Donte të shuante etjen, vdes duke hapur pusin
Tenton të hapë një pus, vdes i asfiksuar 45-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë, në fshatin Grudë e Re të Shkodrës, në kohën kur Luigj Pepaj tentonte të dilte nga pusi që kishte hapur 30 metra thellë nën tokë. Sipas dëshmitarëve okularë në vendin e ngjarjes, 45-vjeçari ka punuar në fund të pusit dhe kur ka tentuar të dilte jashtë, për shkak të mungesës së oksigjenit ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në fund të tij. Banorët e zonës kanë tentuar të hyjnë në pus për t‘i dhënë ndihmën e parë, duke vënë në rrezik jetën e tyre, por pa rezultat. Gjatë tentativës për të hyrë në thellësinë e pusit, një 18-vjeçar ka marrë disa plagë të lehta. Në këto rrethana, policia ka bllokuar hyrjen e pusit ku ndodhej viktima në pritje të forcave RENEA, që kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit pajetë të 45-vjeçarit Pepaj. Zona ku ndodhi ngjarja, prej 20 vitesh vuan nga mungesa e plotë e ujit të pijshëm. Rreth dymijë banorë të kësaj zone janë të detyruar të sigurojnë ujin e pijshëm duke hapur puse me mjete rrethanore, jashtë çdo kushti të sigurisë teknike.