E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, vendosi sot të lironte nga detyra Shaqirin. Në vend të tij është emëruar Visho Ajazi Lika. Në një njoftim të shkurtër, Presidenca bën me dije se shkarkimi është bërë me propozim të kryeministrit. 

“Konflikti” Berisha-Shaqiri

Që me ardhjen në pushtet në vitin 2005, kryeministri Sali Berisha nuk kishte ndonjë preferencë për Shaqirin, megjithëse kishte pak kohë që ky i fundit ishte emëruar në këtë post.  U deshën të kalonin katër vite, kur mazhoranca kërkoi hartimin e një ligji për kufizimin e mandatit të kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Në pranverën e vitit 2009, debatet për këtë çështje shkuan deri në Bruksel, përveç se midis dy partive të mëdha pati akuza të vazhdueshme. Ligji u debatua gjatë, por pavarësisht përpjekjeve, mazhoranca nuk arriti ta miratonte për shkak edhe të kundërshtisë së fortë të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s.

Kulmi i pakënaqësisë së kryeministrit Berisha ndaj Shaqirit, arriti në demonstratën e dhunshme të 21 janarit të vitit 2011, kur e akuzoi atë direkt si pjesëmarrës në këtë ngjarje që u mbyll me katër të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Kryeministri deklaroi në atë kohë se Shaqiri, kryeprokurorja Ina Rama, Presidenti Bamir Topi dhe kreu i opozitës, ishin përfshirë në një komplot kundër shtetit ligjor në Shqipëri.

Për këtë arsye, mazhoranca ngriti një komision hetimor parlamentar për të hetuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ Shtetëror para dhe gjatë 21 janarit, hetime që nuk u zhvilluan kurrë. Akuzat e mazhorancës vazhduan edhe gjatë javëve në vijim, dhe më pas e gjithë “historia e komplotit” u harrua.

Kryetari i ri njeri i “afërt” i Berishës!

Visho Ajazi Lika, deri më tani ka qenë zëvendësministër për Teknologjinë e Informacionit. Lika njihet për përvojë të gjatë dhe bashkëpunim të vjetër me kryeministrin Sali Berisha, me të cilin ka punuar që në kohën kur Berisha drejtonte Presidencën.

Visho Lika është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Matematikë (1976-1981).  Në vitin 1991, ai mbrojti doktoraturën në Shkenca Kompjuterike dhe në periudhën mars-korrik 1993 dhe një studim post doktoraturë në Universitetin Politeknik të Barcelonës.

Në periudhën maj 1993- qershor 1997, ka mbajtur postin e diplomatit dhe të drejtorit në Ministrinë e Jashtme. Që nga dhjetori i vitit 2009 deri më tani ai mbante detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Inovacionit, Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit.

Veprimtaria e SHISH

Sipas ligjit për veprimtarinë e SHISH-it, drejtori e zëvendësdrejtori i këtij institucioni emërohen e shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryetarit të Këshillit të Ministrave.

Në nenin 3 të tij saktësohet që: “Shërbimi Informativ Shtetëror mbledh informacion nga jashtë në funksion të sigurimit kombëtar, kryen veprimtari kundërzbulimi për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues, mbledh informacion për terrorizmin, për prodhimin dhe trafikun e narkotikëve, për prodhimin e armëve të dëmtimit në masë, për krimet kundër mjedisit, mbledh informacion për krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare”.

Shërbimi Informativ Shtetëror në funksion të realizimit të detyrave të tij mund të bashkëpunojë me shërbimet informative të vendeve të tjera. SHISH bashkëpunon me institucionet e tjera shtetërore në zbatim të këtij ligji, duke u dhënë informacion deri në atë masë që lejon mbrojtja e burimeve dhe e metodave të punës.

Për të realizuar qëllimin në funksion të sigurimit kombëtar, Shërbimi Informativ Shtetëror bashkërendon dhe drejton punën për grumbullimin e shkëmbimin e informacionit me shërbimet informative të strukturave të tjera shtetërore, të parashikuara me ligj.

SHISH po kështu bashkëpunon edhe me entitetet të tjera informative shtetërore apo të huaja në zbatim të ligjeve dhe urdhërave ekzekutivë me qëllim të kontribuojë natyrshëm në ruajtjen dhe forcimin e sigurisë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare.

Kryetari në ikje

Bahri Shaqiri është emëruar në postin e kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror më 27 janar të vitit 2005, me propozim të presidentit të asaj kohe, Alfred Moisiu. Në atë kohë, në pushtet ishte Partia Socialiste. Karriera e Shaqirit pranë SHISH-it ka nisur më herët që në vitin 2002, kur ai ishte emëruar shef kabineti në këtë institucion.

Njëkohësisht, ai ka vazhduar edhe studimet, ku në vitin 2005, fitoi titullin Avokat. Në vijim ka marrë titullin “Master Shkencor” në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Në 2009 i jepet titulli “Auditues i Brendshëm në sektorin publik”, lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit, Ministria e Financave. Aktualisht i angazhuar në studime të ciklit të tretë në kërkim të gradës shkencore Doktor. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-08-09 14:12
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›