E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Kekës, ende asnjë i dyshuar

otivet e vrasjes së kreut të Partisë Demokristiane në rrethin e Malësisë së Madhe mbeten ende mister. Zhurma e ditës së krimit ka filluar të fashitet dhe organet e drejtësisë kanë filluar hetimet sipas procedurave standarde, duke mos përjashtuar asnjë pistë hetimi, e duke mos vënë theksin mbi asnjë nga pistat që janë hapur në tavolinë.

Një ditë pas atentatit me eksploziv të telekomanduar, policia e Shkodrës ka marrë në pyetje 55 persona që janë dëshmitarë okularë dhe të njohur të Aleksandër Kekës. Burime konfidenciale nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur për gazetën se në komisariatin e policisë janë shoqëruar 20 persona të cilët njihen si miq të ngushtë të viktimës, ndërsa 35 persona të tjerë janë intervistuar në banesat e tyre në Bajzë, Koplik dhe Shkodër.

Sipas të njëjtave burimeve, nga të intervistuarit nuk ka dalë asnjë detaj i dyshimtë për të kuptuar se viktima kishte konflikte. Madje, pothuajse të gjithë të pyeturit thonë të njëjtat fjalë: "nuk dihej të kishte konflikt dhe ishte njeri që u shmangej sherreve dhe kishte shumë shoqëri me të gjitha moshat".

Ndërkohë, në lidhje me ecurinë e hetimeve burime nga grupi hetimor pohuan për gazetën se është përcaktuar tashmë se sasia e eksplozivit, rreth 100 gramë C4, ishte vendosur brenda makinës, pranë ndenjëses së shoferit. Në bazë të thënieve të të intervistuarve, mësohet se viktima e linte makinën hapur për shkak të sigurisë që kishte dhe për këtë arsye, atentatorët e kanë pasur shumë të lehtë të fusin eksplozivin.

Për herë të fundit, makina e Aleksandër Kekajt ka qenë e parkuar pranë një fushe futbolli dhe dyert kanë nuk kanë qenë të mbyllura me çelës, ndërkohë që vetë Aleksandri po luante futboll me shokët.

Mendohet që lënda eksplozive e llojit C4 është vendosur në pjesën e brendshme të makinës mes dy ndenjësve të para. Ekspertët kanë arritur në këtë përfundim, pasi kanë parë se dëmtimi i shkaktuar nga eksplozivi ka krijuar një të çarë të madhe në mes të makinës. Sipas ekspertëve, drejtimi i shpërthimit ka qenë nga brenda jashtë në drejtim të asfaltit dhe ku është krijuar dhe një gropë nga forca shpërthyese e eksplozivit.

Është përcaktuar gjithashtu se lënda plasëse është aktivizuar me telefon celular nga distanca. Ekspertët thanë gjithashtu se ekziston mundësia që njeriu që aktivizoi minën mund të ketë qenë duke e ndjekur viktimën nga një distancë jo shumë e largët. Kjo shpjegon sipas ekspertëve faktin që shpërthimi ka ndodhur në një zonë ku nuk ka banesa dhe në një kohë kur në rrugë nuk ka pasur makina të tjera.

Por konkluzionet e fundit të ekspertëve të grupit hetimor nuk mund të ndihmojnë në gjetjen e autorëve të atentatit. Përkundrazi, konstatimi se atentati ka qenë shumë i sofistikuar do të thotë që mundësitë për gjetjen e autorëve janë shumë të vogla.

Zyrtarisht, policia pranon se nuk ka ende asnjë të dyshuar për këtë vrasje në vigjilje të zgjedhjeve për Parlamentin e ri dhe se të gjitha pistat e hetimit, përfshi motivet politike, janë duke u shqyrtuar me seriozitet maksimal.

Tradita

Njerëzit me influencë vendosin për zgjedhjet

Si sigurohen votat

kolektive në alësi

Ngjarja e ndodhur së fundmi dhe etiketimi i saj si krim politik ka sjellë në vëmendje mënyrën se si funksionon politika në zona të thella malore të Shkodrës, Malësinë e Madhe e krahinave të tjera të vendit. Në këto zona është votuar tradicionalisht në mënyrë kolektive, pikërisht në atë mënyrë për të cilën përfaqësuesit e OSBE-së në Tiranë tërhoqën vëmendjen pak ditë më parë. Zakonisht është burri i shtëpisë ai që vendos për votën e gjithë familjes dhe më tej, janë personat më me influencë në fis, ata që vendosin për votat e tërë fisit. Për këtë arsye, partitë politike kanë ndërtuar strategjitë e tyre për të mbledhur vota në zona të tilla. Kështu, nëse kërkon vota në malësi, duhet të marrësh fjalën e pleqve dhe njerëzve që kanë influencë në zonë. Kandidatët për deputetë bëjnë takime me kryepleqtë dhe njerëzit me influencë, pasi këta të fundit më pas kanë ndikim direkt jo vetëm te familjarët e tyre, por te gjithë meshkujt e fisit. Në këtë mënyrë duhet të kesh marrë miratimin e pleqve që të kesh vota të sigurta. Kjo është një metodë e aplikuar gjerësisht në zonat e thella të Malësisë së Koplikut dhe të Shkodrës. Aleksandër Kekaj ishte një person me shumë influencë në zonë, për shkak të fisit të madh dhe pasurisë së grumbulluar, ndaj ai shihej nga të gjitha forcat politike në garë si një aleat i mirë për të realizuar objektivat. Rreth 70 për qind e familjeve në zonat malore të Qarkut të Shkodrës votojnë kolektivisht.

Kandidati i PD-së, Paulin Stërkaj: Ndoka e përdori politikisht ngjarjen. Leksi ishte miku im

Thirrje për t‘u larguar nga

lufta politike në funeralin e Kekës

Trupi i pajetë i Aleksandër Kekës është përcjellë dje pasdite për në banesën e fundit. Në ceremoninë mortore merrnin pjesë, përveç banorëve të zonës, edhe krerët e Partisë Demokristiane politikanë të forcave të ndryshme politike, si kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Paulin Sterkaj, dhe kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Tom Doshi. Të afërmit e të ndjerit kanë kërkuar dje t‘u jepet fund deklaratave politike në lidhje me ngjarjen, madje pikërisht për këtë arsye mësohet se ka pasur edhe disa incidente mes familjarëve dhe gazetarëve që kanë ndjekur nga afër ceremoninë.

Pak minuta pasi është kryer ceremonia mortore, në një komunikim me mediat, kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Paulin Stërkaj tha se "Leksi ishte një shok i vjetër dhe i mirë i imi. Kemi bashkëpunuar shumë në fushatën e vitit 2005. Kjo është një ngjarje e rëndë dhe i shpreh ngushëllimet familjes. Prokuroria të zbardhë ngjarjen e të mos ndikohet nga partitë".

Stërkaj, i cili u akuzua në mënyrë të tërthortë nga krerët e Partisë Demokristiane si i përfshirë në këtë vrasje, tha dje se deklarata të tilla janë fyese edhe për komunitetin e zonës. Sipas tij, Nard Ndoka e përdori politikisht këtë ngjarje të rëndë dhe me këtë i fyeu rëndë banorët e Malësisë së Madhe. "Kjo do të kthehet në bumerang për PDK-në", tha Stërkaj, i cili tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë për të zbardhur sa më parë këtë krim të rëndë.

Ndërsa Dashamir Shehi, një nga krerët e Polit të Lirisë, ku bën pjesë edhe PDK-ja, tha se "në fillim dua t‘i shpreh ngushëllime familjes. Është ngjarje tepër e rëndë dhe kjo është fryt i gjuhës së ashpër të politikës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›