Dhërmi, Berisha thyen rekordin në not (VIDEO)
Ne nje njoftim te Kryeministrise jepet nje lajm i rendesishem: kryeministri Berisha ka thyer rekordin e tij ne not te vendosur gjate vitit te kaluar.
Me poshte eshte njoftimi i Kryeministrise per kete ngjarje, e cila bën kujdes për të treguar se lajmi është publikuar nga mediat, dhe jo të jetë shpërndarë nga ana e zyrës së kryeministrisë, ashtu siç në fakt ka ndodhur vërtet:
“Edhe këtë vit, Kryeministri Berisha ka zgjedhur sërish bregdetin e Dhërmiut për të kaluar disa ditë pushimi. Kryeministri Berisha ndodhet në Dhërmi së bashku me familjen e tij, si dhe me nipërit dhe mbesat me të cilët është shumë i lidhur.
Ashtu si edhe një vit më parë, aktivitet kryesor të tij ai ka pasur notin. Sot ai zhvilloi garën e tij tradicionale me veten e tij, garë gjatë të cilës Kryeministri theu rekordin e tij të një viti më parë. Ai notoi plot 132 minuta kundrejt 127 minutave të një viti më parë. Gara filloi në ora 11.00 dhe u mbyll pas 132 minutave, pra në orën 13.12 minuta. Vëzhguesit e garës thanë se ajo zgjati më shumë se 132 minuta, por vetë Kryeministri preferon të deklarojë si kohë noti 132 min dhe reston ta lerë për vitin tjetër.
Kryeministri Berisha nuk dëshironte ta bënte publike këtë veprimtari të tij private, por rrjedhja e informacionit në media bëri që Zyra e Shtypit ta zbardhë të vërtetën rreth këtij aktiviteti.
Pushimi në Dhërmi gjatë sezonit veror për Kryeministrin Berisha është kthyer në një ritual pothuajse të përvitshëm, duke mbetur një nga të paktët politikanë të vendit që zgjedh si destinacion për të kaluar pushimet gjithmonë bukuritë natyrore të Shqipërisë”, thuhet ne njoftimin e Kryeministrise.
Sqarim i rëndësishëm: Ky lajm nuk bën pjesë tek rubrika satirë, është serioz.
