E Diel, 1 Nëntor 2026

Përleshje me armë në mes të Urës Vajgurore, pa viktima

Përplasen me armë dy grupe të rinjsh, policia ende në kërkim të autorëve. Burime të policisë së Qarkut Berat bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në qendër të qytezës së Urës Vajgurore, ndërsa sherri mes të rinjve kishte nisur mbrëmjen e së enjtes. Të njëjtat burime njoftojnë se rreth orës 11:30 të paradites së djeshme, në qendër të qytezës së Urës Vajgurore, përpara godinës së "Albtelekom", nga një makinë e zezë tip "Chrysler", me targa të huaja, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një makine tip "Golf", me targa të Kuçovës 3113B, që ishte duke shëtitur në bulevard. Mësohet se ndaj kësaj makine është qëlluar disa herë, ndërsa shoferi ka vijuar rrugën deri në dalje të qytezës. Blutë e Kuçovës, pasi janë informuar për përplasjen me armë, janë vënë në ndjekje të dy mjeteve, ndërkohë që ende policia nuk ka mundur të prangosë autorët. Uniformat blu arritën të bllokojnë në lagjen "Kala" të qytetit të Beratit, mjetin tip "Chrysler" që ishte braktisur prej drejtuesit. Burime të komisariatit të këtij qyteti bëjnë të ditur se dyshohet që një nga personat i cili hapi zjarr është Arben Vrapi, 27 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Fermë-Partizan, në qytetin e Kuçovës. Ky i fundit, sipas informacioneve të siguruara në rrugë operative, është grindur mbrëmjen e së enjtes me Renato Gjonin, 25 vjeç, banor i fshatit Kozare në Kuçovë, mjeti i të cilit është qëlluar dje paradite. Të dy të rinjtë janë grindur në një lokal në fshatin Kozare, gjatë mbrëmjes së të enjtes, për motive ende të panjohura. Policia ka deklaruar se dy personat që mendohet të jenë autorë të këtij sherri dhe përplasjes me armë janë shpallur në kërkim, ndërkohë që në këtë ngjarje dyshohet të jenë përfshirë dhe persona të tjerë, ende të paidentifikuar. Në vendin e ngjarjes policia ka bllokuar tri gëzhoja që janë shkrepur nga një armë tip pistoletë dhe po punohet për të zbardhur motivet e plota të kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›