E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetë mrekullitë sportive të Europës

Liga e Kampioneve startoi me surpriza (barazimi i Celsit me Rozeneborgun në Londër). Në klubet më të mëdha të Europës janë të shumtë yjet nga të gjitha kombësitë e planetit, por mbi të gjitha shkëlqejnë "këmbët" e dhjetë magjistarëve të topit, ku ndërthuren: magjia, potenca, shpejtësia, gjenialiteti, krijimtaria, që të kombinuara bashkë dhurojnë spektaklin. Liga e Kampioneve është më shumë se një sport për tifozët. Është një adrenalinë, një magjepsje e dhuruar nga "dhjetë mrekullitë" e Europës. Dhjetë kampionë, dhjetë stile lojërash "kopirajt". Secili prej tyre ka dicka nga specialiteti i vendit të origjinës, ku në mënyrë figurative përzihet pak Leonardo da Vinci me kryeveprën e tij, "Xhokonda", Shin Konori me Xhejms Bond, Ainshtajni dhe formula e tij madhështore: E=mc2. Të gjithë unikë, të paklonueshëm. Dhe për të gjithë ka një përcaktim specifik, të pangatërrueshëm: Toti, me gjuajtjen në formë "garuzhdeje"; Ronaldinjo, magjistari; Drogba, potenca; Roberto Karlos, fuqia e goditjes; Kristiano Ronaldo, dribluesi i jashtëzakonshëm, Ibrahimovic, akrobati i futbollit; Kaka, shpejtësia në rritje; Xherard, topciu; Shnajder, gjeometri. Të gjithë konkretë, të "dhunshëm" në cdo lëvizje, në cdo goditje. I befasojnë të gjithë me veprime që shkruhen e mbeten në kujtesën e gjithkujt. Driblojnë thjeshtësisht në një mënyrë që të tjerëve u duhen vite për t'i arritur. Kanë goditje artistësh. Të lindur rastësisht, por të studiuar e përpunuar gjatë stërvitjeve për ta shndërruar futbollin në një magji, për t'i dhënë bukurinë e nxitur dëshirën për ta riparë. Liga e Kampioneve është vitrina më e madhe. Dhe ata e dinë atë, duke realizuar veprime të jashtëzakonshme dhe duke u shndërruar në një makinë të fuqishme parash për "producentët" e tyre. Janë dhjetë kampionë, të cilët krijojnë dhjetë kryevepra. Dhjetë mënyra për të treguar të ndryshme. Shijen e gjestit. Gjestin më të shijshëm.
1. Magjia e...RONALDINJOS
I krijuar për të përkëdhelur topin dhe ndezur ëndrrat e cdo tifozi. Niset nga e majta për të sulmuar zonën, me një ritëm që duket se shoqërohet nga një muzikë, me një buzëqeshje në cdo lëvizje, si një artist që e di se vendoset nota në pentagram, i butë, i aftë të vizatojë në qiell një ylber me goditjen e tij magjike. Xhonglime në lëvizje, driblime në të qindtën e sekondës, që të pëlqen gjithmonë të imagjinosh. Ky është magjistari.
2.Shpejtësia e ...KAKA-së
Shpejtësi marramendëse (i bën 30 metrat në 3'7 sekonda), rezistencë e admirueshme. I aftë të ndërfutet midis kundërshtarëve, të shohë dritë në fund të errësirës së murit mbrojtës të kundërshtarëve. Vlerësoni faktin: kur niset me topin në këmbë, në vazhdimësi, magjeps gjithë Milanin. Ka stilin e një solisti, por duke kënduar në shoqërinë e një skuadre të tërë i josh të gjithë me gjestin e tij. Ai nuk vallëzon i vetëm.
3.Akrobacitë e ...IBRAHIMOVICIT
Ibrakadabra. Zotëron fizikun e një stoperi, këmbët e Herri Poterit: shembull perfekt i futbollit muskulor i mijëvjecarit të tretë, bën gjënë më të vështirë në mënyrën më të vështirë. Rishiheni për të besuar golin që bëri në Europianin e vitit 2004, një takë fluturuese në rrotullim e sipër, për ta përfunduar topin atje ku kryqëzohen dy shtyllat, një goditje vdekjeprurëse. Një tjetër goditje: tingulli që lëshon këpuca që godet topin.
4.Potenca e ...DROGBA
Fiziku i jashtëzakonshëm, i përzier me teknikë. Një mbrojtës i jashtëzakonshëm i topit, por edhe i pamëshirshëm kur ndodhet brenda zonës. Gjuajtje fluturimthi nga të gjitha pozicionet: qendrore, diagonale, goditje të thata, cinike, me këmbët që duken si një kompas. Repertori i Didier Drogbasë është i pafundmë. I shpejtë, i paparashikueshëm, i fuqishëm, eksploziv, por dhe grindavec. Kjo e fundit e "fshehur" nga cilësitë e mëdha.
5.Gjeometria e ...SHNAJDERIT
Kur gjeometria shndërrohet në një vepër arti. Blerja e re e Realit të Madridit të Bernd Shusterit është një holandez 23-vjecar. Shkolla: Ajaks i Amsterdamit. Kostoja: 27 milionë euro. Pak Redodondo (në pastërtinë e përpunimit të topit), pak Boban (në paparashikueshmërinë dhe ndjenjën me golin), pak Rui Kosta (në gjerësinë e vrapimit): është idhulli i "Bernabeut", është versioni modern i mesfushorit total holandez të viteve '70.
6.Gjuajtjet e ...XHERARDIT
Joshës, bujar, i lakmueshëm. Më shumë se raporti individ-skuadër, brenda imagjinatës së tij luan një skuadër e tërë. Di të bëjë gjithcka, dicka në mënyrë perfekte. Futjet në zonë, gjuajtjet nga larg. Kush guxon, fiton. Stivën Xherard guxon dhe shënon. Gjuajtje të thata që fshijnë pluhurin, tapa shampanje që kërcejnë, gjuajtje të një bukurie absolute, nga cdo pozicion, duke karikuar të djathtën si një "klik" i pushkëve në filmat "Western'.
7.Goditjet e ...ROBERTO KARLOS
Sekreti i gjuajtjeve të tij mbretërore befasonte këdo në Spanjë. Goditje me "tre dedos", tre gishta, kopje e gjuajtjeve të brazilianit Branko, patriotit të tij, i cili luajti në Itali në fillim të viteve '90. Të godasësh topin me të jashtmen e së majtës, si një shigjetë, drejt e në zemër të portës, të kujton përshtypjen optike se është një telekomandë e padukshme që e con topin atje ku dëshiron ajo, si era një copë letër.
8.Prekja...NASRI
Guri bazë për Samir Nasir quhet Zinedin Zidan. Idhulli i francezit të ri. E quajnë të gjithë një pasues të Zizusë. Edhe pse në lëvizje, mesfushori i Marsejës është më pak elegant. Në prekjen e topit, Zizu vallëzon ngadalë, mbyll sytë dhe duket se jeton brenda tij. Nasri ka një prekje që ngjan më shumë si një hip hop, një goditje më frenetike, tipike për atë që është 20 vjec dhe dëshiron t'i tregojë botës se kush është.
9.Driblimet e ...KRISTIANO RONALDO
Shpejtësi atleti e shoqëruar me artin e driblimit. Një nga të paktët në botë që e gëzon këtë cilësi, gjithmonë prodhon dicka magjepsëse. Gjatë ditës, jashtë fushës, mund të jetë një njeri që i dridhet zemra për gjithcka. Por në fushë: bën finte, kundrafinte, i gjithanshëm me topin, impulsiv, rrit shpejtësinë, ndalon dhe niset. Kur portugezi fluturon, ndihet ritmi i tambureve: gjithcka tjetër është një shpejtësi plejstejshëni.
10."Garuzhdja" e ...TOTIT
Kanë kaluar shtatë vjet. Ishte 28 qershor i vitit 2000, Kampionati Europian, Itali-Holandë. Prej kësaj dite, gjuajtja e tij, "il cucchiao" (garuzhdja), është shndërruar në një goditje artisti. Toti nuk është vetëm ky, ka dhe gjëra të tjera, por brenda kësaj goditjeje gjeniale është vetëm Toti: talent, paturpshmëria, vetëdija. "Mo je faccio er cucchiao", (Do ta bëj si garuzhde, (goditjen), - i tha Di Biaxhos, një harkim që zbret lehtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›