E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Përjetësia” e Anagnostit

19/01/2011  Shfaqet sot edhe “Lulëkuqet mbi mure”. Të pranishëm edhe “jetimët” e strehës së filmit dhe “Suloja”….

Java e dytë e muajit të Anagnostit në Kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit do të vijojë sot me shfaqjen e dokumentarit “Përjetësi”. Me skenar dhe regji nga Dhimitër Anagnosti, i cili shfaqet edhe si operator, muzikë dhe montazh nga Kujtim Laro, vetë Anagnosti e cilëson këtë dokumentar për dëshmorët e luftës si “poetik”. Dokumentari shfaqet për publikun për të parën herë pas 37 vjetëve, pasi për kohën kur u realizua u quajt modernist për shkak të karakterit të veçantë regjisorial dhe u ndalua. Po sot, në kinemanë e Arkivit do të shfaqet edhe filmi “Lulëkuqet mbi mure”.

Me skenar të Petraq Qafëzezit dhe Anagnostit, muzikë të Kujtim Laros, kamera nga Pëllumb Kallfa, piktor: Namik Prizreni e montazh nga Marika Vila, në role interpretojnë: Strazimir Zajmi, Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi, Enea Zhegu, Alfred Kote, Enver Dauti, Liza Laska, etj.

Interesante është që përgjatë shfaqjes së filmit do të jenë të pranishëm jo vetëm regjisori dhe kineastët e tjerë realizues të filmit, por edhe aktori i Strazimir Zajmit, i njohur si Suloja në filmin e Anagnostit. Ata do të jenë të gatshëm për biseda me studentët apo gazetarët.

“Lulëkuqet….”

Jetimët e një strehe varfnore, nën urdhrat e drejtorit dhe kujdestarit të tyre, pastrojnë çdo natë parullat që njerëzit kanë shkruar kundër fashizmit. Katër shokë të vegjël, Jaçe, Lelo, Bardhi, Tomi organizojnë rrëzimin e kujdestarit nëpër shkallë. Nga frika e presioneve të kujdestarit, Sulo i vogël përpiqet të kapërcejë muret e jetimores dhe vritet nga patrulla. Filmi mbahet si emblema e krijimtarisë së Anagnostit. Është nderuar me këto çmime kinematografike kombëtare dhe ndërkombëtare: Skenari fiton çmimin e II-të në Konkursin Kombëtar të Dramaturgjisë, 1976. U shpall filmi më i mirë i Festivalit të II-të të Filmit Shqiptar, 1977. Timo Flloko, Agim Qirjaqi e Kadri Roshi morën medalje. Dh. Anagnosti merr çmimin e Republikës së Klasit të Parë më 1979. Merr çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Beograd, 1980. Namik Prizereni e Kujtim Laro u nderuan me medalje. Merr medaljen e Artë në Giffoni, Salerno, Itali, 1985.

B.G.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›