E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetëra komuna ende të izoluara, ikin reshjet e borës

Temperaturat sot janë deri në minus 10 gradë në Kukës dhe Dibër. Situata e emergjencës është shpallur rreth 17 ditë më parë, ku dhjetëra fshatra në verilindje u izoluan plotësisht, duke mos pasur mundësi për komunikimin tokësor me pjesët e tjera të shoqërisë.

Shumica e komunave të bllokuar edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa në disa rruga është hapur deri në qendër, kryesisht komunat që janë më afër qyteteve përkatëse. Trashësia e dëborës rajonin e Dibrës ka shkuar nga 2 metra deri në 3.5 metra në disa zona. "Është normalizuar lëvizja në të katër korsitë në segmentin e autostradës Morin- Kukës- Tunel, ku janë në punë 2 fadroma dhe 4 borëpastruese", tha përgjegjësi i zyrës së emergjencave civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.

Sipas tij, situata është drejt përmirësimit edhe në akset e tjera rrugore, gjë që po lehtëson nga dita në ditë, nxjerrjen nga izolimi të banorëve të zonave të thella të verilindjes. 

Hapja e aksit rrugor Kukës-Qafë Shllak, ku po punojnë 3 fadroma dhe një borëpastruese, ka arritur deri në fshatin Mgullë, ndërsa lëvizja e mjeteve është e detyrueshme të kryhet me zinxhirë. Aksi rrugor Kukës-Shishtavec është i kalueshëm deri në Karanxhe dhe kanë mbetur vetëm pak kilometra deri në hapjen e plotë të rrugës deri në fshatin Shishtavec. Është përmirësuar ndjeshëm situata edhe në rrethin e  Hasit. Kështu është normalizuar lëvizja e mjeteve me zinxhirë nga qyteti i Krumës në drejtim të qytetit të Kukësit dhe në drejtim të Qafë Prushit. 

Ndërsa aksi rrugor Krumë- Bajram Curri është hapur deri në afërsi të Kam Tropojës. Në kushtet kur trashësia e dëborës arrin në mbi një metër, ende janë të izoluara komunat Shishtavec, Kalis, Arrën, Grykë Cajë, Ujmisht, Bushtricë dhe Surroj në rrethin e Kukësit. Ndërsa në rrethin e Hasit të 3 komunat janë lidhur me qytetin e Krumës. Ndërkohë, ende ekziston rreziku nga ortekët. Për këtë janë paralajmëruar për rrezikun edhe banorët e  fshatrave të Shtiqnit dhe Lojmes.

Situata po shkon drejt përmirësimin edhe në Qarkun e Shkodrës. Në zonat e thella të këtyre zonave mbetet problem ushqimi për blegtorinë.  "Momentalisht është problemi i pamundësisë për t’ia dërguar ushqimin fermerëve, sesa mungesa e tij, pasi një gjë e tillë mund të vijë në një fazë të mëvonshme", thotë  drejtori i Rajonal i Bujqësisë në Shkodër, Guri Beshi. Nga të dhënat e para të marra në terren, gjendja më e vështirë, sipas drejtorit Beshi, paraqitet në 17 komuna. 8 janë të Pukës, 7 të Shkodrës, kryesisht Dukagjini dhe 3 komuna të Malësisë së Madhe, Kastrat, Shkrel dhe Tamarë, ku  në veçanti gjendja është e rëndë paraqitet në sektorin e blegtorisë. /Start/

                                                                                             2012-02-17 11:05
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›