E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, sulm frontal ndaj Presidentit në korrik: Ka shkelur Kushtetutën

Përplasjet Por Presidenca ka kundërshtuar duke theksuar se është respektuar ligji themeltar

Mazhoranca ka nisur në fundin e korrikut një sulm frontal kundër kreut të shtetit, duke përsëritur si shkak çështjen e kreut të Gjykatës Kushtetuese. Sekretari i grupit parlamentar demokrat, Eduard Halimi, ka bërë me dije se shumica parlamentare nuk do ta presë shtatorin për të pasur konstituimin e gjykatës në fjalë. “Unë do t’ju garantoj se ne jemi duke ndjekur me shumë vëmendje gjithçka që po ndodh, jemi duke ndjekur me vëmendje situatën dhe jemi duke menduar në çdo moment për ta zgjidhur këtë problem të madh, këtë akt të rëndë dhe të paprecedentë që ka ndodhur, ku kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën”, tha Halimi. I bindur në nismën që mazhoranca të zgjidhë ngërçin në Gjykatën Kushtetuese përpara muajit shtator, anëtari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi, tha: “Unë do t’ju garantoj se ne kemi të gjitha mjetet dhe mundësitë për të rivendosur çdo institucion në kuadrin kushtetues, në kornizën kushtetuese dhe për të mos lejuar askënd që të thyejë Kushtetutën”. Sipas Halimit, Kushtetuta nuk ka asnjë vakum. “Shteti ligjor nuk ka asnjë vakum dhe ne i kemi të gjitha mjetet për të vendosur respektimin e ligjit gjithkund. Sigurisht, në institucionin kryesor që është garant i Kushtetutës, që është Gjykata Kushtetuese", tha Halimi në cilësinë e sekretarit të grupit parlamentar demokrat. Halimi shton më tej se mazhoranca është e gatshme që në çdo moment të mbledhë Parlamentin, qoftë edhe gjatë gushtit, për të miratuar kreun e ri të Gjykatës Kushtetuese, e drejtë propozimi e cila i njihet vetëm kreut të shtetit. "PD, grupi parlamentar, ashtu siç ka treguar gjatë gjithë këtij viti një përgjegjshmëri të jashtëzakonshme në ushtrimin e mandatit të popullit, është e gatshme të tregojë një përgjegjshmëri akoma më të lartë për t’u mbledhur, zhvilluar një seancë për t’i dhënë fund mungesës së kushtetutshmërisë së institucionit më të lartë të drejtësisë shqiptare, siç është Gjykata Kushtetuese", vijoi Halimi. Ndërkaq, këshilltari ligjor i Presidentit Bamir Topi, ish-deputeti dhe ish-anëtari i Komisionit të Ligjeve, Spiro Peçi, u ka dhënë përgjigje akuzave të mazhorancës. Sipas tij, çdo deklaratë e bërë në këtë drejtim është e frymëzuar politikisht, me qëllim që të spostohet vëmendja nga problemet e rëndësishme që ka aktualisht politika shqiptare. “Me mbarimin e mandateve, Presidenti i Republikës ka dalë me një propozim konkret për të dyja forcat kryesore politike. Presidenti, pasi përzgjodhi nga më shumë se tetëdhjetë kërkesa, dhjetë kandidatura për Gjykatën Kushtetuese, u propozoi të dyja forcave politike, qoftë Partisë Demokratike, qoftë grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të hiqnin nga kjo listë nga dy kandidatë dhe do të mbeteshin vetëm gjashtë, për të cilët palët do të binin dakord”, tha këshilltari Peçi. Këshilltari juridik i Presidentit pohoi se “pengesë ka qenë, edhe burokracia, zgjatja, mënyra e procedimit nga vetë Kuvendi i Shqipërisë në miratimin të paktën e atyre kandidaturave që janë paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”. Presidenca e ka thënë të qartë fjalën e saj të fundit nëpërmjet këshilltarit Spiro Peçi, se propozimet e reja për Gjykatën Kushtetuese do të nisin në datën 6 shtator, kur të nisë sesioni i ri parlamentar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›