Ndryshon programi mësimor i 9-vjeçares
Programi mësimor i shkollave 9-vjeçare do të pësojë një ndryshim që do të fillojë që nga klasa I deri te IX. Ky fakt është bërë i ditur pak ditë më parë edhe nga vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka shpjeguar se këto ndryshime janë të rëndësishme për përafrimin e kurrikulës së arsimit bazë me atë të standardeve europiane. Lidhur me këtë reformë, drejtoresha e Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Tidita Abdurrahmani, shprehet se ndryshimi i programeve mësimore nuk do të jetë gati në fillim të vitit të ri shkollor, ndërkohë që me kurrikulat e reja do të ketë edhe një ndryshim në shpërndarjen e orëve mësimore, si dhe me shumë kritere në kualifikimin e arsimtarëve. Një nga rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë, që janë marrë me monitorimin e kurrikulave në arsimin parauniversitar, thotë se për standarde më të mira duhet që të ndryshojë dhe ngarkesa mësimore, pasi nxënësit, në veçanti ata të klasave VI dhe IX bëjnë shumë orë mësimi në javë.