E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhoma e Tregtisë: Si mund të mbrohemi kur nëpërkëmbet dhe miku i kryeministrit

Tiranë, 13 tetor 21:03 NOA - Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë (DHTI), po ndjek me shqetësim mënyrën se si po procedohet ndaj një investitori të huaj, si Damir Fazlliç, nga ana e mediave dhe prokurorisë shqiptare.

Këtë shqetësim e shprehu sot përmes një deklarate publike, Ilir Zhilla, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Ai shtroi pyetjen se si mund të jetë i qetë një investitor kur homologu i tij që ka dhe njohje me kryeministrin apo zyrtarë të lartë të SHBA, i nënshtrohen procedurave të dyshimta.

Zhilla, vlerësoi se imazhi i deformuar është një problem sa i vjetër, aq edhe i ri, që ka trashëguar Shqipëria.

“Vitet e fundit ne kemi pasur arritje te dukshme për sa i përket përmirësimit të imazhit. Rritja e imazhit të vendit është një obligim i të gjithë institucioneve dhe i çdo qytetari shqiptar”, - deklaroi z.Zhilla.

Ai theksoi se “na duket krejt i pashpjegueshëm ritmi ekstremisht dinamik i procedurave të prokurorisë përballë një biznesmeni, e për më tepër një biznesmeni të huaj”.

“Akoma më të pashpjegueshme, - vijoi z.Zhilla, - bëhen këto veprime kur biznesmeni Damir Fazlliç vjen të japë shpjegime publikisht, pasi edhe akuzat ishin drejtuar kryesisht publikisht”.

Për Dhomën e Tregtisë, në logjikën elementare, prokurorët e çështjes duhet të kishin pritur edhe 24 orë.

“Nëse nuk do të ishte i paragjykuar, prononcimet e biznesmenit z. Fazlliç duhet të mirëpriteshin nga prokurorët e çështjes, sepse, përherë të parë, do të dëgjonin edhe anën tjetër të medaljes”.

DHTI vlerëson më tej se “në Shqipëri demokracia është vendosur dhe ne kemi besim se dhe kjo çështje do të hyje në rrjedhën normale juridike”.

Por një pyetje do t’u qëndrojë mbi kokë, si shpata e Demokleut, biznesmenëve të huaj, thekson DHTI:

“Kur zotit Damir Fazlliç, i njohur i kryeministrit të Shqipërisë, dhe njëkohësisht mik i z. Tom Ridge, ish-Sekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës fill, pas 11 Shtatorit 2001, dy prokurorë i heqin “skalpin” në mes të ditës, po ne?!”

Kjo pyetje kushton disa qindra milionë euro më pak investime të huaja”, paralajmëron DHTI.

Dhe në fund, shtron pyetjen tjetër: “Po këtë dëm ndaj ekonomisë shqiptare kush do t’a hetojë?!"

a.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›