Gushti, Berisha lë zyrën dhe takon pushuesit
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, nuk është mjaftuar për të folur mbi turizmin këtë vit në Shqipëri nga zyra e qeverisë, po ka preferuar që pasditet e gushtit t’i kalojë pranë pushuesve. Dje, kreu i qeverisë ka takuar pushues në zonën e Himarës, ndërsa një ditë më parë, pasditen e ka kaluar në bregdetin e Durrësit. Përgjatë ecjes së lirë afër pistës “Iliria”, i shoqëruar edhe nga ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, Berisha ka zhvilluar takime të shumta me pushues shqiptarë, ata që kanë ardhur nga Kosova dhe Maqedonia dhe po kështu pushues të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar verën. Gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat, kreu i qeverisë ka theksuar nga Durrësi, atë që ka përmendur pak ditë më parë dhe që lidhet me një shtim të ndjeshëm të numrit të pushuesve në plazhet shqiptare. “Nga pikat e kufirit të këtij vendi këto dy muaj kanë hyrë qytetarë shqiptarë dhe të huaj më shumë se kurrë në tërë historinë e vendit. Vetëm qershorin dhe korrikun janë 1 milion e 400 mijë të ardhur. është një vërshim, do të thosha, drejt Shqipërisë dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht pozitive”, theksoi Berisha përpara mediave nga plazhi i Durrësit. Po kështu, kreu i qeverisë theksoi se ky numër i lartë pushuesish e vendos qeverinë përpara sfidave të reja të infrastrukturës dhe premtoi përmirësimin e ndjeshëm të saj. Por përveç deklaratave standarde, kreu i qeverisë tregoi në Durrës edhe një tjetër aspekt të tij. Me një veshje “casual” kreu i qeverisë nuk ngurroi të zhvillonte biseda me pushuesit në Durrës dhe kryesisht u ndal për të ndarë përshtypjet e pushimeve me shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Po kështu, kreu i qeverisë nuk la pas dore në shëtitjen e tij edhe fëmijët, duke biseduar me ta dhe shkëmbyer batuta. Po kështu, në Durrës nuk munguan as fotografitë e Berishës me pushuesit.
#