E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falja e gjakut”, një histori shqiptare në Berlin

19/01/2011   “The Forgiveness of Blood” (Falja e gjakut) me regjisor Joshua Marston pritet të jetë një nga konkurrentët më të fortë në Festivalin e Berlinit. Filmi është një ngjarje shqiptare e treguar shqip dhe në fakt nuk është i vetmi film shqiptar pjesëmarrës në këtë festival, por është i pari film në shqip në seksionin konkurrues të këtij festivali.

Prezantimi tjetër shqiptar në Berlin do të bëhet me filmin “Amnistia” të Bujar Alimanit, për të cilin tashmë është folur goxha edhe në shtyp dhe do të jetë pjesëmarrës në seksionin “International Forum”.

Me bashkëskenarist dhe bashkëproducent, shqiptarin Andamion Murataj, “The Forgiveness of Blood” (Falja e gjakut), vlerësohet prej këtij të fundit si një film “që e ngre në nivel më të lartë pjekurie mjeshtërinë regjisoriale të Marstonit, si edhe të grupit të tij të bashkëpunëtorëve”. Pjesëmarrja në festivalin e Berlinit e këtij prodhimi është rikonfirmuar dje nga zyra e shtypit e festivalit. Bashkëpunimi i parë në skenar të gjatë për Muratajn, në prodhimin e tij janë përfshirë disa nga producentët më të suksesshëm në botë të kinemasë indipendente siç janë: Paul Mezey i shtëpisë filmike “Journeyman Pictures” (SHBA). Mezey është një producent i suksesshëm i kinemasë indipendente amerikane që ka prodhuar ndër të tjerë filmat e nominuar me Oscar: “Maria Full Of Grace” i Joshua Marstonit dhe “Half Nelson” i Ryan Flec. Një tjetër producent në këtë film është edhe Domenico Procaçi prodhues i filmit “Gomorra” të Matteo Garrone-s, fitues i “Grand Prix” në festivalin e Kanës më 2008, ndërkohë që filmi është debutimi i parë i kompanisë filmike shqiptare “Lissus Media” të drejtuar nga Murataj.

B.Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›