E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne bashkëjetuam, pastaj u vramë

(Monologu i parë për Tjetrin. Çdo ngjashmëri me ngjarjet e vërteta, është e qëllimshme)

Sllavenka DRAKULIQ

Mira V. 41-vjeçare, e ëma e Verica V. 10-vjeçare
Deklaratë dhënë psikologut të shkollës

“E di, e di pse më keni thirrur në shkollë!” Mësuesja pohon se ka një javë të tërë që kur Verica nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme. “Rregullisht i shkruan detyrat, kur e nxjerrin para tabelës gjithashtu shkruan, por kur diçka e pyet, ajo nuk e çel gojën. Thjesht, fëmija ka mbetur si e pagojë.” Një ditë më thirri mësuesja, më tha se nuk dinte ç’të bënte me të, nga t’ia fillonte dhe më pyeti pse Verica kundërshton të flasë. Përndryshe, ajo është nxënëse e shkëlqyer. Unë i them: “Zonja mësuese (sa nuk i thashë shoqe mësuese, si atëherë kur unë shkoja në shkollë), ajo edhe në shtëpi nuk flet. As çfarë ka për darkë, as faleminderit, as të lutem – thjesht asgjë! Ju jeni një grua e shkolluar, lexoni gazeta, shikoni televizorin. E dini se babai i Vericës është burgosur, të gjitha i dini.” “Keni të drejtë, thotë ajo, e njohu këtë rast. Por Verica më shqetëson, ajo duhet ndihmuar. Sepse nëse vazhdon kështu, do t’i duhet të shkojë te mjeku.”
Dhe kjo zgjati edhe në shtëpi, edhe në shkollë. Unë i them: “Vericë xhan, më thuaj ç’ke?” E ajo vetëm më shikon me ato sytë e mëdhenj të zi dhe atëherë shkon e mbyllet në dhomën e saj, ku zëshëm, shumë zëshëm dëgjon muzikë. E kam të qartë se fëmija është e shokuar dhe se unë – e kush tjetër? – duhej t’i shpjegoja pse e kishte babain në burg. Njoh edhe të tjerë që duhej të ishin atje e nuk janë. Por, ja, na ndodhi neve kjo fatkeqësi.
Por, këtë nuk mundem t’ia them, mendoj se ky nuk është kurrfarë shpjegimi. Andaj ulem në kuzhinë dhe qaj. Do të më shkatërrohet fëmija, burrin ma morën policët, çka do të ndodhë me ne? Nuk di nga të shkoj, kujt t’i drejtohem dhe ç’të keqe i kam bërë Zotit, që të më ndodhë kështu? Nuk mundem të ngushëllohem, mëkat e kam të mendoj se çka do të ndodhte, po qe se... Më falni, por e tillë jam, pak të lëndohen e filloj të qaj. Nuk mundem më. Jam e dëshpëruar. Më thoni, si t’ia shpjegoj, si? Çka t’i them? Dhe si do ta kuptojë ajo tërë atë që ndodhi, ajo është fëmijë e lindur pas luftës.
Ju faleminderit për ujin, tani jam më mirë.

* * *
Nga t’ia filloj? Që nga lindja e Vericës? Nga lufta? Apo me atë televizorin e mallkuar? Televizori ynë gjithmonë është i hapur. Ai ndjek lajmet dhe sport, ndërsa unë ato, ato, si i quajnë, serialet. Vogëlushja ndjek filmat vizatimorë e muzikë – kuptohet, pasi i bën detyrat.
Atë ditë rrinim përpara televizorit, në të vërtetë unë sorollatesha nëpër kuzhinë, kur dëgjoj se do të emitohej njëfarë filmi për Srebrenicën. Nuk i kushtoja rëndësi, nuk kishte të bënte me mua. Do doja t’i harroja të gjitha, luftën, Srebrenicën. Burri im zgjohet natën e bërtet i larë në djersë. Mezi arrij ta qetësoj. Kur shkova në dhomë, ai rrinte ulur në kanape, i shtangur. Sodiste ekranin thua se shihte fantazma. E atje, ushtarët kishin marrë me vete disa të rinj. Ishin pesë a gjashtë veta, me duar të lidhura pas shpine. I ngula sytë më vëmendshëm dhe m’u bë se pashë atë, burrin tim, të veshur me një uniformë të larmishme! Por nuk isha e sigurt, ende asgjë nuk parandieja. Shoh herë televizorin, herë fytyrën e tij, që ishte bërë e çuditshme, e palëvizshme. Në atë çast e njoha zërin e tij, shante diçka. Pas asaj të shtëna. Vrisnin. Të rinjtë përplaseshin mbi tokë. Më erdhi edhe më rëndë, kur e pashë si shkelmonte të vdekurin, djaloshin që ishte shtrirë mbi tokë.
Atëherë ai e mbylli televizorin. “Mori fund, mbarova, ua shkërdhevsha nënën”, belbëzoi dhe e lëshoi kokën mes duarve. Unë doja ta kapja për dore. “Çfarë ka marrë fund?”, e pyes. Ai më shtyn, ashtu vrazhdë, sa nuk më godet. Atëherë kthehem dhe shoh Vericën. E kuptoj se tërë kohën kishte qëndruar pranë derës së dhomës së vet dhe çdo gjë kishte parë. Qëndron ashtu e zbehtë dhe e akullt, duke na shikuar. Nëpër faqe i rrokullisen lotët. “Vericë, Vericë!”, bërtas thuaj se e thërrisja në largësi. Ajo qëndronte disa hapa larg meje. Në atë çast, ai çohet dhe niset drejt saj. Ajo ia përplas derën dhe mbyllet brenda –dëgjova qartë çelësin si u rrotullua në bravë. Atëherë, i egërsuar, ai filloi ta godiste derën e dhomës së saj me grushta. “Hape”, këlthet, “hape shpejt!” Unë bërtas: “Lëre, lëre gocën!”, dhe e tërheq mbrapa kah kanapeja. Kisha frikë se do ta rrihte në atë situatë. Nuk e dija pse iu vërsul derës ashtu. Sigurisht, i erdhi rëndë që e bija e pa ashtu në televizor, mendoja.
Pastaj u ligështua, thuajse përnjëherë iu shterën forcat. U përplas mbi kanape si thes i zbrazur. Më erdhi keq për të. Mora një shishe raki nga dollapi. Le të pijë një gllënjkë, mendoja, do ta ketë më lehtë, do të qetësohet. Ai piu mirë, ashtu siç dinte dhe ndezi një cigare. ǒështë e drejta, gëlltita edhe unë.
Dhe rrinim ashtu ulur, pinim e heshtnim, ç’mund të thuhej?

* * *
Herët në mëngjes, dikush i ra ziles. E dinim, policët kishin ardhur ta merrnin. Tani është në burg. Pret gjykimin – me siguri këtë e dini. Ja, që nga çasti kur e pa atë film, Verica kurrë më nuk ka folur.
Nuk dua me këtë ta mbroj burrin. Le të mbrohet vetë në gjyq. Por, megjithatë...
Verica ka lindur në vitin 1995, pas luftës, në vjeshtë. Ne këtu kemi ardhur nga Knini, nga Krahina. Jam refugjate, kam ikur gjatë “Shtrëngatës”, asokohe barkun e kisha të fryrë. Isha para lindjes. Ai u largua nga Knini qysh më parë. Burri im ishte kapiten në APJ. Pastaj u bë komandant në ushtrinë e RAS të Krahinës. Kaloi këtej më herët, u paraqit si vullnetar, me siguri në radhët e Shkorpionëve. Nuk e di, këto nuk i fliste me mua, as ku shkonte, as çka bënte. Rregullisht dërgonte para. Përndryshe, me çka do të jetonim? Gjithmonë ka qenë ushtarak, punë tjetër nuk dinte. Deri në “Shtrëngatë”, punoja si arkëtare në shtëpinë e mallrave në Kninë.
Sa e kishim mbuluar shtëpinë, thuajse e kishim përfunduar, edhe pak gjëra na mungonin. E unë kisha mbushur të tridhjetat, s’kisha ç’të prisja më për fëmijë. Shpresonim se lufta medoemos do të përfundonte... Jo, jo, nuk mundesha të rrija atje. Pastaj ia dolëm t’ua shisnim shtëpinë disa kroatëve. Ishin të ndershëm, paguan. Aq sa të na dilnin që këtu të blinim shtëpi. Krahasuar me të tjerët, ne mirë ia dolëm – mendoja kështu deri para një jave.

* * *
Pak kohë kishte ai me ata vullnetarë, ndoshta një vit. Dhe çdo gjë di se ishte në rregull, po të mos jepej ai emision. Sikur mos ta shihte Verica, sikur mos ta shihnin të gjithë...
Burri im nuk është njeri i keq. Nuk e mohoj, është fajtor, ka vrarë dhe për këtë medoemos duhet të përgjigjet. Por le të ma thotë ndonjëri si t’ia shpjegoj fëmijës së lindur pas luftës, t’i them se ka pasur luftë dhe se në luftë njerëzit vriten? Unë mendoj se, nëse e akuzon babain e saj, doemos duhet ta akuzosh edhe luftën. Edhe luftërat nuk janë të gjitha njësoj, për shembull, krejt tjetër është kur mbrohesh. Apo kur mbron vendin, duhet të jetë krejt tjetër.
Por si erdhi deri aty që babai i saj të gjuajë, të vrasë? Edhe sa të tjerë kanë vrarë, por ja, kanë pasur fat të mos i xhirojnë. Tani heshtin, e kanë mbuluar kokën me veshë, dhe kurrë nuk do të merret vesh se çfarë kanë bërë.

* * *
E di se djelmoshat që u vranë kanë qenë civilë e jo ushtarë, dhe për këtë ai doemos duhet të shkojë në gjyq. E them, unë nuk e mbroj, nuk ka arsyetim për atë që ka shtënë në civilë, aq më shumë kur thuhet se disa syresh kanë qenë të mitur. Edhe pse, kur më kujtohet Krahina, edhe atje qëllonin mbi civilë, asnjëri nuk pyeste cili është civil e cili jo. Dua të them, nuk e ka njeriu të lehtë të shpjegojë se si filloi ajo luftë, si na përfshiu të gjithëve. Si ndodhi që ata të rinj myslimanë të Srebrenicës të bëhen armiqtë tanë? Apo se si kroatët e Krahinës, neve na u bënë armiq? ǒështë ajo që babain e saj e bëri vrasës? Pse këtë nuk ia shpjegon mësuesja, ajo duhet ta dijë më mirë. Babai i Vericës do të dënohet, por çka do të ndodhë me politikanët që e filluan dhe me gjeneralët që e bënin luftën? E shoh, të gjithë ata jetojnë mirë, askush nuk i burgos. Thua fare nuk kishte luftë. Por, medoemos, duhet të flitet edhe për këtë, nuk është e mundur që fajtor i vetëm për gjëmën të jetë veç burri im dhe qindra peshq të tjerë të vegjël, të cilët ndoshta do të dënohen këtu.
Tani e shoh se nuk është mirë të mos flitet për këto gjëra. Ja, për shembull, unë e di se si ndodhi. Jam e lindur në vitin 1965, dhe mbaj mend se të tjerët – kroatët, myslimanët, shqiptarët dhe ku ta di unë edhe sa të tjerë – nuk ishin armiq, por bashkë jetonim, bashkë shkonim në shkollë, martoheshim. Por unë nuk e di se çfarë ndryshoi aq shumë, sa babai i saj të... Nuk mundem, nuk mundem të flas më tepër. Në të vërtetë, e kam më lehtë tani kur e di se do të dënohet. Edhe ai nuk e kishte të lehtë të jetonte me gjithë ata të vrarët e tij, që i shfaqeshin natën.

* * *
Por pse Verica s’flet me mua, jam nëna e saj? Nuk kam luftuar unë, nuk jam unë fajtore! Ku ta dish! Ndoshta edhe unë kam faj për heshtjen e saj. Burri im ishte ushtarak. Ishte kohë lufte. Asgjë nuk pyesja. Ula kokën dhe dëgjoja atë, politikanët, shefat. Pasi lindi Verica, më mbante shpresa se të gjitha do t’i harroja. ǒlidhje ka lufta me të?, mendoja.
Ja, tani e shoh se sa shumë lidhje kishte pasur.

Përktheu Kim Mehmeti

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›