Dhoma Amerikane: Zbatoni amnistinë
Fabiola Çela
Qeveria duhet të zbatojë ligjin për amnistinë fiskale. Ky ka qenë reagimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, në lidhje me ligjin për amnistinë fiskale. Nëpërmjet një letre, ata i kanë kërkuar kreut të Ministrisë së Financave Bode, që të marrin masat e duhura në mënyrë që ky ligj të zbatohet.
Biznesi
Administrata doganore dhe ajo tatimore nuk është duke zbatuar ligjin mbi amnistinë fiskale. Një gjë e tillë ka irrituar biznesin, të cilët i kanë dërguar Ministrisë së Financave një letër ku akuzojnë tatimet dhe doganat për keqpërdorim të ligjit.
“Ligji për Amnistinë Fiskale është në ditët e fundit të afatit ligjor, e megjithatë duket se janë të shumta bizneset që e kanë gjetur veten jashtë privilegjit të amnistisë. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është thellësisht e shqetësuar për interpretimin që po i bëhet së fundmi ligjit në fjalë nga qeveria shqiptare, duke krijuar premisa përjashtuese për një kategori biznesesh që kanë guxuar të çojnë pretendimet tyre para gjykatës”, thuhet në deklaratën për shtyp të dhomës. Madje Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar qeverisë një zbatim korrekt dhe jo përjashtimor të ligjit ekzistues, duke mos penalizuar kategorinë e bizneseve, të cilët janë duke ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për t’ju drejtuar gjykatës. “Dhoma Amerikane, duke ndjekur me vëmendje këtë proces, ka vënë re se ligji për amnistinë fiskale dhe mënyra se si po synohet zbatimi i tij nga organet tatimore dhe doganore, ka shkaktuar shqetësim në rrethet e biznesit. Abuziviteti në fakt nuk qëndron te ligji që nuk shpreh në asnjë pikë të vetën se do të përjashtojë këtë kategori biznesesh, por te mënyra se si organet tatimore dhe doganore kërkojnë të interpretojnë ligjin duke shkelur kështu parimin e rëndësishëm të zbatimit të barabartë të ligjit për të gjithë”, thuhet në deklaratë. Pikërisht për këto arsye Dhoma Amerikane i ka dërguar një letër të hapur instancave më të larta qeveritare, ku i ka kërkuar që të ndikojnë me autoritetin e tyre mbi punonjësit e doganave dhe tatimeve, në mënyrë që të mos zbatojnë ligjin me kritere përjashtimore mbi biznesin. Në fakt kjo nuk është hera e parë që komuniteti i biznesit përplaset me qeverinë. Vetëm pak kohë më parë, ligji i njohur si ligji i gjobave u bë shkak për një debat të ashpër mes biznesit dhe qeverisë, ku komuniteti i biznesit e kundërshtoi ashpër këtë ligj.
10 mars 2009
Nr. _______ Prot.
Në vëmendje të: Z. Ridvan Bode
Ministër
Ministria e Financave
Tiranë
Për dijeni: Z. Florion Mima
Zëvendësministër
Ministria e Financave
Tiranë
Z. Artur Papajani
Drejtor i Përgjithshëm
i Tatimeve
Tiranë
Z. Përparim Dervishi
Drejtor i Përgjithshëm i Doganave
Tiranë
Re: Zbatimi i ligjit nr. 9986, datë 11.9.2008 “Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, të detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve e të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe të gjobave e kamatevonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore” (“Ligji për Amnistinë Fiskale”) dhe i Udhëzimit të Ministrit të Financave nr.33, datë 27.10.2008 “Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, si dhe të gjobave e kamatëvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore”.
Letra dërguar ministrit Bode
Të nderuar Zotërinj,
Dhoma Amerikane e Tregtisë shpreh shqetësimin e saj lidhur me moszbatimin e saktë të Ligjit për Amnistinë Fiskale (Ligjit).
Nga kontaktet me drejtues të Tatimeve dhe Doganave, anëtarët e Dhomës Amerikane janë vënë në dijeni nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve që ata interpretojnë Ligjin për Amnistinë Fiskale dhe Udhëzimit nr. 33 në këtë mënyrë: tatimpaguesit që duan të përfitojnë nga Ligji për Amnistinë Fiskale duhet të heqin dorë (nëse e kanë filluar apo duan të fillojnë) nga apelimi administrativ apo gjyqësor kundër vlerësimeve tatimore apo doganore. Nëse zbatohet në këtë mënyrë, atëherë tatimpaguesit humbasin të drejtën për të apeluar vlerën e principalit, në kurriz të përfitimit nga amnistia për gjobat dhe interesat.
Ky interpretim i Ligjit Për Amnistinë Fiskale dhe Udhëzimit përkatës është në kundërshtim me qëllimin e “Amnistisë Fiskale” dhe dispozitat në fjalë, dhe ne besojmë se ky nuk ishte qëllimi i hartuesve të Ligjit. Në fakt, në rast se do të kishte ndonjë detyrim për të tërhequr apelimin administrativ apo gjyqësor, kjo gjë duhej të ishte e përcaktuar shprehimisht në Ligj.
Neni 2 i Ligjit parashikon se në rastin e detyrimeve tatimore/doganore të njoftuara rregullisht, kushti që duhet përmbushur për përfitimin e amnistisë mbi gjobat dhe interesat, është pagesa e principalit të detyrimit brenda një afati 6 mujor nga hyrja në fuqi e ligjit.
Nga ana tjetër, paragrafi 2.1 i Udhëzimit përcakton si kushte të vetme për përfitimin e faljes së gjobave dhe kamatëvonesave sa më poshtë: (i) të jetë nxjerrë akti administrativ i kërkuar nga ligji dhe të jetë regjistruar/kontabilizuar si detyrim i tatimpaguesit/debitorit dhe (ii) rradha e pagesës të marrë në konsideratë pagimin së pari të tatimit/detyrimit doganor (principali), në mënyrë që të bëhet i mundur zbatimi i Ligjit për Amnistinë Fiskale.
Për më tepër, paragrafi 2.4 dhe paragrafi 2.6 të Udhëzimit parashikojnë se do t’u falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat edhe tatimpaguesve (debitorëve në rastin e detyrimeve doganore) që janë në proces apelimi apo në proces gjyqësor nëse është paguar apo do të paguhet shuma e detyrimit (principalit) brenda 6-muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Siç rezultat, Ligji për Amnistinë Fiskale dhe Udhëzimi i Ministrit të Financave nuk kanë parashikuar shprehimisht kushtin e heqjes dorë nga apelimi si dhe nuk kanë lënë vend për interpretime që mund të cenojnë të drejtën e apelimit kundër vlerësimeve të administratës.
Me respekt
Philip H. Bay
President i AmCham