E Diel, 1 Nëntor 2026

Emergjenca nuk ka kaluar në veri

 Sot, moti është përmirësuar, megjithëse temperaturat janë nën zero. Në qytetin e Kukësit ishte sot edhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila theksoi se shteti është në Kukës për t’u ardhur në ndihmë banorëve.

“Është një shprehje e vullnetit të madh  për të mos lejuar përkeqësimin e situatës, të mos ketë energji, apo bllokim të akseve rrugore  nacionale që tashmë janë të hapura”, tha Topalli. Duke iu referuar përmirësimit të ndjeshëm të motit, Topalli vuri në dukje se,  “koha  po bën që puna të avancojë më shumë në normalizimin e situatës. E rëndësishme është që shteti është këtu  24 orë në 24”, theksoi Topalli. Kryetarlamentarja Topalli vlerësoi bashkëpunimin e të gjitha strukturave për  minimizimin e pasojave negative.

“Moti nuk varet nga ne, po kujdesi po”, tha Topalli. "E rëndësishme", tha ajo, "është që në këtë situatë të vështirë kemi arritur  koordinimin e  të gjitha hallkave, duke filluar nga komisioni ndërministror, mbështetja e madhe e mjeteve të ushtrisë, ç'ka bëri që pasojat e reshjeve të  mëdha të dëborës të mos ndjehen shumë". Në vizitën e tij, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, tha se aktualisht janë në dispozicion 800 forca dhe 200 mjete, përveç atyre në terren.

Ministri Imami, duke folur për situatën e krijuar dhe masat që janë marrë nga qeveria, Forcat e Armatosura dhe të gjithë strukturat e tjera theksoi se pika kulmore e kësaj situate po kalon, por shtoi se emergjenca vazhdon. “Ndonëse piku i kësaj situate po kalon, emergjenca vazhdon dhe për këtë duhet të jemi realist. Ne kemi qënë të sigurtë që do ta kalonim me sukses edhe këtë situatë. Kjo falë bashkëpunimit të ngushtë që Forcat e Armatosura kanë pasur me pushtetin lokal dhe komunitetin në tërësi, pa mbështetjen të cilëve nuk do të ishim këtu ku jemi”, theksoi ai.

Më pas, ministri Imami është shprehur se, e rëndësishme është që në të gjithë këtë situatë nuk kemi pasur humbje në njerëz. “Kam garantuar Qeverinë dhe ministrin e Mbrojtjes se do të bëjmë të gjitha përpjekjet e nevojshme që dëmet të jenë sa më të vogla. Ne kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme në forca dhe mjete që të kapërcejmë këtë situatë emergjence. Jemi shumë të kënaqur me punën që Forcat e Armatosura kanë mundur të realizojnë në zonën tuaj, duke bërë të pamundurën të mundur”,  është shprehur në këtë takim shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Gjunkshi.

Ndërkohë, situata në rrethin e Tropojës po shkon drejt përmirësimit, ndërsa po vazhdon puna për hapjen e rrugëve. “Gjatë dy ditëve të fundit është bërë një punë e madhe, ndërsa aktualisht janë ende të izoluara komunat e Lekbibajt, Llugajt  dhe Bytyçit, ndërsa ritmet e punës për rihapjen e akseve rrugore janë rritur dhe në këtë proces po marrin pjesë edhe një numër mjetesh të Ushtrisë”, bëri të ditur kryetari i bashkisë së Bajram Currit, Agron Demushi. Gjithashtu po punohet për rihapjen e akseve rrugore rurale, ndërsa aksi rrugor Bujan-Bajram Curri është hapur tërësisht, ndërsa po punohet për rihapjen e aksit rrugor Dushaj-Lekbibaj.

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, zhvilluan sot një inspektim në Pukë, një nga rajonet në veri të vendit të prekur nga reshjet e dendura të  dëborës, duke parë nga afër situatën dhe veprimtarinë e strukturave shtetërore për përballimin e saj.  Nishani dhe Ruli kanë zhvilluar takime me autoritetet lokale të Pukës, që janë përfshirë në operacionet e ndihmës për banorët e zonës si dhe në zhbllokimin dhe pastrimin nga dëbora të akseve rrugore.

Dy zyrtarët e lartë të qeverisë kanë shprehur angazhimin institucional për përballimin e situatës së emergjencës të krijuar në disa rajone të vendit,  kryesisht atyre malore pas reshjeve të dendura të dëborës, ngricave dhe erërave të forta të ditëve të fundit. Nga Puka, ministrat Nishani dhe Ruli kanë deklaruar se akset rrugore nacionale janë të hapura, ndërkohë që po punohet me intensitet si për hapjen dhe mbajtjen hapur te akseve rurale.

Në juglindje të vendit, në Qarkun e Korçës, rrugët janë hapur në drejtim të gjashtë komunave. Mbrëmë u deklarua e hapur rruga për në komunën e Lekasit, Liqenasit, Çlirimit, Novoselës, të  tre komunave të Mokrës dhe është në përfundim rruga që të çon në Dardhë.

"Ministria e Shëndetësisë bëri të mundur dërgimin e një sasie ndihme, medikamentesh, të cilat janë mbledhur nga distributorët farmaceutikë. Ne menjëherë do bëjmë shpërndarjen e tyre për tu ardhur në ndihmë qendrave shëndetësore. Për fatin e mirë personelin shëndetësor në komunat i kemi të gjithë vendas dhe shërbimi kryhet çdo ditë në familje", tha Ylli Qirinxhi, drejtor i Shëndetit Publik. /Start/

                                                                                             2012-02-17 15:50
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›