E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhimitër Anagnosti: Sot censurën e ka në dorë tregu

SHKRUAN: Aida Tuci 20-01-2011 11:16

Mjeshtri i kinemasë shqiptare shprehet se dikur producent i filmit ishte shteti, i cili kishte kërkesat e veta, por edhe sot në sistemin pluralist çdo film ka një producent që të dikton se si duhet bërë filmi që ta pëlqejë tregu

Edhe një dokumentar homazh për të rënët, nuk mund t’i shpëtonte censurës, jo sepse në të mungonin elementë propagandistik, që diktonte një shtet komunist, por sepse mënyra se si regjisori Dhimitër Anagnosti e kishte konceptuar dokumentarin e tij “Përjetësi” ishte tepër modern për kohën. E në fakt, në kuadër të Muajit Anagnosti, Arkiva Qendrore Shtetërore e Filmit shfaqi për herë të parë, pas 35 vjetësh, dokumentarin “Përjetësia”, realizuar në vitin 1974, por që deri dje nuk ishte shfaq kurrë për publikun. Udhëheqësve të bllokut, filtri i fundit që duhej kaluar nuk u kishte pëlqyer, apo nuk kishin arritur të kuptonin një dokumentar kushtuar dëshmorëve të pashoqëruar me tekst të tipit “ata derdhën gjakun për Partinë dhe Atdheun”. Në atë dokumentar poetik, siç e quan regjisori, ajo që nuk thuhej me fjalë, thuhej përmes muzikës së Kujtim Laros, përmes të rrahurave të zemrës të atij fëmijës së vogël, që nuk e njohu kurrë gjyshin dëshmor, përmes dhimbjes së atij prindi, që me grushtin lart qëndron “i fortë” para varrit të të birit. Plane të shpejta, që ndërrohen para syve të spektatorit nën rimtin e rrahjeve të një zemre. “Edhe sot, pas kaq vitesh, nuk di të jap një arsye pse u ndalua atëherë, ndoshta sepse lloji i kinematografisë ishte ndryshe, tepër modern për kohën, që nga montazhi, pastaj deri në atë kohë nuk mund të konceptohej një film i pashoqëruar me tekst, qoftë ky dhe dokumentar”, – u shpreh ndër të tjera Anagnosti, në bisedën me të rinjtë dhe gazetarët. Pas dokumentarit, AQSHF shfaqi filmin artistik “Lulëkuqe mbi mure”. Jetimët e një strehe varfnore, nën urdhrat e drejtorit dhe kujdestarit të tyre, që pastrojnë çdo natë parullat që njerëzit kanë shkruar kundër fashizmit, ju shkakton të qeshura nxënësve të shkollës, që për herë të parë shihnin filmin bardhezi të asaj epoke. Aq më tepër, katër shokët e vegjël, Jaçe, Lelo, Bardhi, Tomi, që organizojnë rrëzimin e kujdestarit nëpër shkallë. Aty, ata tashmë kuptojnë prejardhjen e batutës “Kujdestar surrat patate”, por ata se kuptojnë arsyen e ndëshkimit, e aq më tepër, nuk arrijnë të kuptojnë arsyen e censurës as te dokumentari, e as tek në ndonjë film tjetër të regjisorit. Edhe filmi, që nga të pranishmit u konsiderua si “Oskari” i Anagnostit, nuk i ka shpëtuar filtrit të kontrollit. Vetë Anagnosit nuk kujton arsyen konkrete, që e shtynë të realizonte këtë film por sot ai e ka një shpjegim se përse zgjodhi këtë skenar për filmin e tij. “Tek Lulëkuqet mbi mure” mua më ka pas pëlqyer gjithmonë metafora, sepse shtëpia e fëmijës është një institucion që përmes trysnisë, dhunës dhe indoktrinimit të këtyre fëmijëve, mundohej të rrafshonte personalitetin e tyre. Mendoj se ishte një lloj metafore e Shqipërisë të mbyllur me një diktaturë proletariati, ishte një metaforë që të gjithë njerëzit ishin tek këta fëmijë në një farë mënyrë. Një metaforë që i përshtatej shoqërisë. Por ndonjëherë, regjisori harron si e ka filluar një film, si ka ardhur subjekti tek ai, por mendoj se tashmë që ka kaluar një kohë kaq e gjatë dhe filmi komunikon edhe sot mirë, mendoj se ky film ka vlerë akoma dhe unë për këtë jam i kënaqur” - rrëfen regjisori, duke iu përgjigjur krejt sinqerisht edhe pyetjeve paksa naïve të të rinjve, që përpiqeshin të kuptonin diçka nga ajo periudhë.

-A ka pasur ndërhyrje apo tentativë për censurë, në filmin “Lulëkuqe mbi mure”?

-E rëndësishme për t’u kuptuar nuk është vetëm censura, por dhe autocensura, sepse si regjisor duhej të masje çdo hap që ta çoje deri në fund punën dhe të të miratohej. Sepse nuk ishte vetëm puna që të filloje prodhimin e një filmi, por para kësaj do të shikohej skenari nga redaksia e skenarit, e cila duhej ta miratonte, më pas filmi do të kalonte në këshillin artistik, montimi i parë i filmit duhej të shikohej nga kontrolli paraprak i përfaqësuesve të Ministrisë, këta e çonin në bllok ku shfaqej te udhëheqja, dhe nëse që atje vinte miratimi të shfaqej filmi, atëherë ti mund të flije rahat, deri në atë moment, ti nuk flije dot rehat. Për filmin “Lulëkuqe mbi mure”, ka qenë një javë pritje dhe ankthi sepse dihej që ishte thikë me dy presa, për vetë metaforën që ai përcillte. Më kujtohet që një ditë, te “Lidhja e Shkrimtarëve”, pasi kishte kaluar një javë nga realizimi i filmit, Xhevahir Spahiu, që kishte një dorë të madhe, më bie në sup dhe më thotë: “Të lumtë. Shoku Enver, kur e pa filmin tha; “Ja këta janë fëmijët e Partisë”. Pas kësaj, unë fjeta rehat. Por ka pasur një korrigjim në fund të filmit. Ishte parashikuar që filmi të mbyllej me muzikë në fund, por në një mbledhje u diskutua dhe u sugjerua që të shtohej fraza që thotë mësuesi në fund: “Ajo, Nëna e madhe për të cilin ju kam folur, është Nëna Parti”. Por tek e fundit, edhe sot në sistemin pluralist, çdo film ka një producent që të thotë shiko e dua filmin kështu sepse tregu e kërkon të tillë, edhe në Amerikë me filmat e Hollivudit ndodh një gjë e tillë. Pra në një farë mënyre, ti vërtet bën film artistik por që është dhe mall tregu.

Pra, ju thoni se dikur diktonte shteti e sot dikton tregu?

-Sigurisht që ndikon tregu, kjo nuk ka asnjë dyshim. Atëherë ishte një shtet producent, që kishte kërkesa të tjera, i cili që në fillim të bënte të qartë se filmat duhej që të bënin propagandë. Por nga ana tjetër edhe sot filmat bëhen sipas kërkesave që dikton tregu. Po ju jap një shembull: Një producent amerikan, para se të marrë mbi supe koston për të bërë një film, bën një kërkim se çfarë kërkon tregu dhe duke parë interesin e tij financiar, i hyn punës për bërjen e një filmi që do t’i sjellë fitime.

Të kthehemi pak te dokumentari “Përjetësia”. Duke e parë sot, a jep dot një arsye se përse u ndalua?

- Ai është një dokumentar poetik për dëshmorët e luftës. Filmi, siç e patë, shoqërohet me të rrahura zemre dhe muzikë. U quajt modernist për kohën sepse deri atëherë nuk konceptohej dot një film pa tekst. Por në fakt, edhe sot pas kaq vitesh, nuk di të jap një arsye pse u ndalua atëherë, ndoshta sepse lloji i kinematografisë ishte ndryshe, tepër modern për kohën, që nga montazhi, pastaj deri në atë kohë nuk mund të konceptohej një film i pashoqëruar me tekst, qoftë ky dhe dokumentar. Mua atëherë nuk ma thanë arsyen pse u ndalua ,as sot nuk e di pse u ndalua ky dokumentar poetik, që ishte në fakt një himn për dëshmorët.

-Si i përzgjodhët karakteret te filmi “Lulëkuqet mbi mure”?

Kjo ka të bëjë me aspektin profesional. Në atë kohë, silleshin fëmijë nga shkollat, bisedonim me ta dhe dalëngadalë gjetëm ata që si të thuash kishin talent, por nuk është e thënë që ai që është i talentuar në fëmijëri, mund të bëhet aktor profesionist. Jaçe p.sh. (Strazimir Zajmi) nuk u bë dot aktor profesionist, por aty ka realizuar një karakter mjaft të arrirë. Sigurisht gjithçka arrihet me punë, por edhe me lodhje. Unë isha thjesht drejtues orkestre, por instrumentet për realizimin e filmit janë të tjerë. Filmi është një art kolektiv dhe nuk ka trim pa shokë. Nëse nuk do ishin të gjithë aktorët dhe bashkëpunëtorët, nuk do të bëhej filmi. Kam punuar me bashkëpunëtorë shumë të talentuar dhe falënderimi im për ta është shumë i sinqertë, mbase nuk arrij ta shpreh dot me fjalë, por brenda vetes sime ju jam shumë mirënjohës.

-A ka regjisori Anagnosti ndonjë projekt për të ardhmen?

Martin Skorceze realizoi film në moshën 80-vjeçare, unë festoj 75-vjetorin, kështu që mendoj se kam kohë edhe për një film. Në tavolinën time kam shumë skenarë filmash. Në një moment të caktuar, mund të më ngacmojnë trurin për të bërë një film tjetër. Nuk premtoj, por as nuk them se nuk do të bëj një film tjetër në të ardhmen.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›