E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama: Aleanca Kuqezi është kundër së djathtës

Kreu socialist deklaroi dje se, Shqipëria ka “një demokraci jofunksionale”. I ftuar në emisionin “Bugajski Hour” në ‘Albanian Screen’, Rama është shprehur edhe për 21 janarin. “Nga ana tjetër, po demonstrata u shoqërua në disa rrugë nga dhuna, e cila ishte kryesisht një reagim ndaj provokimit të panevojshëm të forcave të policisë”, - tha Rama. Sipas tij, “varianti i kryeministrit është një fotokopje e keqe e asaj që kemi dëgjuar në kohën e regjimit të vjetër për forcat e brendshme që përpiqen të sabotojnë partinë e lavdishme komuniste dhe qeverinë e saj”.
Duke marrë parasysh akuzat e vazhdueshme të opozitës për manipulim me zgjedhjet, centralizimin politik si dhe të shtënat kundër demonstruesve. Siç i pamë ngjarjet tragjike vitin e kaluar... Ideja që Shqipëria nuk është një vend plotësisht demokratik apo që është një demokraci e rastësishme, dhe ka shumë mundësi të jetë një demokraci e dështuar... Si do përgjigjeshit ndaj këtyre konstatimeve?
Do të thoja se Shqipëria është një demokraci jo funksionale. Kjo është vërtetuar jo vetëm nga ngjarjet që ju përmendët, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Jo vetëm për sa u përket institucioneve qeveritare, por edhe për sa i përket jetës së përditshme, Shqipëria është një demokraci jo funksionale.
Jo funksionale nënkupton që ajo ka qenë një vend demokratik dhe tani nuk po përmbush dot pritshmëritë e saj fillestare, apo është kjo pjesë e fazës së rritjes në periudhën post komuniste?
Mendoj se 20 e ca vjet janë shumë për të thënë se kjo është pjesë e rritjes apo e rrugës drejt një demokracie funksionale. Mendoj se Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë liri, por kjo liri është kërcënuar herë pas dhe herë shumë gjatë këtyre 20 viteve. Pra, nuk mund të them se vendi ka qenë një demokraci funksionale dhe tani ajo është jo funksionale. Por, pa dyshim mund të them se ka qenë një demokraci shumë më funksionale se sa është tani.
Kush është përgjegjës për këtë?
Nëse marrim në konsideratë të gjithë procesin dhe të gjithë shoqërinë, apo të gjithë spektrin politik, mund të jetë një përgjegjësi e ndarë duke filluar nga qytetari i thjeshtë e duke vazhduar me të gjithë të tjerët më lart. Por, nëse e trajtojmë si pjesë të një rruge të ndjekur, siç e thashë edhe më parë, ne nuk mundëm të ndërtonim një demokraci funksionale, dhe tani po përballemi me degradimin e asaj që kemi pasur më parë. Por sigurisht, përgjegjësia është plotësisht e qeverisë.
Në emisionin tim të parë intervistova kryeministrin, dhe ai mendonte se opozita po planifikonte njëfarë grushti shteti në ngjarjet e 21 janarit. Si do t’i përgjigjeshit kësaj akuze dhe a do merrnit ju dhe Partia Socialiste ndonjë përgjegjësi për ngjarjet tragjike të 21 janarit?
Mendoj se një vit mjafton për të vërtetuar njërin apo tjetrin variant. Provat po bërtasin për të treguar përgjegjësinë e qeverisë, vrasjet e njerëzve si dhe atë që po ndodh me procesin e hetimit. Falë qeverisë amerikane dhe FBI-së, ai ka bërë një përparim të konsiderueshëm, por në të njëjtën kohë është penguar egërsisht nga qeveria. Nga ana tjetër, po, demonstrata u shoqërua në disa rrugë nga dhuna, e cila ishte kryesisht një reagim ndaj provokimit të panevojshëm të forcave të policisë. Por, hetimi ka përparuar edhe në këtë drejtim. Shumë protestues janë hetuar, janë paditur dhe madje janë ndëshkuar, por nuk ka asnjë provë për të besuar variantin e kryeministrit. Varianti i kryeministrit është një fotokopje e keqe e asaj që kemi dëgjuar në kohën e regjimit të vjetër për forcat e brendshme që përpiqen të sabotojnë partinë e lavdishme komuniste dhe qeverinë e saj.
A do t’i pranoni rezultatet e procesit të hetimit?
E kemi ndjekur procesin dhe deri diku dyshuam se ai ishte i njëanshëm. Pra, po hetoheshin dhe po nxirreshin në gjyq vetëm protestuesit. Por, edhe gjatë asaj periudhe nuk reaguam politikisht për të penguar apo ndaluar hetimin. Sot mund të themi me krenari se pranuam edhe kërkesën e kryeprokurores për të vijuar hetimin duke kërkuar heqjen e imunitetit për 3 nga anëtarët tanë në parlament. Do ta bëjmë këtë edhe për të tjerë nëse do të jetë e nevojshme. Për ne kjo çështje lidhet me të vërtetën, vetëm të vërtetën, dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës.
Përpara se t’ju pyes pak më shumë për Partinë Socialiste, më lejoni t’ju pyes për kualifikimin e Shqipërisë apo mungesën e tij për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Në lidhje me problemet që ju përmendët, shumë zyrtarë evropianë akuzojnë të dyja partitë për përfshirje në politikë partizane, në nxitjen e polarizimit...Si do t’u përgjigjeshit këtyre akuzave?
Nuk kam qenë kurrë i kënaqur me këtë gjë sepse nuk mendoj se termi “përgjegjësi e përbashkët” mund të përdoret për t’i barazuar përgjegjësitë. Sigurisht, siç e thashë edhe më parë, në një proces të tillë, i cili është një proces historik madhor dhe i cili lidhet me ndryshime dramatike për një shoqëri si tonën, të gjithë kanë përgjegjësitë e tyre, madje edhe një qytetar i thjeshtë. Por, askush nuk mund të pretendojë se kjo përgjegjësi është në të njëjtin nivel. Qeveria është përgjegjësi kryesor dhe qeveria duhet të konsiderohet përgjegjëse për këtë vonesë dhe për dështimin e disatë të Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat.
Për sa i përket kualifikimit për në Bashkimin Evropian, presupozohet se ju duhet të bashkëpunoni në parlament me koalicionin qeverisës për të ecur përpara me ligjet apo vendime të tjera jetësore për kualifikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.
Sigurisht, por siç tregon përvoja e vende të tjera, të cilat kanë dalë nga një e shkuar komuniste. Ashtu siç e tregon mjaft mirë përvoja juaj në Amerikë. Kur bëhet fjalë për të krijuar konsensus dhe për ta bërë opozitën pjesë të lojës, është mazhoranca ajo që përpiqet shumë për të gjetur mënyrat për të bërë kompromis. Pra, nëse shohim përpjekjet e Presidentit Obama në këtë drejtim, i cili përpiqet ta bindë palën tjetër të votojë projekt-ligjet e tij, ky është shembulli më i mirë që ti nuk duhet të mbash pozicionin tënd dhe të thuash “Unë mund të bëj gjithçka”, sepse opozita nuk do të marrë pjesë. Kjo është e pamundur dhe nuk është aspak mënyra se si duhet të shihen gjërat. Politika është arti i kompromisit. Dhe sigurisht, kompromisi është arti i atyre që kanë pushtetin dhe janë të gatshëm të bëjnë diçka me të, duke i ndarë përgjegjësitë.
Nëse shohim spektrin politik në Shqipëri, veçanërisht lëvizjet dhe partitë e reja që po krijohen, cili është mendimi juaj për Aleancën Kuq e Zi? A mund të bëhet kjo lëvizje një forcë e rëndësishme politike? A mund të tërheqë ajo disa nga këta të rinj, të cilët janë të lodhur me strukturën politike, mbase të lodhur me të dyja partitë politike? A duhet të tregojmë kujdes për këtë lëvizje?
Fillimisht, mendoj se kjo lëvizje vjen si shprehje e zemërimit dhe pakënaqësisë ndaj palës së djathtë, por është gjithashtu një lëvizje që mund të tërheqë të rinjtë që nuk kanë një pikë referimi. Siç e thashë, debati publik varfërohet ditë pas dite, presioni shtohet ditë pas dite, frika nga pasojat në jetën e cilitdo po shtohet ditë pas dite. Nuk më pëlqen që shqiptarët ta fillojnë këtë udhëtim për shkak të mungesës së alternativave dhe për shkak të zemërimit. Ne e dimë mjaft mirë çfarë mund të sjellë ky zemërim. Po, ekziston një mundësi, por unë e shoh kryesisht si pakënaqësi dhe zemërim ndaj palës së djathtë.
Pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet e ardhshme, jam i bindur se mazhoranca nuk do fitojë aq shumë vota sa për të qeverisur. Jam i sigurt që do ketë një koalicion. Do të ketë nevojë për bashkëpunim në parlament. Me siguri, do kërkohet nga të dyja palët kryesore të bashkëpunojnë për çështjet më të rëndësishme. Ato duhet të bëjnë disa kompromise për programin evropian. A do thonit tani, përpara zgjedhjeve, kurdo që të mbahen ato, se do jeni i gatshëm të bëni kompromise?
Ne kemi fakte. Ne kemi fakte të cilat janë të qarta. Kur bëhej fjalë për të ndihmuar dhe për të dhënë kontributin tone për pranimin e Shqipërisë në NATO, ne ishim në opozitë. Ne morëm iniciativat dhe këmbëngulëm për një përpjekje të përbashkët. Dhe ne ia dolëm mbanë. Pra, sigurisht, nesër kur do të kemi shumicën e nevojshme për të qeverisur, duhet të kemi një mazhorancë më të madhe për të marrë vendime më të vështira. Dhe sigurisht, do të jemi gjithmonë të gatshëm të eksplorojmë mundësinë për të bashkëpunuar me palën tjetër. Por, jo siç po bëjnë ata tani, duke thënë: “Ne jemi këtu, dhe nuk mund të bëjmë asgjë sepse opozita nuk po voton ligjet”. Jo. Por duke e kërkuar opozitën, duke qenë të hapur dhe duke e pyetur opozitën se si mund t’i arrijmë qëllimet tona.
A do ta shihnit zgjidhjen e problemeve të brendshme të Kosovës dhe ndërkombëtare përmes një bashkimi të detyruar me Shqipërinë?
Nuk mendoj se Shqipëria e madhe, siç është përfytyruar nga ata që nuk e lanë shekullin e 21-të si një mundësi. Unë mendoj se shqiptarët së bashku, pa kufij, pa asnjë lloj kufizimi, nën qiellin e Bashkimit Evropian, janë një vizion dhe një projekt shumë real dhe i prekshëm.
Pra, “jo” për një Shqipëri të madhe, por “po” për çështje ekonomike dhe sociale?
Absolutisht po, dhe përtej kësaj. Një Shqipëri e madhe në të gjitha këto aspekte, si pjesë e një rajoni që është pjesë e Bashkimit Evropian, dhe pjesë e një epoke krejtësisht të re. Ne jetojmë në një epokë tjetër. Pra, nuk kemi më mure. Tashmë vendet, komunitetet dhe njerëzit ndahen vetëm nga rrjetat. Ne duhet të përshtatemi me këtë, dhe duhet ta shohim bashkimin e shqiptarëve si pjesë të kësaj epoke të re. Nuk duhet të kthehemi tek vizionet e vjetra, të cilat ishin të kufizuara nga vetë koha.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›