E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhimbja për djalin, Moisiu: Lajmin e aksidentit ma dha Nano

TIRANE - Kur i përmend Admirin, i mbushen sytë me lot. Nuk e jep veten, kthen kokën mënjanë dhe përtyp lotët që ia hidhëroi humbja e djalit të tij të vetëm. Dhimbje ka shumë, por dhimbja nuk e ka mposhtur asnjëherë. Ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu vjen në pjesën e dytë të rrëfimit të tij për "Gazetën Shqiptare", me momentet më të vështira në jetë. 
(Vijon nga numri i shkuar) 

Po medalja e artë, ju kënaqi?
Sigurisht, ishte arritje shumë e madhe. Akademia ishte shumë e vjetër, 250-vjeçare. Kanë studiuar shumë personalitete aty, mes të cilëve dhe Dostojevski. Ajo të përgatiste si inxhinier dhe ushtarak dhe titulli në diplomë kështu ishte. Më kujtohet që kur isha president, do të shkoja në Rusi në 2005-ën për 60-vjetorin e përfundimit të Luftës II Botërore. Nëpërmjet kanaleve diplomatike iu kërkua Ministrisë së Jashtme ruse të vizitoja Akademinë. Rusët janë të rreptë në këto drejtime, kanë rregulla e s'mund të shkojë kushdo e kurdo në një institucion, e mirë e kanë në fakt, se edhe kështu, han me shumë porta siç jemi bërë neve, s'duhet. Më pritën shumë mirë. Në hyrjen kryesore të Akademisë ata kanë të vendosura disa pllaka mermeri ku janë shënuar emrat e studentëve që përfundonin studimet në vite me medalje ari. Pashë me kuriozitet për emrin tim, pasi mendova se mbas prishjes me rusët, çfarë s'mund të kishte ndodhur, por në fakt, në pllakën e vitit 1958, kur kam përfunduar Akademinë, emri im ishte.
Një jetë keni shërbyer në ushtri. Mund të na thoni si ishte të punonit si zv/ministër i Mbrojtjes në vitet '81-'82; kohë shumë të vështira mund të cilësohen?
Në atë kohë ishte shumë e vështirë të arrije një stad të caktuar në moshë të re dhe unë, kur u bëra drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes më 1971-in, isha sapo kisha bërë 40 vjeç. Mua më konsideronin shumë të ri ndërsa sot, 40 vjeç duan të bëhen presidentë e 30 vjeç kryeministra. Kolegët e mi më shikonin vëngër sepse ata ishin te të 50-tat, kishin pasur përvojë shumë më të madhe se unë, në luftë kishin qenë me përgjegjësi komanduese. Kështu që mua m'u desh të punoja shumë për t'u pranuar në sofër si i barabartë mes të barabartëve. Kam qëndruar 10 vjet drejtor i xhenios dhe i fortifikimit, deri në vitin 1981. Pas vdekjes së tim eti, u emërova zv/ministër. Atëherë isha mbi 50 vjeç. Ishte punë me përgjegjësi që s'të jepej lehtë.
Po them një vit i vështirë, pasi situata ishte jo e mirë, kryeministri vrau veten. Dolën të tjera grupe armiqësore?
Unë u emërova në fund të prillit, ndërsa Mehmet Shehu e vrau veten në dhjetor të atij viti. Ajo ishte situatë shumë e vështirë në fakt. Me historinë këtu po bëhen zullume. Po fusin duart edhe ata që s'marrin vesh, aq më tepër politika, më keq se në kohën e Partisë së Punës. Historia s'bëhet me gjykime, por me ngjarje faktike. Pas vetëvrasjes së tij s'po u merrte vesh çfarë do të ndodhte. Kadri Hazbiu ishte ministër i Mbrojtjes në atë kohë. Enver Hoxha me marifet e vuri në gjumë. Në janar 1982 doli një letër e KQ ku lavdërohej ushtria dhe në ministri erdhi vetë Hekuran Isai për të treguar se Kadriu ishte i besuar. Mirëpo pas disa muajsh, në korrik botohet një letër nga Komiteti Qendror që u bënte apel organizatave të partisë që të gjithë komunistët duhet të flisnin. Më kujtohet një shprehje e kësaj letre që thoshte: "Shqyeni gurmazin", çka nënkuptonte: "Flisni çfarë dini për eprorët tuaj" dhe çdo gjë mblidhej nga Sigurimi për t'u përgatitur dosja për secilin. Më kujtohet mbledhja e organizatës bazë ku bëja pjesë dhe unë. Gafurr Çuçi ishte drejtor i KQ-së për ushtrinë dhe pashë që pikësynimi ishte tek unë. Të nesërmen doja të takoja ministrin për t'i thënë që situata nuk ishte e mirë. Nuk e takova dot sepse nuk ishte dhe i them Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Veli Llakaj, për shqetësimin që parandjeva dhe ai më tha që do ia thoshte. Kur më takoi ministri më tha të mos bëhesha merak, por në fakt doli siç e parashikova unë, pasi në shtator kur erdhi grupi i Xhevdet Mustafës filluan problemet.
Nga zv/ministër ju çuan në Burrel si Komandant i Kompanisë së Xhenjos. Pse erdhi vala deri te ju?
Ka lidhje me situatën që ju tregova. Zv.ministër ndenja deri në tetor të 1982-it, pra rreth 1.5 vjet. Fakti që kisha lajmëruar ministrin ishte raportuar dhe ma ngritën për diskutim dhe në organizatën bazë kur më bënë gjyqin. Shkarkimi ynë u bë në mënyrë demonstrative, realiteti dihej shumë mirë, por Enver Hoxha duhej t'i jepte një mësim të gjithëve. Tani, unë s'e di a e bënte Enveri apo Nexhmija. Unë kam mendimin tim, që ajo ka pasur një rol shumë vendimtar për këto masa ndëshkimore, sepse Enveri ishte dhe sëmurë në atë kohë. Megjithëse ajo thotë jo, dhe Ramizi nuk e pranoi, por unë nuk e besoj.
Në fakt, në ushtri që nga viti '74 filluan lëvizjet për të hequr kuadrot që kishin marrë pjesë në luftë e për t'i zëvendësuar me të rinj, që nuk kishin merita personale por e merrnin atë vend se kështu donte partia. Pra duhet t'i shërbenin me besnikëri partisë. Ata ishin njerëz pa personalitet që në një farë mënyrë iu dha personaliteti nga kjo mënyrë burokratike. Për fat të keq, këto lloj taktikash njihen edhe sot kur tjetri bëhet ministër për ta pasur si levë e jo se ka kontribute dhe aftësi për atë detyrë që i jepet.
Si ishin raportet me Kadri Hazbiun?
Ai kishte përgjegjësitë e tij, të paktën me çfarë kemi dëgjuar, dhe s'dua të flas pa i ditur mirë, për ato që akuzohet, por kur erdhi në ushtri dua të them se ishte mjaft i arsyeshëm në dhënien e urdhrave dhe detyrave. Më kujtohet se ka qenë ish-Shefi i Sigurimit të Ushtrisë, gjeneral Halim Xhelo që u arrestua në vitin 1965, para daljes së letrës së hapur të PPSH-së. Ai i bëri një letër anonime Enver Hoxhës ku i thoshte hapur kundërshtitë e tij për të gjitha problemet, të cilat i quajti "kinezërira". Ai ishte Shef Sigurimi dhe i kishte shërbyer me mish e me shpirt partisë. Sigurimi ka bërë zullume shumë e Halim Xhelo, kur e pa që po bëheshin gjëra të paimagjinueshme, shkruajti këtë letër, e cila u zbulua. Ai doli në gjyq dhe u dënua 7 vjet për agjitacion e propagandë sipas nenit 55. Kur u dha vendimi, Rita Marko mori direkt Sotir Spiron që ishte kryetar i gjykatës dhe e pyeti për dënimin. Spiro i shpjegoi se s'mund ta dënonin më shumë, se një letër anonime ishte, e cila në fund të fundit nuk ishte bërë publike dhe i ishte drejtuar udhëheqësit të partisë. Të nesërmen atë e transferuan, dhe pati tragjedi familjare pasi i biri vrau veten, ishte student në Shkollën e Bashkuar të oficerëve. Edhe prokurorin Vangjel Kocani e çuan në Laç në një brigadë këmbësorie. Të gjitha këto gjëra bëheshin për të thënë "mbylle gojën se e di partia", e partia ishte Enveri. Si puna e vjershës së Majakovskit, që e ka bërë për partinë e Leninin.
Me Enverin, keni pasur kontakt fizik, të drejtpërdrejtë?
E kam parë para '43-it në një fshatin Alltat mbi Arbanë. Babai na mori me vete sepse rrinim në ilegalitet. Atëherë quhej Taras dhe Miladin Popovicin aty e kam parë për herë të parë.
Po pas lufte?
Po, jam takuar, por në aktivitete.
Si jeni njohur me gruan tuaj?
Në vitin '51 ishte festa e 28 Nëntorit. Isha me një shokun tim ushtarak që kishte një motër në Teknikumin e fizkulturës "Vojo Kushi". Shkuam në një mbrëmje vallëzimi. Ajo ishte shumë e re, 16 vjeçe, ndërsa unë 22. Unë ika në Rusi. Neve nuk na lejohej të ktheheshim shpesh; për arsye ekonomike të shtetit, mund të ktheheshim një herë në 3 vjet. Mbanim korrespondencë, por në distancë. Kur u ktheva, u rigjetëm.
Kur u martuat?
Në 1957-ën, një vit para se të mbaroja akademinë. Bëmë celebrimin dhe një bufe në shtëpi, se s'bëheshin dasma asaj kohe. Ajo donte të bënim fëmijë, unë i thoja 'rrimë dhe pak se do na lidhen këmbët'.
Kur erdhi fëmija i parë?
Erdhi shpejt në fakt. Në dhjetor 1958 lindi Rubena. Pastaj erdhën 2 vajza të tjera me radhë. Unë doja një djalë me thënë të drejtën, por fatkeqësisht edhe mua e tim vëllai na vdiqën djemtë. Kështu që mbiemri Moisiu mbetet i patrashëguar. U kam kërkuar vajzave që të mbajnë mbiemrin Moisiu dhe e kanë bërë, por...
Si e kujtoni momentin e humbjes së djalit tuaj të vetëm?
Ka qenë moment shumë i rëndë (hesht). Në fillim nuk e perceptoja dot, mirëpo më duhej ta mbaja veten edhe për vajzat. Sigurisht, fakti që isha në pozicionin e kreut të shtetit më detyronte ta kontrolloja veten. Këto tragjedi mos i rafshin asnjë njeriu se janë shumë të rënda. Të humbasësh djalin e vetëm 33 vjeç kot, se të kishte ndonjë arsye... S'e di, është vuajtje e madhe. Sa herë që udhëtoj në atë rrugë, nuk e kuptoj se si janë rrëzuar ata, sepse kanë qenë në krahun e kundërt me atë që ranë, sikur t'i ketë nxjerrë njeri jashtë rruge... S'e di... Ai zakonisht më thoshte kur ikte, ndërsa atë ditë s'më njoftoi. Për mua ishte krejt e papritur (përlotet pa e dhënë veten). Nano më mori në telefon e më tha që tim biri i kishte ndodhur një aksident. Pastaj në zyrë më erdhi Sabri Godo e Pandeli Majko.
Nuhate gjë?
Sigurisht që e kuptova direkt, sepse deri sa trupi nuk i ishte gjetur, e dija vijimin. Por njeriu qenka i fortë. Nuk thonë kot: "I ra drurit, e dogji, i ra gurit, e çau, i ra hekurit, e shkriu, i ra njeriut, e mbajti".
Shkoni në varreza?
Kam shkuar shpesh por vajzat nuk më lënë më, ndaj shkoj në ditët përkujtimore. Ato kanë merakun tim.
Nga viti 1985 deri më 1991 dolët në pension. Si ishin ato vite, nga një njeri aktiv në pensionist?
E përjetova shumë keq. Unë isha 55 vjeç, i ri, ende kisha shumë për të dhënë, isha aktiv, por ligji parashikonte që ushtarakët duhej të dilnin në atë moshë në pension. Unë kam qenë amator i librit; dija rusisht, italisht, anglisht, por e kufizoja veten të shkoja në bibliotekë ku ishte një sallë për leximin e gjuhëve të huaja. E dija që kisha një bisht nga mbrapa, megjithëse nuk e shihja, ndaj më shumë qëndroja në shtëpi. Kisha kunatën time në bibliotekën e universitetit dhe ajo më sillte libra perëndimorë për të lexuar; mbaj mend biografitë e Çurçillit, Konti Çianos etj... Kisha shumë dëshirë t'i njihja ato, se si i kishin përballuar situatat e vështira që u kishin dalë në jetë. Pastaj takohesha me shokët, diskutonim, por gjithsesi ka qenë periudhë e vështirë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›