Dhëndri i Enverit: Ditët e tmerrit në qeli për kasafortën e “Hakmarrjes”
Fatos Mahmutaj
Është e vështirë për të takuar Klement Kolanecin. Dhëndrin e vetëm të ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha, në telefon e gjen menjëherë. Lë takim me të në zyrën e tij në zonën e ish-bllokut ose në një nga lokalet aty pranë. Ndërsa për ta takuar është shumë e vështirë. Biznesmenë ndërtimesh, të shumtë qëndrojnë në radhë për të takuar arkitektin e njohur Klement Kolaneci. Historia e burgosjes së tij e para 12 viteve është diçka që i ka mbetur në kujtesë, por për shkak të angazhimeve të shumta në zyrë e ka të vështirë të flasë për këtë. Pas disa kërkesave për takime radhazi mundëm, ta dëgjonim për rreth një orë rrëfimin e tij, për "implikimin" në të çështjen "Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi". Njohja me Aredin Shytin, familjen e tij, arrestimin, peripecitë e burgut dhe të gjitha për shkak se ishte dhëndëri i Enver Hoxhës. Ministria e Brendshme dhe shtypi i kohës nuk ngurruan ta quanin ushtar i Orik Shytit, djalit të vogël të Aredinit, personi që u vu në krye të "Hakmarrjes" kur ishte vetëm 19 vjeç. Kolanecit, tashmë i ka mbetur merak vetëm fakti që nuk njeh personat që e dërguan në qeli dhe që i shkaktuan pesë muaj vuajtje. Kjo, siç e thotë vetë: "Të paktën vetëm të mos i takoj me zell kur t'i shoh në rrugë". Gjithashtu, në një moment tjetër pohon se i ka mbetur enigmë fakti që është marrë vetëm njëherë në pyetje për "Hakmarrjen" dhe nuk e ka kuptuar as vetë çfarë vepre kishte bërë që ndodhej në qeli dhe pse nuk u kujtua njeri të merrej më pas me të...
Zoti Kolaneci mund të na tregoni diçka rreth kohës që nisën ndryshimet demokratike në Shqipërinë e vitit 1991?
Ndryshimet e vitit '91 më gjetën arkitekt në Institut. Në fillim të vitit '92 paraqita kërkesën për t'u larguar me dëshirë. Kërkesën ia paraqita ministrit Emin Mysliu, ndërkohë atëherë në ministri punonte edhe Blerim Çela. Asnjëri prej këtyre nuk ishte dakord me largimin tim, duke më thënë të qëndroja në Institut. Por duke parë këmbënguljen time mblodhën këshillin, u diskutua e u pranua dorëheqja ime. Nga të gjitha verifikimet doli se unë kisha të vetmen shkelje, një faturë 326 lekë të vjetra të hotel "Dajtit", pasi kisha qenë i ftuar prej Farudin Hoxhës në takim me disa të huaj dhe duke menduar se do e paguante ministria e kisha lënë pa paguar. Kjo nuk u përmend gjatë, kuptohet për vetë vlerën e saj vetëm 32.6 lekë të reja. Pas kësaj ika në Itali deri në mesin e vitit 1996.
Si e njihni ju Aredin Shytin? Po djemtë e tij?
Aredin Shytin e kam njohur që në kohën e komunizmit. Kam pasur respekt të thellë për të dhe vazhdoj të kem sërish. Për më tepër ai banonte në rrugën "Naim Frashëri" në të njëjtin pallat me motrën time binjake, e cila nuk jeton tani. Djemtë e tij nuk i njihja, pasi ishin të vegjël atë kohë. Ndërsa kur u ktheva nga Italia nuk i kisha takuar kurrë dhe nuk i njihja.
Cila është lidhja juaj me këtë familje dhe si u përfshitë në "Hakmarrjen për Drejtësi"?
Diku nga mesi i vitit 1996 djemtë e Aredinit ishin interesuar nëpërmjet motrës time që kishin fqinje, që t'iu bëja një plan rregullues për shtëpinë. E kam fiksuar mirë banesën e tyre që u servir në shtypin e djathtë të kohës si një super banesë. Ishte vetëm 69 metër katrorë, dy dhoma, një minikuzhinë, një minikorridor, një banjë dhe një aneks i vogël fare. Pasi e pashë banesën vendosa ta ndryshoj projektin e saj duke e zhdukur fare njërën dhomë. Aty pashë që kishin një kasafortë të cilën djemtë e Aredinit më thanë që do e hidhnin. U thashë të ma jepnin mua pasi më duhej te studioja ime për të mbajtur dokumentet. Pranuan menjëherë, pasi nuk u hynte në punë.
Ju jeni arrestuar, çfarë mbani mend nga ai moment?
E mbaj mend mirë ishte mesnata e 14 tetorit 1996, dy ditë para ditëlindjes së vjehrrit tim Enver Hoxha. Isha në shtëpinë e vëllait që jetonte në Itali, kur dëgjova të trokitura të forta. Policët më thanë se duhet të shkoja me ta në Komisariatin numër 1. Aty përfundova në qeli dhe pasi më morën në pyetje më shtrënguan pranga gjermane në duar dhe me kapuç në kokë më dërguan në Komisariatin numër 2. Ku i jam nënshtruar një seancë të gjatë pyetjesh, që nuk kuptoja se çlidhje kishin me mua.
Tregoni diçka për seancën e pyetjeve? Çfarë pyetjesh ju drejtonin dhe cilët ishin personat që ju merrnin në pyetje?
Isha i ulur në një dhomë të madhe të zbrazët, gjysmë errësirë. Përballë, në distancë kisha disa persona të ulur që ishin të ndriçuar nga barku e poshtë dhe që shkruanin pyetjet dhe përgjigjet. Fytyrat e tyre nuk i pashë asnjëherë. Mbaj mend se më pyetnin për data, që vite më vonë mësova se ishin datat kur kishin ndodhur krimet për të cilat akuzohej "Hakmarrja". Mbaj mend datën 26 shkurt 1996, kur ishte vendosur bomba te supermarketi i "VEFA". Atë ditë ishte ditëlindja ime. Bashkëshortja, Pranvera më tha se duhet të dilja për të blerë diçka për fëmijët meqë kisha ditëlindjen. Dola nga pazari i ri dhe bleva ca fruta. Diku përballë Prokurorisë së Përgjithshme ishte një lokal i një mikut tim dhe meqë kalova ndalova të pi një kafe. Aty dëgjova shpërthimin. Unë nuk lëviza, por ai doli jashtë dhe kur u kthye tha se kishin shpërthyer ca bombola gazi. Sapo shkova në shtëpi pashë në televizor se çfarë kishte ndodhur dhe i thashë bashkëshortes, Pranverës dhe vajzës, që kisha qenë afër dhe nuk e kisha marrë vesh.
Më pyetën edhe se çfarë matjesh kisha bërë në malin e Dajtit me Orik Shytin dhe nëse kisha matur me metër apo me hapa. U thashë që nuk kisha matur gjë. Më pyetën nëse kisha shkuar ndonjëherë për gjah. U përgjigja se isha i pasionuar pas gjahut. Një pyetje tjetër që më kujtohet, ishte se nëse kisha parë ndonjë pistoletë të larë me serm dhe u thashë "Jo". Më pyetën edhe se ku e kisha vjedhur projektin e Pallatit të Kongreseve. Kjo ishte pyetja më e pakuptimtë që më bënë. Në një moment u them atyre që më merrnin në pyetje: "E kuptoj se kjo është politike, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, por më thoni mos e kam nga im atë?". Më thanë: "Babain tënd e njohim për burrë të mirë dhe nacionalist". U thashë që im atë që pas arratisjes nga burgu fashist kishte ikur në mal për të luftuar përkrah partizanëve. "Po Enver Hoxhën, si e njihni?", u thashë dhe nuk më kthyen përgjigje.
Më pyetën për çelësin e kasafortës time, të cilin e kishin rrëmbyer në shtëpi dhe e kishin sjellë në komisarit. U thashë t'ia kërkonin bashkëshortes time dhe ajo ua kishte dhënë. Në praninë time e hapën dhe duke mbajtur procesverbal shënuan se u gjetën 60 mijë lekë të vjetra, 50 mijë dhrahmi greke, fatura e ujit dhe fotokopjeve që bëja për shkak të punës si dhe mjaft projekte. Një kopje procesverbali ma dhanë me vete në qeli. Më pas më mbyllën në një qeli, ku mbaj mend se ishte ditë rrogash dhe se shihja policët që kalonin korridorit me lekë në dorë. Në një moment pashë një polic me një sasi të madhe parash që mbante me të dyja duart. Mendova se mund të ishte llogaritar, ndërsa shumë kohë më vonë mësova se këto para ishin fotografuar teksa futeshin e nxirreshin në kasafortën time. Ndërsa Ministria e Brendshme pohonte për 400 mijë USD, disa gazeta 600 mijë USD. Bashkëshortja ime i kishte mbledhur të gjitha, por unë megjithëse i kam të gjitha në shtëpi ende nuk kam lexuar asnjë. Më vonë, pas 1997-ës, mësova se unë isha akuzuar si teoricieni i organizatës dhe më pas si ekonomisti i saj. Mbaj mend se në fund të seancës së pyetjeve më dhanë të firmosja procesverbalet. Gjysmat i lexova përciptazi dhe i firmosa.
Më pas përfunduat në paraburgim. Për çfarë u akuzuat konkretisht? Si ishte një ditë e juaja në paraburgim?
Më nxorën para gjykatës. Seanca zgjati vetëm pak minuta ku u tha vetëm se, unë isha i rrezikshëm për shoqërinë dhe se duhet të izolohesha. Vetëm kaq. Nuk mora vesh asnjëherë për çfarë akuzohesha dhe çfarë krimi të "tmerrshëm" kisha kryer. Pas pak ditësh më dërguan në paraburgimin e Durrësit. Me thënë të drejtën unë nuk pashë gjë, pasi më vunë prangat gjermane dhe kapuçin në kokë. Kur m'i hoqën e pashë veten në një qeli 3 x 3 metër, me dysheme dërrasash. Aty kishte një dyshek kashte, një jastëk dhe një batanije të vjetër. Ishte skandal i vërtetë. Gjeta aty një shishe 1.5 litra me ujë. Një polic nuk e kuptova pse më dha pak sheqer. Pak orë me vonë e mora vesh mirë. Për një javë rresht mbajta shpirtin gjallë vetëm me atë ujë me sheqer, pasi nuk më dhanë asnjë lloj ushqimi, madje as ujë tjetër. Më lanë vetëm cigaret. Dera e qelisë time nuk hapej kurrë vetëm në orën 23:00 kur më nxirrnin në banjë me kapuç në kokë. Te dera ishte një vrimë ku nxirrja cigaren dhe një polic ma ndizte. Pas një jave filluan të më jepnin ushqim nga burgu. Në ajrim nuk më nxirrnin kurrë. Unë isha i urtë, nuk ndihesha për asgjë. Donin të më vinin pranga, m'i vinin. Donin të m'i hiqnin prangat, m'i hiqnin. Një herë i kërkova takim drejtorit të burgut dhe pasi erdhi i kërkova të më nxirrnin në ajrim. Pasi më bërtiti ai, më nxorën vetëm një herë. Ushqimet e familjes nuk m'i sillnin, ndërsa unë mendoja se edhe pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja ime dhe vajza vetëm 13 vjeç kishin përfunduar njëlloj si unë. Djalin e kisha në shkollë në Itali. Njëherë pyeta një polic: "E di që jeni urdhëruar për të mbajtur kështu, më thuaj pse jam këtu?". Ai më dha një përgjigje interesante: "Unë të njoh për të ditur, akoma nuk e ke mësuar pse ke ardhur këtu!".
Pra, thoni që jeni mbajtur në izolim të plotë edhe brenda qelisë. A pati ndonjë moment përmirësimi të gjendjes? Si rrodhën ngjarjet pas kësaj?
Duke parë këtë gjendje vendosa të filloj grevën e urisë. Greva zgjati 13 ditë dhe unë isha katandisur në vetëm 54 kilogramë. Mesa duket e panë punën shumë keq dhe më dërguan në Spitalin e Burgjeve në Tiranë. Këtu çdo gjë ishte ndryshe. Kisha një qeli me dhomë të madhe, me dritare. Flija në krevat me çarçafë dhe më vinte ushqim nga familja. Sërish isha vetëm, po kisha mundësi të ushqeja pëllumbat që silleshin aty, macet dhe minjtë që kalonin poshtë. Sapo merrja ushqimin e planifikoja se sa do ishte pjesa e tyre. Pëllumbave u hidhja thërrime dhe dy prej tyre vinin edhe në dritare. Nëse do kisha qëndruar më tepër mund t'i mësoja të hanin në dorë. Maceve ua hidhja në oborr, ndërsa minjve te vrimat e tyre dhe vrisja kohën për të parë nëse do dilnin dy më të mëdhenjtë për të marrë ushqimin apo ndonjë i vogël. Aty u informova se akuzohesha për "Hakmarrjen për Drejtësi". Një oficer ushtrie që ishte arrestuar për vjedhjen e armatimit nga një ushtar më tha se për çfarë akuzohesha. Deri ato momente nuk dija asgjë. Aty fillova të mësoj për vetën time! Derisa komunikova me të, dija se para pak ditësh se të arrestohesha kisha dëgjuar në lajme televizive për një organizatë "Hakmarrja Proletare", në fakt kështu e kisha fiksuar unë. Oficeri më tha edhe për firmat piramidale, që kishte rënë Sudja. Unë s'e kisha shumë idenë nga firmat, pasi kisha jetuar në Itali, por mbaj mend se Rrapush Xhaferri, kur u ktheva më kërkoi t'i bëja projektin e një hoteli që do ishte më i madhi në Ballkan. Ai nuk erdhi më dhe unë nuk e bëra kurrë një projekt të tillë. Pasi mësova për Suden mbaj mend se i thashë që të gjitha do binin.
Cili ishte komunikimi juaj me bashkëvuajtësit?
Unë nuk pashë asnjë të burgosur me sy, por komunikoja nga dritarja dhe më thërrisnin: "Profesor". Ndërsa trafikantët e ordinerët më thërrisnin: "Boso". Njëherë aty i kërkova një drejtuesi të lartë ndonjë libër dhe më tha se ishin të ndaluar. "Mirë i thashë më sill ndonjë libër fetar". Ai u çudit dhe më tha se nëse lexoja unë literaturë fetare. "Po, -i thashë, madje unë i kam lexuar Biblën dhe Kur'anin që në moshën 17-vjeçare". Ky e mbajti fjalën dhe më solli Kur'anin që e lexova me nge". Ditën që do bëja kontroll për zemrën më morën dhe më dërguan në qelinë time në Durrës. Gjërat aty ndryshuan. Ime shoqe i kishte shkruar letër kryeministrit dhe ai i ishte përgjigjur se ligji më mbante në burg dhe jo ai. Më vonë Gramoz Pashko më tha se për arrestimin tim ishte interesuar edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit Madlen Ollbrajt. Kjo ka përkuar në një kohë kur gjërat u përmbysën. Unë lejohesha të lëvizja korridoreve të qelive. As vetë nuk e kuptova atëherë, por më vonë e mora vesh.
Keni pasur avokat mbrojtës?
Kisha dy avokatë mbrojtës. Një avokat që ma kishte gjetur familja dhe mbesën time. Ata erdhën më takuan shumë kohë më vonë, pasi nuk lejoheshin. Në një moment më pyetën për procesverbalin e kasafortës. U thashë se e kisha në qeli dhe se isha matur qindra herë për ta grisur. Ata ma morën dhe ditën tjetër e kishte botuar gazeta "Koha Jonë". Botimi i saj ka përkuar me kthimin tim nga spitali pas grevës; interesimin e Ollbrajt; letrën e Pranverës për kryeministrin, çka të gjitha bënë që të ndryshonin gjërat për mua. Gjatë gjithë kësaj kohe mbrojtësit e mi i takova tre herë.
A është ushtruar dhunë ndaj jush, si silleshin gardianët dhe punonjësit e burgjeve me juve? Po ndonjë i burgosur që mund ta kontaktoje rastësisht?
Të them të drejtën asnjëherë policët nuk kanë shfaqur veprime dhune ndaj meje. Që kur më shoqëruan në komisariat, transferimet apo lëvizjet brenda burgut janë sjellë njerëzishëm me mua. Prangat më shtrëngonin duart sa nuk m'i këputnin, kurse policët me preknin sikur të isha kristal. Mbaj mend në një moment që po më transportonin nga Tirana në Durrës prangat më shtrëngonin, ndërsa shefi i policisë u grind me zëvendësshefin që kërkonte të mos më vinte pranga dhe kapuç. Në një moment zëvendësshefi tha se Enver Hoxha i kishte pushkatuar gjithë familjen, por ai nuk kishte asnjë arsye pse të sillej keq me mua. Mbaj mend se jam nxehur dy herë gjatë qëndrimit në qeli dhe qëllova derën me shkelm. Erdhi komandanti dhe më bërtiti. Shumë kohë më vonë e kuptova se ai, që është një burrë shumë i mirë, e bënte nga halli, pasi çdo gjë përgjohej dhe regjistrohej. Një herë më kontrolluan qelinë dhe më gjetën në një qese 3 biskota dhe 6 llokume që i mbaja ngaqë pija shumë cigare. Polici që i gjeti njoftoi shefin, ndërsa ai me neveri bërtiti: "Lërja". Ndërsa të burgosur nuk kam kontaktuar asnjëherë gjatë qëndrimit pesëmujor në paraburgim.
Çfarë mbani mend nga momenti i lirimit tuaj? Kur u liruat? Cili ua komunikoi dhe çfarë veprimesh e procedurash u kryen?
Duhet të ketë qenë data 12 mars kur dikush hapi fjalë se avokat Spartak Ngjela ka thënë se, do hapet burgu dhe të burgosurit do lihen të lirë. Mua më erdhën në qeli dhe më vunë pranga dhe kapuç në kokë. Nuk bëra zë. Diku disa qeli më tej dëgjova ulërima. Më vonë mësova se ishte Pasho Novruzaj i "Hakmarrjes" që bërtiste: "Nuk dua t'i vë prangat, po deshët thërrisni grupin e gatshëm". Pas kësaj edhe unë nisa të bërtas se kuptova që vetëm mua më kishin vënë pranga dhe kapuç, pasi nuk kishin guxuar të preknin me dorë asnjë të burgosur. Pas ulërimave, ku ishte rasti i dytë që gjatë 5 muajve në qeli bërtisja, erdhi drejtori i paraburgimit dhe mbaj mend se i thashë instinktivisht: "Dëgjo se më gjeti gjë mua, do e paguash ti këtë". Ai u tremb dhe filloi të dridhej, ndërsa po ikte. Pas 10 minutash erdhi sërish dhe më tha: "Urdhri i dytë e anulon të parin. Hiqjani prangat". Mbaj mend se gardiani përgjegjës kishte një tufë çelësash në dorë dhe po i dridheshin duart, ndërsa provoi të gjithë çelësat e prangave derisa i gjeti. Na thanë të dilnim në oborr. Unë dola i fundit dhe mbeta pa këpucë. Kjo për faktin se në qeli nuk na lejonin këpucë. Që kur hyra në burg m'i morën këpucët dhe më dhanë një palë shapka. Të tjerët që kishin dalë më parë m'i kishin marrë. Kështu që mbeta me shapka. Kudo nëpër Durrës dëgjoheshin krisma. Një rresht policësh dhe oficerësh të armatosur ishin vendosur përgjatë murit dhe qëllonin me breshëri zinxhir mbi kokat tona. Mbaj mend se një i burgosur, që s'e kisha parë kurrë dhe që nuk e njihja, më tha se isha në të njëjtën çështje me të dhe më këshilloi të qëndroja në mes të turmës. Instinktivisht u futëm të kalonin në rresht me vrap, poshtë plumbave, midis murit dhe policëve dhe nuk e di si nuk rashë përtokë. Nëse do kisha rënë përtokë me siguri që do më kishin shkelur me këmbë bashkëvuajtësit që përpiqeshin të gjithë të largoheshin me vrap drejt një të çare në murin rrethues. Për punë dokumentesh nuk bëhej fjalë në atë rrëmujë. E pashë veten i lirë. Deri në Rrashbull kam ecur në këmbë me shapka. Mbaj mend se kisha 20 mijë lekë të vjetra. Pranvera ia kishte dhënë një polici dhe ai m'i dha. Në Rrashbull gjeta një taksixhi dhe i thashë nëse do më sillte në Tiranë me 20 mijë lekë. Pranoi dhe erdha në shtëpi. Këta nuk më prisnin...
Çfarë ju ka mbetur merak nga ajo kohë?
Vetëm fakti që nuk njoh personat që më arrestuan dhe që më morën në pyetje. Jo për gjë, por vetëm thjesht për faktin se unë takoj dhe përshëndes me përzemërsi të gjithë njerëzit. Ndoshta mund t'i kem takuar edhe këta persona. Nëse do i njihja kush janë, të paktën të mos i takoj me zell. Më ka mbetur merak gjithashtu, që pas gjithë kësaj vuajtjeje askush nuk u kujtua për mua të më merrte në pyetje dhe të më komunikonte akuzat, që as sot nuk i di se cilat janë. Çuditem kur mendoj se hyra në burg dhe dola dhe ende, pasi kanë kaluar më tepër se 11 vjet nuk e di çfarë kam bërë që më arrestuan.
Dosja “Hakmarrja”, pritet vendimi i gjykatës
TIRANE - Pak ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda përfundoi shqyrtimin e provave dhe pretendimeve të palëve në procesin "Hakmarrja", ndërsa tashmë pritet të paraqesin konkluzionet edhe disa nga të pandehurit, pas së cilës pritet të shpallet vendimi. Procesi "Hakmarrja" na nisur në tetor të vitit 1996, pak ditë para zgjedhjeve të pushtetit lokal, kur u arrestuan rreth 200 persona, ndërsa pati një moment pauze gjatë vitit 1997 për shkak të rrëmujave të asaj kohe. Tashmë kjo çështje llogaritet të jetë më e gjata në drejtësinë shqiptare. Në vitin 1998 me këmbënguljen e familjarëve së të akuzuarve çështja u dërgua për gjykim, vetëm për 10 anëtarë dhe një të vdekur, dhe pas pesë vitesh shqyrtim Gjykata e Tiranës vendosi të pushonte gjykimin ndaj tyre. Prokuroria që kishte kërkuar tërheqjen e akteve për plotësim hetimesh e ankimoi çështjen në Apel, ku Shkalla e Dytë vendosi ta rikthente në organin e akuzës. Krijimi i Gjykatës për Krime të Rënda u bë shkak që çështja të dërgohej për kompetencë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila pasi kreu disa veprime të tjera vendosi t'i hiqte 7 akuza "Hakmarrjes" për t'i lënë përfundimisht vetëm 17. Tashmë kreu i organizatës, Orik Shyti dhe një prej anëtarëve Kreshnik Spahiu kanë fituar azil politik në Zvicër. Dy vëllezërit Pasho dhe Nikolin Novruzaj ndodhen në Holandë, ndërsa Altin Arapi në Belgjikë. Dy prej tyre, Gëzim Gjoni dhe Dritan Hate, ndodhen të lirë, pasi u ka skaduar paraburgimi. Në kërkim tashmë ndodhet vëllai i Orikut, Laerti, kushëriri i tyre Roland Shyti dhe Gentian Caka. fa.ma
Shamata: Kolaneci, financier i “Hakmarrjes”
TIRANE - Klement Kolaneci, dhëndëri i ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha u arrestua mesnatën e 14 tetorit 1996, ndërsa ndodhej në banesën e vëllait të tij, i cili ishte larguar si emigrant në Itali. Policia e kryeqytetit, e cila e kishte vënë në survejim prej ditësh organizoi një operacion sekret në mesnatë, duke e dërguar në qeli arkitektin e njohur, bashkë me rreth 200 persona të tjerë të akuzuar si anëtarë të "Hakmarrjes". Para momentit të arrestimit, Kolaneci akuzohej të ishte një nga ideatorët e "Hakmarrjes", ndërsa pas rënies në pranga roli për të u ndryshua në "arkëtar". Zyrtarisht akuza për të ishte se kishte projektuar një fabrikë për përpunimin e narkotikëve për llogari të dy djemve të Aredin Shytit, Orikut dhe Laertit në zonën e Dajtit. Po kështu, ai u akuzua edhe për administrimin e shumave të parave, për grabitjen e të cilave akuzohej "Hakmarrja". Në një konferencë për shtyp ish-ministri i atëhershëm i Brendshëm Halit Shamata, pasi e quajti sukses arrestimin e mbi 200 personave, përmendi personalisht Kolanecin, duke e akuzuar si një nga krerët e organizatës. "Degën Financiare të organizatës e kanë drejtuar Nikolin Novruzi, Gentian Caka e Kreshnik Spahiu, e cila ka pasur si qëllim sigurimin e burimeve financiare për veprimtarinë e organizatës. Kjo degë ka qenë iniciatore e hartimit të planit të grabitjeve përmes vrasjeve dhe rrëmbimeve... Në shumën e grabitur llogariten 1 milion dollarë. Paratë e grabitura, (tani të bllokuara) janë ruajtur në kasafortën e Aredin Shytit, kasafortë e cila u gjend në banesën e Klement Kolanecit, gjë e cila tregon një nga elementet e lidhjes dhe të bashkëpunimit të dhëndrit të diktatorit Enver Hoxha me organizatën kriminale". Pas kësaj Kolaneci përfundoi në paraburgim ku qëndroi për pesë muaj, ndërsa pas hapjes së burgjeve në mars të vitit 1997, nuk iu rikthye askush akuzave ndaj tij. Ende nuk ka asnjë vendim për pushimin e tyre apo vazhdimin e hetimeve. Ndërsa më pas rezultoi se në kasafortë ishin gjetur vetëm 60 mijë lekë të vjetra dhe 50 mijë dhrahmi greke. Por edhe përsa i përket akuzës për projektimin e fabrikës së narkotikëve, rezultoi i pavërtetë pasi as Prokuroria, as Gjykatën e Tiranës dhe më pas as Gjykata e Krimeve të Rënda, nuk ngritën kurrë një akuzë të tillë ndaj "Hakmarrjes". fa.ma