Tragjedia, hartohet "lista e zeze" e bizneseve
Tragjedia e Gërdecit ka ndryshuar diçka në mendësinë e qeverisjes në Shqipëri. Pasojat që solli një kontratë e shtetit me një njeri të dënuar nga drejtësia për evazion fiskal, si Mihal Delijorgji, ka bërë që të shkunden nga letargjia shumë zyrtarë të vegjël e të mëdhenj, të cilët kanë për detyrë të sigurojnë jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre. Kështu kanë vepruar krerët e Policisë së Fierit, të cilët pak ditë pas tragjedisë së Gërdecit kanë hartuar një listë të "biznesmenëve" me precedentë penalë, apo që janë nën hetim dhe kanë kërkuar që firmat e tyre të përjashtohen nga prokurimet me fonde publike.
Lista
Drejtues të lartë të Policisë së Fierit janë shprehur se do të ndërhyjnë deri tek autoritetet e larta shtetërore dhe ato të qeverisë, me qëllim përjashtimin nga prokurimet publike të personave që janë nën hetim, atyre që kanë apo kanë pasur probleme me drejtësinë, si dhe atyre që janë shpallur në kërkim. Kjo bëhet e ditur nga drejtuesit e lartë të Drejtorisë së Policisë Fier, të cilët paraditen e djeshme kanë thirrur në një takim tepër të ngushtë krerët e tre komisariateve që kanë në varësi, atë të Lushnjës, Ballshit e Fierit.
Si fillim, policia ka informuar për këtë masë Prefekturën e Fierit, ku është sugjeruar përjashtimi nga tenderët i personave me probleme. I njëjti sugjerim ka mbërritur deri në Ministrinë e Brendshme dhe në Kryeministri. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit bëjnë të ditur për gazetën se i kanë dërguar një ankesë Prefekturës së Fierit. Fakti pohohet edhe nga zyra juridike e institucionit të prefektit, ndërsa prej dy ditësh drejt Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier ka dërguar listë me emrat e disa personave që janë nën hetim, por që kanë nën administrim edhe firma të ndryshme private. Mësohet zyrtarisht se në ankesën dhe sugjerimin e dërguar nga ana e Policisë së Fierit është kërkuar që firmat që administrohen nga persona me precedentë penalë, apo që janë aktualisht duke u hetuar të mos pranohen në tenderët me fonde publike. Gjithashtu, një listë të përpiluar me këto firma Policia e Fierit e ka dërguar edhe drejt të gjitha institucioneve të pushtetit vendor e qendror në Fier, si dhe institucioneve të tjera me varësi vertikale nga qeveria, të cilat nuk duhet të pranojnë në prokurime këto firma private.
Rasti
Rasti më flagrant, kur një person me probleme me drejtësinë ka fituar një tender, është ai i rikonstruksionit të aksit të rrugës kombëtare nga Kthesa e Patosit në fshatin Velmish. Tenderi për këtë aks kombëtar është fituar nga firma "Gant construction" me përfaqësues Selim Bregun, i cili dy net më parë ka rënë në prangat e Policisë së Fierit. Bregu është arrestuar me akuzën e "mashtrimit" dhe falsifikimit të dokumenteve", por ndërsa ka qenë nën hetimin e policisë dhe prokurorisë, firma që ai përfaqëson ka fituar tenderin e rrugës së sipërpërmendur. Pas arrestimit të presidentit të firmës, që ka fituar tenderin për rikonstruksionin e rrugës, asgjë nuk dihet se çdo të bëhet me këtë rrugë. Gjatë ditës së djeshme, vetëm një punonjës i firmës në fjalë ka qenë në vendin ku duhet të kishin nisur tashmë punimet.
Policia e Fierit ka përpiluar një listë me një sërë firmash, të cilat, sipas saj, përfaqësohen nga persona me probleme me drejtësinë dhe njihen si njerëz të krimit. Për Policinë e Fierit, këto firma duhet të përjashtohen nga tenderët, mbi të gjitha, për të pasur të sigurta investimet me fonde publike.
SSSASS