E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekt për semaforët në rrugët kryesore

SHKODËR - Pas dështimit të projektit 8 vite më parë, Bashkia e Shkodrës kërkon të rivendosë në punë semaforët, të paktën në tre prej kryqëzimeve më problematike të qytetit. 

Fondi i dikurshëm prej 30 mijë dollarësh dështoi, pasi semaforët e vendosur u ndezën vetëm një herë. Ndryshimet e ndodhura në infrastrukturë, ndërprerjet e herëpashershme të energjisë elektrikë apo vendosja në mënyrë jo të sistemuar të udhëheqësve të trafikut, kanë bërë që tani këta semaforë të mos jenë funksionalë. Përballë fluksit të madh të lëvizjeve, rritjes së numrit të aksidenteve automobilistike, Bashkia e Shkodrës ka nisur punën për hartimin e një projekti të mirëfilltë. Sipas kryebashkiaku Luka, për realizimin e këtij projekti, që synon instalimin e sinjalistikës rrugore në përgjithësi dhe të semaforëve në veçanti, krahas specialistëve të Bashkisë është kërkuar ndihma e specialistëve të Ministrisë së Transportit dhe të Policisë së Qarkullimit Rrugor. Sipas Lukës, projekti do të realizohet duke u mbështetur në planin e zhvillimit të Shkodrës, si dhe mbi bazën e zbatimit të projektit për unazën e qytetit. Pritet që së shpejti projekti të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.                                          r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›