E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosin klientin, arrestohen dy vëllezër

Plagosin me thikë klientin, pranga dy vëllezërve dhe pronarit të lokalit. Burime nga policia e Qarkut të Dibrës bëjnë me dije se, rreth orës 22:30 të së enjtes, në fshatin Sohodoll të Rrethit të Dibrës, vëllezërit Xhediku kanë plagosur me thikë një bashkëfshatarin e tyre. Të njëjtat burime referojnë se vëllezërit Sajmir Xhediku, 34 vjeç dhe Mahmud Xhediku, 31 vjeç, kanë qenë duke pirë në lokalin e fshatit, në pronësi të Subi Merdinit. Mësohet se në lokal ata kanë qenë të shoqëruar nga 39-vjeçari Ndriçim Çela. Sipas policisë, në pije e sipër, mes vëllezërve Xhediku e pronarit të lokalit nga njëra anë dhe 39-vjeçarit Çela nga ana tjetër, ka nisur një grindje e çastit, e cila është acaruar deri në përdorimin e thikave. 39-vjeçari Ndriçim Çela ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për në spitalin e Peshkopisë, për t‘u mjekuar. Mësohet se i riu është duke marrë trajtim të specializuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa dy vëllezërit Xhediku dhe pronari i lokalit janë ndaluar nga policia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›