Bregu: Rama vazhdon ison e atit të tij shpirtëror, Enver Hoxhës
Qeveria, nëpërmjet zëdhënëses për shtyp, Majlinda Bregu, ka dënuar dje deklaratat e kryesocialistit Edi Rama ndaj figurës së këshilltarit të Kryeministrit Tom Ridge. Sipas Bregut, “denigrimi ndaj zotit Tom Ridge, njërit prej politikanëve e personaliteteve më të vlerësuar në fushën e sigurisë, është i ngjashëm me qëndrimin e diktaturës komuniste, e cila për 45 vjet ua serviri shqiptarëve SHBA-në, vendin e madh të lirisë, si rrezikun kryesor të tyre”. Majlindja Bregu tha se qëndrimi publik i Edi Ramës është i frymëzuar nga Enver Hoxha. “Rama që kërkon të bindë shqiptarët se Tom Ridge me veprimet e tij në Shqipëri paska përbërë rrezik, që me sulmet e tij të shfrenuara tenton t’i shpallë veprimet e ish-sekretarit Ridge si një kërcenim për sigurinë e vendit, dëshmon se me këto qëndrime vazhdon ison e atit të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, i cili për 45 vjet ua serviri shqiptarëve SHBA-në, vendin e madh të lirisë, si rrezikun kryesor të tyre”, - tha Bregu. Në deklaratën publike, ministrja e kabinetit “Berisha”, vlerësoi kontributin e këshilltarit Tom Ridge si të vyer, ndërsa u shpreh se “qeveria ka besim të plotë se këtë mendim ndajnë për ish-sekretarin Ridge të gjithë shqiptarët, përveç një grushti të vogël nostalgjikësh, të udhëhequr nga Rama që ka zgjedhur sulmet ndaj sekretarit Ridge, për të festuar 100-vjetorin e diktatorit Hoxha, Hitlerit të Evropës së pasluftës, siç është vlerësuar Hoxha në deklaratën e EDU-së së Parisit, në vitin 1991”. Majlindja Bregu tha më tej se “Tom Ridge, në një moment tejet të rëndësishëm për sigurinë e Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë, u kontraktua në përputhje me ligjet e vendit nga qeveria shqiptare si këshilltar i Kryeministrit dhe qeverisë për çështjet e sigurisë së vendit. Me këshillat, sugjerimet e idetë e tij, të vyera, të shprehura në një seri takimesh e bisedash me drejtues të institucioneve e agjencive të ndryshme të vendit, i dha një ndihmë e mbështetje qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në tërësi, në fushën e sigurisë dhe përmirësimit të mazhit të vendit në këtë drejtim”. Ajo u shpreh se qeveria dhe vendi arritën rezultate falë kontributit të Ridge si këshilltar në fushën e sigurisë kombëtare. Sipas Bregut, Ridge është një figurë tepër e respektuar, me eksperiencë të gjatë në politikë, i cili ka shërbyer si “guvernator i njërit prej shteteve me të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sekretar i parë i SHBA-së për çështjet e sigurisë”. E pyetur nga media në konferencën për shtyp, në lidhje me statusin e bisedimeve që ka pasur Tom Ridge me ministrat për sigurinë kombëtare, Bregu tha: “Ka pasur një njoftim zyrtar të publikuar edhe në gazetën “Ushtria” dhe në të gjitha njoftimet thuhej që sekretari i Shtetit dhe këshilltari Tom Ridge shoqërohej nga biznesmeni Fazlliç. Ju më thoni se Tom Ridge e ka pasur me vete Damir Fazlliç, se ishte ose nënkuptonte rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë?! Po jua lë juve përgjigjen”. Duke folur për përplasjet publike mes Prokurorisë dhe ministrive të Brendshme dhe të Drejtësisë, Bregu tha se “nuk e di të ketë një përplasje. Di që tashmë ka dy deklarata zyrtare mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë dje, është një çështje në hetim dhe unë nuk mund të shprehem për çështje që janë nën hetim”.