E Diel, 1 Nëntor 2026

Qyteti im



Alban BALA
Qyteti im

Qyteti im asht nji pemë pa kurorë.
Qyteti im asht nji eshtër e madhe
e brejtur ndër cepa ku e kafshojnë qiejt
dhe të pangimët e vrazhdë.

Ka kanale dhe ligje, por janë e njajta gja:
shtrijnë hapin e njeriut dhe ia ulin kryet.
Qyteti im asht nji eshtër kërthie
e braktisur prej hijes.

Njerëzit janë si zjarret, ma shumë nxijnë se ndrisin,
përthyhen mbi lumenjtë hollakë e lodërtarë
e vdesin pa bërtitë, siç lejnë, krejt të palypun
me nji gjethe në dorë hedhin fallin e motit.

Kujtesën kanë vorrezë e për vorr kanë gojën
Ata që s’dijnë me le, ata që s’dijnë me vdekë.

Me llambën e fytyrës ta përthajnë shpirtin
e me plehun e shpresës kokrra-kokrra ta çilin
gjoksin e kalbur që fëmijë me kambë magjike
pa ra n’tokë e shklasin dhe ia kthejnë qiellit.

Kjo gjindje asht si floku i shkulun prej idhnimit
As shtohet, as nuk kalbet;
din vetëm me jetu’
kangën e harrueme të erës dhe të shkelmen
e njeriut q’i humbi të tana rrugët.

Si pluhuni i vdekjes që i mveshet lëkurës
Ashtu sytë tanë kërkojnë ma të mirin.
Ky asht nji lloj virtyti!

E ndan gjakun prej ujit
Dhe veten prej gjykimit.

Qyteti im asht nji mallkim i vjetër!
Të zen gjithherë çil drita
at’herë kur çohen plakat
prej shtretënve të ngushtë si pragjet e dritareve
dalin prej errësine si kolla del prej fytit

nji ditë e re ka ardhë e meriton të qahet...

Kamp internimi

Kjo është një fushë e mbjellë me vështrime
sysh guri të bardhë zhavorr
hapat që ofshajnë si zëra nomadësh
kanë formë zemrash të nxjerra
kraharorit të lumit
tani sillen hije,
njerëz që u grisën si rrobat,
avuj që kurrë
s’u bënë lot prej të ftohtit.
Dheu tret përvajshëm kujtesën e zhbërjes
me mall të kuq argjile,
me gjak ujor prej lumit.
Vështrimet që mbetën si mina shpërthejnë
nën këmbët e zogjve rrugëhumbur.

Një ditë do të kthehemi

Një ditë do të kthehemi te shtëpia e dashurisë...

Të plakur prej motit, të ftohur prej qiellit.
Do kalamenden tymrat e lodhur oxhaqeve.
Mbi yje do shpallet emblema e fatit
Për fëmijët që ende i besojnë së kaltrës.

Kujtimet tona janë prushi i zjarrit;
ulur përballë tyre
shkëndijat do na bëjnë të dridhemi si heshtja
që lamë pas kur ikëm
nga duart tona,
nga lëkura jonë,
nga koha e jetuar vagullt
do krisemi si qelqet nga fryma e ngrohtë
e parnverës që vrau atëbotë manushaqet...

Në pragun e shtëpisë sime rritet bar’ i lartë
i djegur prej diellit të punëve pa frymë.
Koha e humbur në flurudha dall’ndyshesh
që nuk i shpëtuan dot dimrit.

Merimanga e vogël e kujtesës thur
Rrjetat e përrallta të ëndrrës:
Na ishte njëherë një njeri që banonte
Në shtëpinë e dashurisë së tjetrit...

Do kthehemi një ditë te shtëpia e dashurisë...

Kur t’i humbim të gjitha dhe të mos duam asgjë.
Mbi yjet e çatisë flenë harruar hapat
e endjeve tona, fjalët pa përgjigje:

ǒkërkonim? Çfarë gjetëm? ǒprisnim dhe lamë?

Kujtesa ime i ngjan një dite shiu
Mbi pellgje ikin retë dhe stinët janë përmbytur
Por dielli, dielli vjen me mua!

Do kthehemi një ditë te shtëpia e dashurisë...

Këngë e përjetshme

Dhe kur ora të vijë të gjithë do të vdesim.
Të gjithë do ridalim kur ora të vijë.
Të dua pranë meje në amëshimin e qiellit,
Të falur, të lumtur, të ndritshme, Hyri’.

Të qaj bashkë me ty lumturisht, mirënjohës,
Të jetoj përjetësinë e gëzimit pacak,
Të të shoh, të më shohësh kur ta shohim Zotin
Si një diell të dashur që ndrin mbi parajsë.

Atëherë do të prehem në krahët e ajrit,
Mbi barin e gjelbër të ëndrrës më të afshtë:
I përjetshëm është Zoti dhe dashuria e Tij.
Ti je pranë meje dhe më shumë s’kam dashur...

Arsyetim antihistorik

Historia është një shaka e lartë.
I bën për të qeshur
edhe të vdekurit.
Ata që tretën jetën duke shpresuar të hyjnë
në një faqe të krimbur libri
me kapak të trashë ngjyrë dheu.

Se historia është gjallë dhe kur ne mos të jemi.

Shumicën e heronjve i hëngri heroizmi
i vetes, që e kërkuan rrugëve.
Nuk e di a e gjetën.
Të tjerë lypën historinë
Gjersa i zuri vdekja.
Të tjerë akoma
pleqëruan statujshëm nëpër rrugët e fshatit
tonë të lashtë
ku historia nuk erdhi, as do të arrijë ndonjëherë.

Se historia është një shaka e lartë.
Vjen kur s’e pret.
Ikën natën
si dashnori i lodhur nga dashuritë e tij
të rëndomta
në një qytet të vogël grash pa burra
dhe anasjelltas.
Po ç’rëndësi ka kjo për historinë.

Më shumë se një shaka,
historia shkruhet me bojë të zezë
mbi faqe të bardha vashash të pamosha..

Historia është si pasqyra e ujit
ku Narcisi pa fytyrën e tij të rrallë
dhe vendosi ta ruante.
Kjo është historia.

Ajo që mbetet pas
vlen më pak se ajo që humbet
në një të qeshur të fortë,
por të vonuar...

Kometa

E pashë për herë të fundit kur qe veç herë e parë.
Pastaj duhej të vdisja.
Aq vjet janë shumë për njerëzit.
Duhej të ikja përpara se të vinte
E të më bënte të qaja...

Kometa Halley! Kometa Halleee-yyy!
Koka ime risillet në qiellin Halleee-eeejjj!

Çdo ditë më pak kokë
Më shumë bisht.

Sezon gjahu

Ata e vranë drerin me pushkën e heshtjes,
Me buzëqeshjen e zgjuar të të verbrit, me sytë
e qepur mbi këmishë
ata e vranë drerin që kisha njohur në pyll.

Në krahët e qytetit e hodhën dhe e bartën
nga një botë te tjetra, e zhveshën dhe e kripën
që të jetonte gjatë, që ta shihnin fëmijët
fund-botën e tyre
pas mjegullash dhe avujsh
ata e vranë drerin dhe kënduan në kishë
fjalë të verdha lutjesh, qirinj ndezën si gishtat
dhe mbrëmjeve përtrypnin me krisma t’ëmbla dhëmbësh
drerin e madh të pyllit që kisha njohur në ëndërr...

Duart

Duart janë ujqër të verdhë.
Ikin mbi dëborën e lëkurës së pashkelur
në kope të trishta ulërimash
qajnë fytyrën e hënës, kafshojnë këlyshë të huaj
dhe humbin pas korijesh, nëpër pemët e mjegullës
fërkojnë trupin e hollë,
mbajnë erë urinë e tyre
në gjurmët e lëna mbi barkun e dëborës.

Pastaj vdesin të butë ujqit e verdhë të duarve
në lëkurën e vetes gërmojnë strofullën e fundit
prej ku s’duket hëna...

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›