Dhimbja e pranishme, më shumë te gratë se te burrat
Që mamatë apo bashkëshortet të mos vuajnë nga dhimbjet e trupit, apo lodhja nervore, mirë është mos t‘i shqetësojmë që të mos vuajnë më vonë. Gratë janë ato që vuajnë më shumë nga lodhja nervore, nga dhimbjet e trupit, nga pagjumësia, nga humbja e qetësisë dhe rritja e nivelit të stresit. Çdo ditë njerëz normalë apo pacientë ankohen për dhimbjen e trupit, pagjumësi, lodhje më tepër në mëngjes se në darkë, mungesë dëshire e aktivitetesh si në punë, ashtu edhe gjatë ditës. Zakonisht mjeku në vizitën e parë do të thoshte që kjo është lodhje nervore, por sipas shoqatës shqiptare të dhimbjes, kjo quhet fibromialgji. "Në vendin tonë, rreth 30% e femrave dhe 7-15% e meshkujve ankohen nga kjo lloj dhimbje", tha kreu i Shoqatës shqiptare të Dhimbjes, Apostol Vaso. Sipas tij, dhimbja eropatike shkaktohet nga vuajtja nervore. Në institucionet tona shëndetësore, mjekët, që nuk e kanë bërë në shkollë këtë si lëndë, përshkruajnë preparatet klasike si analginë, morfinë etj., për trajtimin e saj, ndërsa i sëmuri, edhe pse i merr këto ilaçe, përsëri ndjen dhimbje. Ka dy lloj dhimbjesh: akute, që vjen si rezultat i një dëmtimi indor, si dhe ajo kronike, që vazhdon dhe pas shërimit dhe ka një karakteristikë, që është aspekti kohor. Në rast se një dhimbje zgjat dy-tre muaj, ajo tenton të kalojë në dhimbje kronike dhe nuk është më një simptomë, por një sëmundje. Në 2001, Federata Evropiane e Dhimbjes e ka deklaruar këtë si një problem madhor në shërbimin shëndetësor të të gjithë Europës dhe që prej atëherë janë bërë hapa të mëdha në futjen e trajtimit të dhimbjes në sistemin shëndetësor si specialitet më vete. Viti 2009 është viti i dhimbjes së kancerit, ndërsa në të gjithë botën po ndërmerret një fushatë për këtë dhimbje, si dhe për atë të fibromialgjisë. Aktualisht, institucionet ndërkombëtare përllogaritin dhimbjen si problemin më të madh si në aspektin e uljes së performancës, ashtu dhe në atë të invaliditetit.