Liverpuli në rënie të lirë, Benitez rrezikon shkarkimin
Pas pesë vitesh aventura e Rafael Benitez te Liverpul duket e destinuar të përfundojë. Spanjolli, në humbjen e katërt radhazi, rrezikon shkarkimin. Vetëm një fitore të dielën ndaj Mançester Junajtid mund t‘i shpëtojë pankinën, që mban prej 5 vitesh, pasi bashkëpronari i "Reds"-ave, Xhorxh Gilet, e ka vënë nën akuzë. Në fakt kishte 22 vjet, që Liverpuli nuk pësonte katër humbje radhazi: dy në kampionat kundër Çelsit dhe Sandërlendit, dy në Europë kundër Fiorentinës dhe të mërkurën kundër Lionit. Një humbje që paardhur në kohën shtesë (gol i Çezar Delgados), pas avantazhit të anglezëve me Benajun dhe barazimit francez në pjesën e dytë me Maksim Gonalons. Sikur të mos mjaftonin problemet në Champions, ku "Reds"-at kanë vetëm 3 pikë në tri ndeshje dhe 4 pikë distancë nga Lioni kryesues e 3 nga Fiorentina, edhe në Premier League situata nuk është më e mirë. Djemtë e Benitez janë -7 pikë nga kreu, që mbahet nga Mançester Junajtid: kundërshtarët historikë të "Djajve të Kuq" të dielën do të zbresin në fushë në "Anfield" për një ndeshje, e cila paralajmërohet se do të jetë shumë e tensionuar. Trajneri spanjoll bën sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe përqendrohet te problemet fizike të dy lojtarëve të tij kryesorë: sulmuesit spanjoll Fernando Torres dhe anglezit Stiven Xherrard. I vetmi që i ka dalë në mbrojtje është mesfushori argjentinas, Javier Maskerano.