Jaçe i dikurshëm, sot i heshtur
Ata ishin katër shokë të vegjël, Jaçe, Lelo, Bardhi, Tomi, që pasi shohin një atentat komunist, në mes të sheshit të qytetit, përpiqen të imitojnë komunistët duke organizuar një “atentat” në shkallët e jetimores. Plani ishte të rrëzohej kujdestari nga shkallët. E trimi mbi trima ishte pikërisht ai, Jaçe, një djalosh me karakter të fortë dhe kapo i grupit. Shumë njerëz, akoma e kanë të skalitur në memorio karakterin e Jaçes, por me siguri kanë harruar emrin e vërtetë të atij djaloshi, që me vetulla të vrenjtura dhe me seriozitetin e një të madhi, përpiqej të luftonte dhe ai fashizmin. Strazimir Zajmi, emri i të cilit nuk të lidh me filmin, por nëse këtij emri real i bashkëngjit emrin Jaçe, menjëherë kërkon me sy protagonistin e filmit “Lulëkuqe mbi mure”. Ai është i heshtur, edhe pse gëzon në 75-vjetorin e datëlindjes së regjisorit, që i realizoi ëndrrën të luante një rol në kinema. Madje, ai qesh e shkrihet teksa sheh filmin dhe veten e tij dikur. Kushedi çfarë i kujtohet? Ndonjë moment nga sheshi i xhirimit, por që preferon ta mbajë për vete. Ngrihet disa herë e nderon profesor Anagnostin, por i gjendur para një publiku të gjerë nuk arrin të nxjerrë dot asnjë fjalë. Ai ka emocione, ashtu si dikur para çak-ut të regjisorit Anagnosti. Portreti i tij i rritur ka ndryshuar paksa, por sytë dhe vështrimi i Jaçes ka mbetur i njëjtë.