Hapja e “dosjeve”, PS-ja nuk dorëzohet, por heq dorë
Partia Socialiste duket se është distancuar nga detyrimi moral për bërjen e një ligji për pastërtinë e figurave, duke dashur të kujtojë se nuk është dorëzuar ende, por ka hequr dot nga iniciativa aktuale. Në një deklaratë për median vizive, sekretari i Çështjeve Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, tha se PS nuk do të bëhet palë në një iniciativë të tillë. Pavarësisht kësaj, Xhafaj hodhi kundërakuza, sipas të cilit, “një ligj i tillë u shërben vetëm interesave të mazhorancës, për të larguar individë të veçantë nga politika”. Xhafaj përmendi edhe njëherë kushtet e PS-së, të cilat janë ngritja e një komisionit të posaçëm parlamentar për këtë çështje. Demokrati Aldo Bumçi, relatori i draftit për pastërtinë e figurave, e gjen këtë qëndrim si distancim dhe mosvullnet për të plotësuar një detyrim moral dhe shoqëror. Sipas Bumçit, interesi i vetëm i PS-së në këtë rast është shtyrja e pafundme e këtij ligji, të paktën para zgjedhjeve të vitit 2009. Gjithsesi, Fatmir Xhafaj u shpreh se “nuk ka rëndësi se kur miratohet ky ligj”, duke dashur të nënkuptojë se një ditë një ligj i tillë do të miratohet, por që për PS-në, duhet të miratohet me konsensus. Sipas draftit “Bumçi”, subjekti i verifikimit janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme si Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi, anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e Përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e Përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore.