E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhënia e monumenteve me qira, specialistët: Po trajtohen si magazina

Tiranë- Nisma e dhënies së monumenteve të kulturës me qira, një nismë kjo e Institutit të Monumenteve, i cili ka hartuar një listë tanimë, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës dhe kryeministrit Berisha, ka mbërritur në Komisionin Kuvendor të Medias.

Kjo qe një seancë dëgjimore e kërkuar nga përfaqësues të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Historike të cilët ngritën shqetësimin si specialistë dhe qytetarë, me theksin te rreziku serioz që i kanoset monumenteve më të rëndësishme të vendit.

Mësohet se nuk ka një nismë ligjore dhe as ndërhyrje në ligjin e trashëgimisë kulturore për dhënien e munumenteve me qira. Dhe sipas Artan Lames ky është një tjetër shqetësim shumë i madh.

Jemi përballë një skandali të madhe-thekson Lame përpara ligjvënësve të komisionit kuvendor. Ministria e Kulturës nuk ka ndër mend të ndërmarrë një nismë ligjore për këtë çështje dhe as të ndërhyjë në ligjin Për trashëgiminë kulturore, pasi sipas saj ka një ligj që rregullon dhënien me qira të objekteve”- vijon më tej Lame.

“Por pikërisht këtu është çmenduria, që monumentet nuk mund të trajtohen njësoj si repartet ushtarake dhe magazinat që shteti i jep me qira- shton ai.

E në këtë listë që rreshton rreth 40 objekte, rreshtohen kështjellat më të rëndësishme të vendit. Bëhet fjalë për kështjella siç është ajo e Lezhës, dhe dhjetra të tjerave të cilat janë në krye të listës për nga rëndësia. E për ironi, gjenden edhe në krye të kësaj liste të hartuar nga kupola e monumenteve dhe që presin miratim nga Ministria e Kulturës.

Sikundër thekson studiuesi Lame: Nëse shohim që një tender për një rrugë apo për një urë nuk zbatohet siç duhet, zgjedhim të prishim kontratën e të bëjmë një tender tjetër për ta bërë atë siç duhet, humbasim vetëm para, në rastin e monumenteve mund ta prishim kontratën, mund ti çojmë këta njerëz edhe në burg, por nuk do fitojmë asgjë sepse trashëgiminë e degraduar nuk mund ta kthejmë pas. Çfarë zhbëhet, nuk kthehet më pas.

Lorenc Bejko, një tjetër studiues ndër më të zëshmit në vend, thekson: Përveçse në këtë listë gjenden objektet më të rëndësishmet tonat, përvoja e mëparshme në Shqipëri na ka treguar se mekanizmat e kontrollit janë inekzistentë. Institucionet shtetërore nuk kontrollojnë dot ndërhyrjet e subjekteve private, çka do të thotë se monumentet janë drejt shkatërrimit të sigurtë.

Por çna sjell përvoja evropiane për këtë çështje. Sipas studiueses Iris Pojani, në vitin 2005 Asambleja e Këshillit të Evropës është mbledhur dhe ka emetuar rekomandime të qarta për këtë çështje, të shqetësuar nga ajo që kishte ndodhur në Itali e gjetkë. Janë rekomandime të qarta, për tu larguar nga këto shembuj të kontrollit të objekteve të kulturës tërësisht nga subjekte private. Dhe qeveria shqiptare është bërë palë e këtyre rekomandimeve të Asamblesë së KE-së në vitn 2005. Unë se kuptoj se si në vitin 2012-të vijnë këto propozime absurde për një çështje e cila nga qeveria shqiptare është cilësuar e mbyllur.

Në thelb të kundërshtisë publike të këtyre dy muajve, prej shpalljes nga Ministria e Kulturës si prioritet rivitalizimi i monumenteve dhe hartimi i një liste për monumentet që do të jepeshin me qira subjekteve private, shqetësimi i specialistëve ka qenë, shkatërrimi i trashëgimisë pasi është dëshmuar përgjatë këtyre viteve se mungojnë mekanizmat e kontrollit.

Kryetarja e këtij komisioni, Valentina Leskaj në mbyllje të kësaj seance dëgjimore theksoi se për këtë çështje, në një seancë të mëvonshme do të thirrej edhe Ministri i Kulturës Aldo Bumçi për të sqaruar më tej këtë nismë, sipas së cilës disa monumente do të jepen me qira për një periudhë deri 100-vjeçare.

Anisa Ymeri

Shkrime të tjera me interes:

  1. Specialistët: SOS për monumentet me qira Arkitekti Artan Shkreli: Dorëzim pa kushte i shtetit Lista e...
  2. Rivitalizimi i monumenteve dhe turizmi, prioritete të MTKRS-së Rivitalizimi i monumenteve të kulturës do të jetë një ndër...
  3. Monumentet me qira! Arkeologu Ceka: Më të rrezikuara po ti lëmë djerrë Pak përpara se të miratohet dhe të bëhet publike lista...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›