E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjimi



Jevrem BRKOVIQ
Jevrem Brkoviqi vlerësohet si bardi i letërsisë së Malit të Zi, akademik, intelektual opozitar, kundërshtar nga të parët i regjimit të Millosheviqit. Për këtë shkak, rreth tetë vjet (1991-1998) i kaloi në ekzil në Zagreb. Një përmbledhje me poezi e Brkoviqit është përkthyer në gjuhën shqipe nga Azem Shkreli shumë vite më parë. Vitin e kaluar u ribotua në Prishtinë në tri gjuhë, malazezisht, shqip dhe anglisht, me titullin “Në majë, vetëm”. Në disa prononcime publike, gjatë më tepër se dy dekadave, Jevrem Brkoviqi është treguar përkrahës i çështjes së shqiptarëve, i çështjës së Kosovës dhe pavarësisë së saj. Ai ka shprehur admirim e vlerësim të lartë për poezinë dhe letërsinë shqiptare, duke e vendosur në majat e letërsisë ballkanike e evropiane. Brkoviqi është autor i 75 librave, poezi, romane, dramë, publicistikë, eseistikë, intervista, ditare. Kët poezi janë marrë nga vëllimi V i “Ditarit”, pra janë shkruar gjatë viteve të ekzilit.
Zgjimi

(Kushtuar djalit, Damjanit)

Zgjohem, çeli gojën që atë ta thërras,
Që ta hap dritaren në dhomën time, që të agojë
Të pyes për çunat kur janë kthyer në shtëpi,
Mëngjesin, që ajo e gatit, ta dëshiroj,
Endrrën, ëndrrën e keqe, duke e pirë kafen, asaj t’ia tregoj.
Zgjohem mes katër mureve të tjera,
Kuptoj se ku jam, kush jam e ku nuk jam,
Më kot do thërrisja, larg është shtëpia ime,
Unë jam ky që zgjuar kam parë këtë ëndërr të mrekullueshme
Sikur jam atje ku vetëm atje mund të jem!

Shikoj murin para të cilit zgjohem:
Fotografia e tij ma kthen shpresën,
Fotografia e djemve me shpresë e mosshpresë.
Askund fotoja e shtëpisë sonë të vjetër mes malesh,
E, aq mirë e shoh mes trupave të arrave të harlisura.

Çasti i ngritjes nuk është është çasti i zgjimit
Shkoj në banjo të dëgjoj reshjen e shiut
Kjo s’është ajo, po ku ta gjej iluzionin,
Për Malsorin çdo reshje është ujë shiu -
Duklasi, çfarë jam unë në ujin e tillë është ngritur.

1. 3. 93, Zagreb

Porosi nënës Gorka
Nëse pranë jastekut, nënë vdes pa mua,
Ky nuk do të jetë mëkati im, sytë do t’i mbyllë Ty
Një dorë sikur imja, njëra nga motrat, vajzat tua
Ajo që edhe kujën ta ujdisë di.

Nënë, ti e di mirë pse nuk më ke në shtëpi
Dhe që pleqërinë tënde ta bën edhe më të vjetër!
Kur të vijë ora që të shuhesh Ti
të gjitha do t’na i falësh mua edhe fatit, jo kujt tjetër

Dëgjo, nënë e Jevremit, Gorka Duklane,
Edhe varret ata do t’na i rrënojnë
Çdo gjë tonën e shqyejnë pamëshirshëm asaj ane
Zilet e Ivanit mortshëm tingëllojnë!

E tëra kjo ishte në qumështin tënd,
Dukla e Vladimiri, Jakvita dhe Bodin!
Shqiponja, ajo e cila me krahun e përhimë
Të prekë Hyjnore që lehtas t’më lindësh n’atë vend

Çfarë do jipje që tash çdo fëmijë
Me foshnjen e vet në kullë të këndojë?
E lumtur është Duklanja, kur lehtas jep shpirt në shtëpi,
Në agun e hershëm pranë shtatë zjarresh të mbyllë sy.

17. VI. 1992, Zagreb

Testament
O Mal i Zi
O tokë qensh!

E, çfarë qeni jam unë
Kur nuk mundem pa Ty!

Tiranë, 9. X. 1991

Ëndrra
Sonte e kam ëndërruar veten në mesin e të mive
Tavolina përplotë diell, macja në dritare,
Dreka familjare, ena e supës në tavolinë,
Prej saj avullon supa që duhet gëlltitur
Për ta rikthyer aromën e harruar dhe ngrohtësinë.
Djali i madh hap shishen e verës së kuqe,
Djali tjetër pret proshutën e tharë në tym dhe erë,
Ajo, që ndërkaq derdh ndonjë pikë të madhe loti,
E mbramja ulet dhe me heshtjen e saj na mëson
Se si të sillemi në tryezën familjare.

28. 2. 93, Zagreb

Vdekja e bukur e nënës Tënde

Ke dëgjuar se nëna ka humbur të folurit,
Ka heshtur, nofulla i është ngjitur për nofull
Krejt çfarë mund të bëjë plaka jote e nderuar
(E ti, sipas të gjitha gjasave, je bir i saj, ti je ajo),
Ende sa është gjallë t’i bindesh të gjithë
Se edhe e vdekur ka jetuar më gjatë nga gjithë tuajt,
Nëna me vetëdije të plotë agon në vetminë e amshueshme.

Fjalën e saj të fundit nuk do ta dëgjojë askush nga të gjallët,
Nëna jote me kohë ka humbur të folurit,
Vetëm ti e di përse e bëri këtë dhe si,
Ky është testamenti i saj memec, por aq i lexueshëm.
Nuk ka dëshiruar që trashëgimtarët e saj të frikësuar
Gabimisht ta interpretojnë, shkruajnë, përvetësojnë e ritregojnë
Fjalën e saj të mbrame që vetëm ty ta ka thënë.

Edhe pa fjalën e saj të fundit ti mirë e di -
Je djalë i një Duklaneje trime, i një Gorke
Që ndaj askujt, as ndaj teje
Nuk ishte delikate, zemërbutë, e qetë dhe e përzemërt.

Nuk ishte as mjaft e ashpër as e keqe -
Kishte zemër, por askujt atë nuk ia hapte,
Ndoshta ndonjëherë Ty, që nën figurën e saj,
Sipas saj dëftohesh kur ndeshesh me Sotonën.

Ti vjershën e shkruan për nënën tënde të vdekur,
Kurse ajo është ende gjallë, por vetëm ka humbur të folurit.
Ajo beson se ti i vetmi e di çfarë do të thotë kjo.
Dhe përmes vdekjes së vet të ka porositur, të ka ftuar
Për vdekjen e saj këngën ta shkruash
Derisa ende frymon, derisa tërë natën me Ty bisedon,
Prandaj tërë këtë pagojësi mund ta durojë.
Ajo do të dijë se ende në të gjallë
Iu shkrua vjersha për vdekjen e saj të bukur!
Përktheu Smajl SMAKA

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›