Berat, beteja grushtesh dhe thikash në mesnatë
Tre sherre brenda pak orësh në të njëjtën lagje të Beratit. Motivet kanë qenë banale, ndërkohë që pasojë e tyre kanë qenë dy të plagosur rëndë. Seriali i ngjarjeve ka nisur rreth orës 21:00 të së mërkurës, dhe kanë vijuar njëra pas tjetrës deri në orën 02:00 të mëngjesit të së enjtes. Rreth orës 21:00 të së mërkurës, në lagjen “Donika Kastrioti” ka nisur një sherr banal mes dy të rinjsh. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se 37-vjeçari Gentjan Kanani është grindur dhe më pas është përplasur fizikisht me Adrian Likën. Dëshmitarët e vendit të ngjarjes kanë pohuar se 37-vjeçari ka qenë duke iu afruar lokalit, ndërsa një makinë është ndalur pranë tij. Nga kjo e fundit ka zbritur 22-vjeçari Adrian Lika, i cili ka nisur të kërkojë sqarime 37-vjeçarit për disa probleme familjare. Kanani e ka kërcënuar me një thikë të riun dhe ka tentuar ta godasë atë, por i ati i 22-vjeçarit ka ndërhyrë për të shuar sherrin, duke mbetur vetë i plagosur nga tehu i armës së ftohtë. Duke parë të atin të përgjakur, 22-vjeçari ka rrëmbyer nga makina një levë dhe ka qëlluar pas koke agresorin e të atit. Policia është gjendur për pak minuta në vendin e ngjarjes, ndërsa i është dhënë ndihma 45-vjeçarit Elmaz Lika në urgjencën e spitali rajonal të Beratit. Mjekët pohojnë se gjendja shëndetësore e 45-vjeçarit është mjaft e rëndë, për shkak se tehu i armës ka prekur mushkëritë. Ndërkaq, ndonëse i plagosur mbas kokës, Gentjan Kanani është larguar nga vendi i ngjarjes për t’u rikthyer në urgjencën e spitalit, pasi kishte shkuar të mjekonte plagën që kishte marrë në kokë. Sipas burimeve të policisë, 37-vjeçari pasi është mjekuar është prangosur në orën 02:00 të së enjtes në derën e urgjencës së spitalit rajonal të Beratit. Ndërkaq, vetëm pak orë më pas, një tjetër sherr ka ndodhur në po të njëjtën lagje të qytetit të Beratit. Faik Nallbani është përplasur fizikisht me L.K. për arsye krejt banale. Nallbani ka qenë duke përcjellë për në shtëpi të fejuarën e tij, kur i është afruar me shpejtësi L.K. me mjetin fuoristradë KIA. Kaq ka mjaftuar që mes dy të rinjve të nisë sherri, që ka përfunduar më përplasje fizike. Po mbrëmjen e së mërkurës, një grup adoleshentësh është shoqëruar në komisariat pasi janë grindur me mjete të ftohta në një lokal të qytetit. Sipas policisë, djemtë kanë blerë nga njëri-tjetri cigare të mbushura me hashash, por prishja e pazarit mes tyre ka çuar në përplasje me grushte dhe përdorim thikash.
#