektakël ku John Edward tentoi të evakuonte shpirtin e Steve përpara një publiku prej 4500 personave.
Në nëntor të vitit të kaluar, Terri publikoi librin "My Steve", ku tregon historinë e heroit dhe natyrës, i cili u bë i njohur në të gjithë botën. Edhe e bija tij, Bindi, 9 vjeçe, ka vendosur të ndjekë gjurmët e të atit, me një program në "Discovery Kids Channel", titulluar "Bindi, the jungle girl" ("Bindi, vajza e xhunglës").
Përveç mosmarrëveshjeve me vjehrrin, vejusha ka edhe shumë probleme financiare. Terri ka blerë për 60 milionë euro një shtesë për zgjerimin e "Australia zoo", pranë të cilit ka menduar të ndërtojë hotele dhe restorante, por para kësaj risie duhet të përballet me një tjetër çështje. Duhet të paguajë një borxh për parkun prej një milion e gjysmë eurosh dhe një tjetër (personal) 36 mijë euro. Pak ditë më parë, kërkesa e saj për të shtyrë procesin në Queensland, që do të fillojë në tetor të këtij viti, është pranuar. Pas një hetimi të detajuar, një gazetë australiane ka theksuar se Terri është pronarja e vetme e këtij aktiviteti, i cili shkon rreth 15 milionë dollarë, duke përfshirë edhe "Steve Irwin wildlife rezerve", një terren prej 135 mijë hektarësh, blerë për 6 milionë dollarë vitin e kaluar, për të cilën qeveria e John Howard i kishte premtuar një ndihmë të konsiderueshme financiare. Qeveria e re e Kevin Rudd ka deklaruar se do të sigurohet që qëllimet e ruajtjes të jenë efektivisht arritjet e vetme.
Por ç‘lidhje kanë të gjitha këto interesa komerciale me mbrojtjen e natyrës? Ja si shprehet një etnolog i njohur australian: "Zakonisht, këto parqe nuk kanë asnjë ndryshim nga cirqet. Përdorin kafshët, sepse bëjnë spektakël. Në pjesën më të madhe të rasteve, këto kopshte zoologjike janë kampe shfarosjeje".
Mund të vërtetohet nga dokumentarët se sa Steve ishte në mbrojtje të natyrës, kur provokonte kafshë shumë të rrezikshme.
"Një dokumentarist duhet të dokumentojë, jo të nxisë veprime të kota. Me kafshët duhet mbajtur një marrëdhënie e kontrolluar dhe të ndërhyhet vetëm atëherë kur është e nevojshme. Zakonisht spektaklet bëhen për të fituar para. Kafshët e egra duhen vrojtuar dhe jo të përdoren si mjete, edhe pse gëzojnë pëlqimin e një publikut të paanë", përfundon ai.
SSSASS