Simotrat e Champions në planet

Jo vetëm UEFA në Europë, por edhe pesë konfederata të tjera në mbarë planetin, organizojnë Ligën e Kampioneve, madje tri prej tyre, Azia (AFC), Afrika (CAF), Oqeania (OFC), e kanë me të njëjtin emër: "Champions League". Amerika e Jugut (ose CONMEBOL sic njihet homologia e UEFA-s) e quan "Kupa Libertadores" (Copa Libertadores), ndërsa Amerika e Veriut (CONCACAF) e ka emërtuar Kupa e Kampioneve (Champions' Cup). Aktualisht (duke filluar nga dje) në Ligën e Kampioneve të Azisë po luhen finalet me sistem eliminimi direkt, ku marrin pjesë tetë ekipe. Japonia paraqitet me Urava Reds (një ekip i superfinancuar) dhe shorti e ka vënë përballë kampionëve në fuqi, Jeonbuk Hyundai Motors nga Koreja e Jugut. Kavasaki Frontale do të përballet në Iran me ekipin vendas, Sepahan. Sirianët e Al Karama do të luajnë kundër Seongnam Ilhva Chunma të Koresë, ndërkohë që Al Vahda nga Emiratet e Bashkura Arabe do të përballet me Al Hilal nga Arabia Saudite. Fituesi do të marrë pjesë në Kupën e Botës për klubet që do të zhvillohet në muajin dhjetor në Japoni.
Kupa Libertadores
"Copa Libertadores" është turneu më prestigjioz për klubet në Amerikën e Jugut. Kampioni aktual është klubi argjentinas, Boka Zhuniors. Edhe klubi me më shumë trofe është një tjetër klub argjentinas, Indipedente (7 trofe). Emri i turneut është vendosur në homazh të Libertadores, grupit të udhëheqësve kryesorë në luftën për pavarësi në Amerikën Latine: Simon Bolivar, Pedro I i Brazilit, Hoze de San Martín, Antonio Hozed de Sukre, etj. Turneu është i sponsorizuar nga kompania japoneze e prodhimit të makinave, Tojota. Në fazën e grupeve marrin pjesë 32 ekipe.
Liga e Kampioneve e Azisë
Marrin pjesë klubet që kanë fituar kampionatin dhe fituesit e kupës së 14 ligave më të rëndësishme të Azisë. Turneu filloi në vitin 1967 me vetëm tetë klube. 29 klube morën pjesë në edicionin e vitit 2006. Kampioni aktual është klubi i Koresë Jugut, Jeonbuk Hyundai Motors, ndërsa klubi më i suksesshëm është Al-Ittihad nga Arabia Saudite, që e ka fituar 2 herë atë. Koreja e Jugut është kombi që e ka fituar më shumë herë atë: 7, ndërkohë që ka humbur në finale 4 herë të tjera. Klube nga Arabia Saudite e kanë fituar 4 herë (plus 5 finale të humbura).
Liga e Kampioneve e Afrikës
E themeluar në vitin 1964, Liga e Kampioneve të Afrikës e organizuar nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) është dhe kompeticioni më i rëndësishëm i klubeve në kontinentin e "zi". Klubet kampione nga ligat e futbollit marrin pjesë në ekuivalentin e Ligës së Kampioneve të Europës. Në fazën e grupeve marrin pjesë tetë ekipe (në Europë 32), të cilat ndeshen midis tyre me sistem eliminimi. Kampioni aktual është klubi egjiptian Al Ahli, që e ka fituar trofeun pesë herë, ashtu si klubi tjetër i Egjiptit, Al-Zamalek.
CONCACAF, Kupa e Kampioneve
Kupa e Kampioneve e federatave të rajonit të Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore dhe Karaibeve, është themeluar në vitin 1962 dhe në të marrin pjesë kampionët e kampionateve nga këto federata. Kampioni aktual është Pacuka, ekipi meksikan, që e ka fituar dy herë atë. Klubi më i suksesshëm është sërish meksikan: Meksiko Kruz Azul dhe Amerika (nga pesë herë kampion). Meksika, si komb, në total e ka fituar 23 herë, por klubet meksikane kanë humbur edhe 9 herë në finale. 18 skuadra meksikane e kanë fituar të paktën një herë Kupën e Kampioneve.
Liga e Kampioneve të Oqeanisë
Është shumë më e re se simotrat e saj. Fillimet e saj janë në vitin 1987, por me emrin Kampionati i Klubeve të Oqeanisë, ku marrin pjesë skuadra nga Australia, Zelanda e Re, Ishujt Fixhi, Kaledonia e Re, Polenisia Franceze, etj.. Turneu i fundit u zhvillua në vitin 2006 në Zelandën e Re dhe u fitua nga Aukland Siti. Këtë vit, ajo është emërtuar Liga e Kampioneve dhe kampioni i parë i Oqeanisë nën këtë format është Uajtakere United nga Zelanda e Re që fitoi me gol më shumë në fushën kundërshtare me ekipin nga Ishujt Fixhi, 4R Electrical.