VIP-at shqiptarë të Ligës së Kampioneve

Edhe Shqipëria do të përfaqësohet në Ligën e Kampioneve me dy nga lojtarët e saj më të njohur: Lorik Cana, kapiteni i Marsejës, si dhe Igli Tare, sulmuesi i Lacios. Cana do ta fillojë aventurën e tij të dytë në kompeticionin më të rëndësishëm të klubeve duke pasur në grup emra të respektuar në futbollin europian dhe botëror, Liverpulin, pesë herë fitues i Ligës së Kampioneve, ndërsa ish-kapiteni i Kombëtares sonë, Igli Tare, do të ketë rastin, edhe pse ndoshta në bankinë, të përballet me Realin e Madridit, rekordmenin e Ligës së Kampioneve, me 9 trofe. Sot, Lorik Cana do të luajë në shtëpi kundër Beshiktashit turk, ndërsa Igli Tare bën pjesë në grupin e lojtarëve që do të përballet në Athinë me Olimpiakosin. Loriku është i vetëdijshëm se ndodhet në një grup të vështirë (A) ku ndodhen dy skuadra kampione të Europës: Liverpuli dhe Porto. Kapiteni i Marsejës shpall edhe objektivat e klubit francez, që duhet thënë se në kampionat ka zhgënjyer plotësisht, kur ka arritur vetëm një fitore në tetë javë dhe renditen në gjashtë vendet e fundit të renditjes. "Grupi ynë është realisht shumë i vështirë", - thotë Loriku. "Liverpuli, që fitoi para tre sezoneve Ligën e Kampioneve dhe ishte edicionin e kaluar në finale, është pa dyshim favoriti kryesor për të zënë vendin e parë në grupin tonë. Skuadra angleze ka një grup lojtarësh që luajnë prej vitesh së bashku dhe vitet e fundit ka qenë ndër më të suksesshmet në Ligën e Kampioneve". Mesfushori i Kombëtares shqiptare, i ndëshkuar me karton të kuq në takimin me Holandën, pas atij gjesti "ala Zidan" kundër Rud Van Nistelroit, kundërshtarit të Igli Tares në Grupin C, është i bindur se dy ekipet e tjera, Porto dhe Fenerbahce, do të luftojnë për një nga dy vendet e para. "Lufta për vendin e dytë, që përsëri të con në fazën tjetër, është e hapur dhe për këtë luftojmë si ne, ashtu dhe Porto", - thotë Cana, i cili njeh kundërshtarin nga Portugalia, pasi më parë ka luajtur kundër Portos, kur ishte në radhët e Paris Sën Zhermenit. "Po, kundër tyre kam luajtur në edicionin 2004-2005 të Ligës së Kampioneve, kur ishim në një grup së bashku me Porton, edhe me Celsin e CSKA-në e Moskës. Fituam në Paris 2-0 dhe barazuam 0-0 në Porto. Pra, është një eksperiencë më shumë për mua, pasi njoh natyrën e lojës së tyre, por dhe ambientin. Për më tepër që Porto është dhe kundërshtari ynë numër një për vendin e dytë", – thekson Cana, i cili ka dhe recetën se si mund të dalë Marseja e tij në vendin e dytë. "E rëndësishme është që të marrim sa më shumë pikë në fushën tonë. Besoj se i kemi shanset për të zënë vendin e dytë në grup, por duhet ta fillojmë me këmbë të mbarë, me një fitore kundër Beshiktashit, por dhe të mos humbim shumë pikë me kundërshtarët direkt për vendin e dytë". Olimpiku i Marsejës ka luajtur vetëm një herë më parë me një skuadër turke. 39 vjet më parë, më 1968-n, Olimpiku i Marsejës u përball me Goztepe Izmir, në raundin e parë të Kupës Fairs. Në fushën e saj, Marseja fitoi 2-0, ndërkohë që rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte vetëm një barazim 2-2. Marseja, edhe pse ka pësuar katër gola në 11 ndeshjet e fundit të luajtura në Kupat e Europës, i ka humbur dy ndeshjet e fundit që ka luajtur në Ligën e Kampionëve të "Stade Velodrome". Në vizitën e vetme që ka bërë skuadra e Beshiktashit më parë në Francë, për një ndeshje të Ligës së Kampionëve, ka humbur 2-1 përballë Paris SG. Kjo ndeshje është luajtur 10 sezone më parë. Ndërkohë, edhe në një tjetër ndeshje të luajtur në Francë, përballë Okserit në sezonin 1994-1995 në Kupën e Kupave, Beshiktash humbi me rezultatin 2-0. Beshiktash nuk ka arritur të shënojë në gjashtë prej dhjetë ndeshjeve të fundit që ka luajtur në Ligën e Kampionëve.
Cana, për "Ginesin shqiptar": Një kapiten në Champions
Për herë të parë në Ligën e Kampioneve, një shqiptar do të jetë në rolin e një kapiteni të një prej 32 skuadrave më të forta të Europës dhe skuadrës së vetme franceze që e ka fituar atë, Marsejës, që ka mposhtur në finale një emër të madh si Milani. "Trajneri i Marsejës, Albert Emon, mund të besojë në rikthimin e kapitenit të tij, Lorik Cana, për ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Beshiktashit, takim që do të luhet të martën (sot, ora 20:45)", - shkruante versioni on-line i gazetës prestigjioze sportive franceze "L'Equipe". "Ndërkombëtari shqiptar ishte i pezulluar gjatë humbjes me Tuluzën, të shtunën (1-2). Në të kundërt, Roland Zubar, shënuesi i golit kundër Tuluzës, do të jetë i pezulluar".
Tetë kuqezinj
Edhe shqiptarët kanë emrin e tyre në Ligën e Kampioneve, në atë të fazës së grupeve, ku luajnë 32 ekipet më të mira të Europës, pasi në ato eliminatore (turi i parë dhe i dytë) është normale që janë të shumtë, pasi në këtë fazë merr pjesë gjithmonë ekipi kampion i Shqipërisë. Me Lorik Canën (Olimpik i Marsejës), Igli Taren (Lacio), Valon Behramin (Lacio), që marrin pjesë në edicionin 2007-2008, së bashku dhe me Bledar Kolën (Panathinaikos), Besnik Hasin (Anderleht), Kliton Bozgon (Maribor), Besart Berishën (Hamburg) dhe Përparim Hetemajn (AEK), që kanë luajtur më parë me ekipet tyre, bëhen shtatë lojtarë që kanë vendosur foton e tyre në albumin e "Champions", një nga albumet më prestigjiozë të botës së futbollit.
Golat shqiptarë
I pari ishte Kliton Bozgo, i cili ka shënuar në Ligën e Kampioneve në fazën e grupeve. Beratasi shtatshkurtër, tashmë 35-vjecar, ka realizuar me skuadrën sllovene Maribor, me të cilin është shpallur edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit slloven të vitit 1998-1999. Një tjetër gol të rëndë në Ligën e Kampioneve ka shënuar Besart Berisha gjatë edicionit të kaluar kundër skuadrës ruse, CSKA e Moskës (3-2). Sulmuesi shqiptar, atëherë në radhët e Hamburgut, shfrytëzoi maksimalisht mundësinë e parë që i është dhënë nga trajneri Thomas Doll, i cili e aktivizoi për herë të parë si titullar. Rusët kaluan të parët në avantazh me golin e shënuar nga Ivica Olic nga penalltia, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë ka ardhur përgjigjja e skuadrës gjermane që barazon rezultatin me golin e Besart Berishës.
Tirana, aventura zgjati një tur
Kampionia e Shqipërisë, Tirana, mori pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve. Shorti e vuri përballë kampiones së Sllovenisë, NK Domzhale, ndaj së cilës i humbi të dy takimet: 1-0 në Slloveni dhe 2-1 në Tiranë, duke u eliminuar qysh në turin e parë. Një aventurë e shkurtër që zhgënjeu shumë jo vetëm tifozët e Tiranës, por dhe të të gjithë Shqipërisë, pasi në letër dhe në deklarimet e lojtarëve bardheblu dhe trajnerit Sulejman Starova kalimi i turit dukej i sigurt. Ja dhe turi i parë me 28 skuadra: SK TIRANA (SHQIPËRI), Rejnxhërs FC (Andorra), Piunik Jerevan (Armeni), Kazar Lenkoran (Azerbajxhan), Bate Borisov (Bjellorusi), FK Sarajeva (Bosnje Hercegovinë), Hapoel Nikosia (Qipro), Dinamo Zagreb (Kroaci), Levadia Talin (Estoni), Nju Seints (Uells), Olimpi Rustavi (Gjeorgji), Hb Torshavn (Ishujt Faroe), Tampere Junajtid (Finlandë), Derri Siti (Irlandë), Linfild Belfast (Irlanda e Veriut), Hafnarfjardur (Islandë), Fk Astana (Kazakistan), Dudelanxhe (Luksemburg), Fk Ventspils (Letoni), Fbk Kaunas (Lituani), Pobeda Prilep (Maqedoni), Marsakslok (Maltë), Sherif Tiraspol (Moldavi), Zeta Golubovci (Mali i Zi), Murata (San Marino), Msk Zilina (Sllovaki), NK Domazale (Slloveni), Elfsborg (Suedi).
Video: Marseje-Beshiktash 2-0