Dhjetë degët më të lehta për tu shpallur fitues
Fill pas përfundimit të provimeve të Maturës Shtetërore, vëmendja e nxënësve kalon në një tjetër fazë, në atë të përllogaritjes së pikëve të grumbulluara në total, te kuotat dhe kufijtë e pikëve të pranimit në universitete. Aktualisht ky është ankthi dhe shqetësimi më i madh i maturantëve. Menjëherë pas numërimit të pikëve të fituara nga notat e testeve të maturës, mesatares së 4 viteve dhe koeficientit të shkollës së mesme, nxënësit po presin të mësojnë kufijtë e pikëve, për të ditur saktësisht se cilit fakultet do t’i drejtohen. Këtë vit, ndryshe nga përvojat e kaluara, nxënësit kanë pasur më shumë kohë në dispozicion për plotësimin dhe dorëzimin përfundimtar të tij. Madje, maturantët sivjet kanë qenë më të parapërgatitur për të bërë përzgjedhjen e duhur të degëve, të cilat përafronin me profilin e shkollës së tyre. Kjo ka ardhur si pasojë e udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila i ka informuar nxënësit për t’u treguar të kujdesshëm në zgjedhjen e 10 degëve të tyre të preferuara. Maturantët, për këtë vit, do të jenë sa të favorizuar, për shkak të rritjes së numrit të pranimeve me 11 për qind, aq edhe të rrezikuar, si pasojë e numrit më të lartë të kandidatëve për studentë. Probabiliteti për të fituar, sidomos në degët ku për vite me radhë kërkesat kanë qenë më të shumta, është i vogël. Kjo rrjedhimisht i bën ata më të pasigurt nëse do të fitojnë degën e parë apo të dytë, në bazë të rëndësisë që kanë vendosur. Sistemi i Maturës Shtetërore bazohet sidomos në parimin meritë-preferencë, çka nënkupton se listimi i fakulteteve realizohet sipas rëndësisë dhe interesit që kanë nxënësit për degë të caktuara.
Fakultetet me më shumë kuotaPër vitin e ri akademik, dega e Gjuhë-Letërsisë do të ketë 550 kuota, Anglishtja 680 kuota, 790 vende pranimi në degën e Drejtësisë, 710 në Teknologjinë e Informacionit dhe 980 kuota në Financë dhe Kontabilitet.
Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet ka një rritje të kuotave në degën e Anglishtes dhe Teknologjisë së Informacionit. Po ashtu, më shumë vende pranimi për studentët e rinj janë propozuar edhe në degën Financë-Kontabilitet, Drejtësi, Gjuhë-Letërsi, por edhe në degën e Fizikës, me plot 300 vende boshe. 190 të drejta studimi janë shpërndarë në degën e Historisë, Gjeografisë dhe Histori-Gjeografisë. Ndërkohë, fakultetet më të preferuara vazhdojnë të jenë ai i Mjekësisë, Ekonomikut dhe Informatika. E megjithatë, në listën e degëve më të preferuara nuk bën përjashtim edhe Universiteti i Kamzës.
Formulari A2Sot pritet të dorëzohet formulari i preferencave në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Maturantët kanë pasur plot 16 ditë kohë për plotësimin dhe dorëzimin e tij në drejtoritë e shkollave përkatëse. Secili prej tyre ka pasur mundësi të zgjedhë 10 preferenca në Formularin A2, ku kanë qenë të listuara më shumë se 225 programet që do të ofrojnë universitetet publike për vitin e ri akademik 2010-2011. Menjëherë pas mbylljes së procedurës së Formularit A2 do të nisë edhe puna për vlerësimin e kërkesave dhe renditjen e fituesve në bazë të kërkesave, mesatares dhe provimeve të Maturës Shtetërore.
#