E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqim Cani; Duhen skenarë kundërveprimi ndaj krizës

Kriza ekonomike që ka prekur botën është temë e ditës sot në Tiranë. Më mirë se kushdo interpretimin për të e japin specialistët e ekonomisë. Shkëlqim Cani, profesor në Universitetin e Tiranës prej shumë vitesh në lëndët ekonomike, ka vetëm disa muajsh që ka përfunduar një kontratë disavjeçare si këshilltar i Bankës Botërore. Eksperienca e tij e punës ka bërë që të jetojë mes Nju Jorkut dhe Tiranës, dhe duket se kjo e bën të ketë një perceptim më të qartë dhe jo vetëm teorik të asaj çfarë ndodh sot në SHBA dhe që po quhet si kriza e kredive. Shkëlqim Cani na qetëson duke tentuar të shmangë çdo notë paniku për shqiptarët ndaj pasojave të kësaj krize në vendin tonë, por duke qenë ekspert i fushës, ai s’mund të mos tentojë të jetë sa më realist të jetë e mundur dhe në këtë mënyrë apelon për skenarë kundërveprimi ndaj kësaj krize. Si në çdo logjikë normale, Shqipëria sipas tij, nuk mund të mos preket nga kriza, por duke mos ditur kur dhe sa të rënda do jenë pasojat, ai kërkon një përgjigje të gatshme. Ndërkaq ish-Guvernatori i BSH-së thekson se sistemi bankar është i sigurt, duke pasur parasysh nivelin e ulët të kredive në vendin tonë.

Për herë të parë Shkëlqim Cani flet për arsyet që e çuan atë drejt rikthimit në Partinë Socialiste, një rikthim që vjen pas shumë vitesh angazhimi në jetën profesionale larg politikës. Besimi tek lidershipi aktual i PS-së dhe tek platforma e programi i ri i kësaj partie duket se e kanë çuar në këtë vendim të rëndësishëm, vendim që ai akoma nuk e ka konkretizuar me një aktivizim në jetën politike të kësaj partie, por tani për tani është mjaftuar me dhënien e eksperiencës së tij

Intervistoi: Blerina Gjoka

Zoti Cani, duke pasur parasysh profesionin tuaj si profesor dhe studiues në fushën e ekonomisë, si do e përcaktonit me pak fjalë thelbin e krizës së fundit financiare në SHBA, që po prek bursat në të gjitha vendet e tjera? A rrezikon Shqipëria të preket nga kjo krizë, ose për të qenë më të saktë, sa të sigurta janë bankat këtu?

Thelbi i krizës së tanishme në SHBA është se ajo nuk duket të jetë më vetëm financiare, nuk duket më vetëm në SHBA, por në gjithë ekonominë botërore dhe për më tepër pa u nisur ku e si filloi, tashmë po sintetizohet një strategji e rakorduar ndërkombëtare për ta luftuar. Nuk duket të ketë vend të globit që do t’i shpëtojë efektit ngjitës të krizës. Pra edhe Shqipëria në të ardhmen do të ndikohet, por nuk dihet sa, kur dhe si. Prandaj dhe kam kërkuar disa herë, që është e domosdoshme të ndërtojmë skenarë ndikimi e kundërveprimi. Për nga shkalla e ndikimit sistemi bankar mund të jetë ndoshta më pak i ndikuari edhe pse mirëkuptoj shqetësimin e pyetjes, pasi aty janë depozitat e individëve. Nga të gjithë treguesit vlerësues të deritanishëm të gjendjes së sistemit bankar shqiptar nuk ka asnjë hapësirë për panik për publikun depozitues.

Sa të sigurta janë parat e shqiptarëve dhe të emigrantëve në bankat shqiptare?

Nëse nuk kam hezituar që prej më shumë se disa muaj më parë të prononcohem për pasoja të krizës në ekonominë shqiptare, po kështu jam shprehur edhe për siguri të depozitave në sistemin bankar shqiptar. Kjo vjen nga njohja që kam për sistemin, nga vlerësimet më të fundit të institucioneve përgjegjëse në vend dhe të atyre ndërkombëtare. Është një rrjet i tërë që siguron depozitat bankare që fillon nga tregues shumë të mirë të gjendjes financiare të sistemit bankar dhe të çdo banke e deri tek sigurimi i depozitave nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave.

Kriza në SHBA u quajt “kriza e kredive”, pasi ranë ndjeshëm çmimet e apartamenteve. Duke parë tendencën e shqiptarëve që të investojnë në pasuri të paluajtshme, si e gjykoni perspektivën?

Mbetet të presim si do përcillet gjithçka dhe në ekonominë shqiptare. Kuptohet që do të ketë efekte, por nuk dihen përmasat dhe kur, edhe pse dëshirojmë dhe urojmë minimumin. Eksperienca negative në SHBA dhe tashmë në ekonominë globale duhet studiuar me shumë kujdes, pa vonesë dhe të bëhen dhe skenarë të ndikimeve e kundërveprimeve të mundshme. Kredia konsumatore dhe në blerjen e shtëpive ka pasur jo pak rritje edhe tek ne vitet e fundit. Por në total, niveli i kredive tek ne është 4-5 herë më i vogël se në këto vende. Për pasojë, me disa masa tashmë të paralajmëruara dhe me të tjera në vijim, që shpresojmë të ndërmarrë Banka e Shqipërisë, mendoj që situata mund të mbahet mirë nën kontroll dhe tregu përkatës të mos ketë ndikime të ndjeshme.

Zoti Cani, sapo keni përfunduar një kontratë disavjeçare me Bankën Botërore. Si ishte eksperienca juaj në këtë punë?

Një eksperiencë interesante, një eksperiencë më shumë, duke pasur parasysh faktin se puna ishte përqendruar në rajonin e Ballkanit. Mendoj që do të kishte qenë më mirë sikur të ishte realizuar para se të bëhesha Guvernator.

Shumë ekspertë mendojnë se Banka Botërore po bën eksperimente në Shqipëri, tani që nuk paguheni më në zyrat e saj dhe duke e njohur funksionimin e degëve të BB-së në vende si Shqipëria, si e shihni rolin e saj këtu?

Respektoj mendimin e të tjerëve, që besoj e mbështesin këtë opinion në fakte. Për të gjetur kompromis me mendimin e tyre, po them që edhe të zbatosh në kushtet e një vendi të njëjtën gjë që ke zbatuar në një tjetër vend, diçka do të eksperimentosh, pasi të dyja vendet nuk janë në kushte identike. Për t’i dhënë përgjigje më të drejtpërdrejtë pyetjes suaj, mendimi im është që Banka Botërore ka synime dhe objektiva të drejta dhe në përgjithësi realizon një veprimtari të mirë në Shqipëri. Nuk kujtoj as edhe një rast që pala shqiptare të ketë pasur argumentin e duhur dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore të kenë këmbëngulur në të kundërtën, por kanë përmirësuar sugjerimin e tyre. Janë me dhjetëra projektet që ka përfituar qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë nga fondet dhe sidomos ekspertiza e Bankës Botërore. Kujtoj që rrinim me ditë të tëra në Tiranë e Uashington duke diskutuar me ekipin e BB-së, të drejtuar nga z. Tunc Uyanik, për privatizimin e bankave tregtare shqiptare dhe përmirësimin e mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë. Gjithçka orientohej për të gjetur optimalen. Besoj sot vlerësimet në këtë fushë janë shumë të mira dhe duhet të jemi korrektë më veten dhe t’i falënderojmë për ndihmën e pakursyer.

Duke mos u ndalur në faktin që jo rrallë FMN-ja e BB-ja keqpërdoren në publik nga qeveritë si shkaktarë të imponimit të disa masave, me sa u shpreha më lart nuk duhet nënkuptuar që Banka Botërore nuk ka të meta. Kështu personalisht gjykoj si të pasuksesshëm ristrukturimin e Bankës Bujqësore në vitet ‘93-‘95, me fondet dhe mbështetjen teknike të BB-së. Në kohët e sotme Banka Botërore më duket e vakët dhe jo e drejtpërdrejtë në dhënien e mendimit apo vlerësimit për çështje të ekonomisë shqiptare. Ndonjëherë vlerësimet dhe sugjerimet më duket se i ka si mendimi i pavarur i Guvernatorit, por të korrektuara në zyrat e qeverisë.

Mendoni se ekspertizat e BB-së e kanë ndihmuar ekonominë shqiptare?

Po e kanë ndihmuar, pasi janë ekspertiza të një institucioni me eksperiencë të gjerë dhe shpesh cilësore. Duke këmbëngulur me këto pyetje, nuk është që nuk e kuptoj që synoni të më kujtoni se veprimtaria e Bankës Botërore kritikohet nga jo pak ekspertë të ekonomisë dhe ka raste dështimesh në vende të caktuara. Mbi të gjitha duhet të dimë se BB-ja është një institucion në ndihmë të të gjitha vendeve, por kryesisht dhe në radhë të parë për vendet e varfra e në zhvillim. Pra, ndihmon më shumë ato vende ku mungojnë kapacitetet e duhura për zgjidhjen e problemeve të vendit. Nuk trembem të shprehem se për fat të keq Shqipëria, ende pas 17 vitesh demokraci e ekonomi tregu në radhë të parë dhe më shumë nga mungesat e tjera, ka mungesa në administrimin optimal të vendit.

Ka teza që thonë se politika e inflacionit të ulët ka penguar një rritje më të madhe ekonomike në vend, si u përgjigjeni këtyre tezave. Nga ana tjetër, mendoni se vendi duhet t’i lejojë vetes që për disa vite të ketë një inflacion të lartë në këmbim të zhvillimit të shpejtë ekonomik?

Kjo tezë ka kohë, mbi një dekadë, që tenton të dalë në skenë si aktor përcaktues i zhvillimit ekonomik. Ata që e trajtojnë asnjëherë nuk kanë dhënë shifër alternative, pra sa e mendojnë se duhet të jetë inflacioni optimal për Shqipërinë, gjë që do të na krijonte bindjen se çështja është studiuar me seriozitet nga ata dhe nuk është thjesht një mendim kalimtar. Besoj që nuk ka ekonomist që nuk e di se inflacioni është një fenomen monetar. E thënë më thjesht, nëse duam të prodhojmë inflacion rruga kryesore është të hedhim më shumë para në qarkullim, pra të prodhojmë më shumë lekë. Nëse me hedhje parash në qarkullim do të kemi rritje më të madhe ekonomike, për pasojë më shumë mirëqenie, kjo do të ishte një detyrë shumë e thjeshtë për çdo qeveri. Pa ndonjë sforco do prodhonte sa më shumë para dhe do të kishim rritje ekonomike më të madhe. Kjo nuk është e vërtetë. Me këtë nuk do të isha i saktë nëse nuk do të pranoja se rritja më e madhe ekonomike prodhon pak më shumë inflacion. Nëse e trajtojmë në rrafshin teorik, tashmë është e pranuar që një inflacion i ulët, në shtrirjen afatgjatë është ndihma më e madhe që mund t’i japë Banka Qendrore një rritjeje ekonomike dhe një punësimi në nivel sa më të lartë. Por edhe duke hequr dorë nga ky diskutim disi teorik dhe i vështirë për t’u kuptuar nga publiku, do të shprehesha që nëse kemi mbi një dekadë me norma inflacioni të ulëta (pra me çmime që rriten çdo vit relativisht pak), nuk ka pse të kërkojmë një politikë tjetër ku çmimet të rriten më shumë çdo vit. Ne të gjithë jemi ankuar nga rritja më e madhe e çmimeve (inflacioni pothuajse dyfishuar) që po përjetojmë prej më shumë se një viti. Që të ndryshosh një tregues (në rastin konkret të kërkosh të rritesh inflacionin), duhet të kesh ndonjë arsye të bazuar mirë. Duhet të të ketë shkuar keq diçka. Nga ana tjetër, praktika e eksperimentimeve pa bazë në Shqipëri nuk flet për rezultate inkurajuese. Gjërat që i nxjerr jashtë kontrollit është shumë më e vështirë t’i risjellësh në kufijtë e kërkuar (kujtoj që kërkojmë të jemi anëtar të BE-së në një të ardhme ndonëse jo të shpejtë). Veç të tjerave, stabiliteti makroekonomik është ai që “na ka nderuar” e ka kontribuar në vlerësime të larta për vendin në raporte të ndryshme të organizatave ndërkombëtare që merren si pikë referimi edhe nga shumë investitorë të huaj para se të investojnë në Shqipëri. Po kështu, tani që dalim në tregun valutor ndërkombëtar për të kërkuar kreditim (qeveria), vlerësimi i vendit do të ishte më i keq dhe për pasojë kredia më e shtrenjtë nëse inflacioni do të jetë i lartë. Pra, niveli i inflacionit të rënë dakord me gjithë aktorët e jetës ekonomike e politike shqiptare, me duket ai i duhuri dhe nuk ka pse të kërkojmë rritje çmimesh më shumë se na janë rritur nga viti në vit.

Si ekspert i fushës, cilat janë kritikat tuaja për politikat ekonomike që po ndjek sot vendi?

Kam bindjen që ne shqiptarët jemi kritizerë të mirë, për më tepër edhe për gjëra që nuk do të mund t’i bënim vetë më mirë. Kam parë dhe akoma më shumë shoh sot ministra, të cilët në opozitë kanë shkëlqyer në kritika. Kur iu vlerëson sot punën, kupton që konkurrojnë me portierin, bëjnë ende opozitën, pa iu humbur vlerat vërtet të mira si “Mon Kukalesh”.

Shkurt do të përmendja këto drejtime të politikave ekonomike për t’u kritikuar:

- Ka shmangie të ndjeshme nga programi i qeverisë që iu është parashtruar shqiptarëve, me të cilin është marrë votëbesimi.

- Rritja ekonomike mund të ishte më e lartë se nivelet e arritura deri më sot, për pasojë do të kishim mirëqenie më të mirë ekonomike në popull.

- Çështjet e borxhit publik, të deficitit buxhetor janë trajtuar me profesionalizëm të ulët dhe ka munguar konsekuenca.

- Klima me biznesin ka qenë e acaruar dhe pushteti nuk e ka trajtuar biznesin si partner. Më shumë i është mëshuar anës së marrëdhënieve të dhunshme sesa atyre edukative, mirëkuptimit dhe bashkërendimit në arritjen e objektivave të përbashkëta. Kujtoj që biznesi privat ka afro 80% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit, edhe pse ende nuk di pse mbetet i paorganizuar si duhet dhe nuk demonstron forcën që realisht ka.

- Ka pasur iniciativa të pastudiuara, që kanë nisur me bujë, por janë rreshkur rrugës, p.sh. “Shqipëria, një euro”, thuajse nuk ka gjë të shkruar dhe nuk di si (nëse) zbatohet.

- Privatizimet më duken të vonuara, pra duhej të ishin bërë më herët dhe më të shumta.

- Ligjet, vendimet e qeverise dhe aktet e tjera rregullative janë ndryshuar shpesh dhe jo rrallë kanë pasur kundërshti, çka ka shtuar kaosin e rrëmujën në zbatim, duke favorizuar “peshkaqenët”.

- Rritja e të ardhurave të buxhetit që trumpetohet nga viti në vit duhet parë me kujdes. Nga vlerësimet dhe llogaritjet që bëj, del se përmirësimet nga lufta kundër informalitetit, evazionit dhe korrupsionit, shtrirja e bazës janë me rezultante thuajse zero dhe në disa drejtime me përkeqësime. Ndërsa shpenzimet e buxhetit veç aritmisë (sidomos investimet) dhe përqendrimit vetëm në një objekt, mund të bëheshin me shumë më pak para - pra kemi të bëjmë me faktorin korrupsion.

- Ka monopole që mbështeten nga politika në fuqi.

- Mungojnë statistikat cilësore, në kohë dhe publike. Pra, mungon transparenca, e cila shpesh zëvendësohet nga propaganda bajate.

- Ka probleme të pabarazive të theksuara, që po thellohet me shpejtësi për shtresat ekstreme.

- Bilanci i llogarisë korente duhet të jetë më në vëzhgim, pasi ka dalë “sinjali paralajmërues”.

- Disa çështje do t’i quaja madhore apo nyje kritike të së ardhmes të ekonomisë nuk janë prekur fare nga kjo qeveri ose dhe kur janë prekur ka pasur “shumë zhurmë për asgjë”. Mund të përmend sigurimet shoqërore, pronësinë etj.

Po vlerësimet, nëse keni?

Shqipëria vazhdon rritjen ekonomike nga viti në vit edhe pse jo me tempin e dëshiruar. Tregues që janë thelbësorë, janë nën kontroll. Ka disa strategji që janë hartuar e miratuar tani vonë, të cilat me disa përmirësime mund të kenë vlera për të ardhmen.

Një tjetër çështje me interes është dhe ajo e sigurimeve shoqërore. Sa e sigurt është, sipas jush, skema e pensioneve për të ardhmen dhe mendoni se ka ardhur koha që të liberalizohet ky sektor?

Liberalizimi i tërë ekonomisë, sipas gjykimit tim, duhej më i thellë dhe më i shpejtë dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Koha e liberalizimit të sektorit të sigurimeve shoqërore, siç e quani ju, tashmë ka kaluar. Paaftësia e qeverisë për të krijuar strukturat përkatëse dhe moderne menaxhuese dhe mbikëqyrëse ka krijuar probleme serioze për të ardhmen e këtij sektori. Ne tashmë nuk kemi sistem pensionesh në vend, por sipas gjykimit tim, ato më drejt duhen quajtur asistencë sociale. Ky dështim me përmasa të thella nuk di pse nuk ka gjetur hapësirat reale në debatin politik dhe ekonomik në vend.

Zoti Cani, kthehemi në një dimension tjetër të intervistës, që ka të bëjë me angazhimin tuaj në politikë. Duke pasur parasysh mendimet jo fort pozitive tuajat, të shprehura në ambiente jomediatike, ndaj politikëbërjes dhe politikëbërësve shqiptarë, u duk pak i çuditshëm afrimi juaj pranë fondacionit të ideve “Qemal Stafa” në PS...

Kjo më shumë se pyetje duket vlerësim juaji, që gjithsesi unë e respektoj. Duke pranuar që kurrë nuk kam qenë mohues ndaj vlerave pozitive edhe të politikës së deritanishme (edhe pse në jo pak raste më ulët nga vlerat në politika të tjera), kam besuar e besoj dhe më shumë akoma dëshiroj edhe më fort në filozofinë e ndryshimit, përmirësimit.

Do qëndroni vetëm si ekspert pranë këtij fondacioni apo do të presim një angazhim më të fortë në PS në zgjedhjet e ardhshme?

Kjo është një çështje që kërkon mirëkuptim të dyanshëm dhe do ta shohim në vijim.

Si ju duket kursi aktual i lidershipit në Partinë Socialiste? Sa reale ju duket teza e politikës së re, pasi po shihet më shumë si artikulim frazash për të tërhequr elektoratin sesa si platformë e vërtetë politike?

Në këto 17 vite më ka rastisur jo rrallë të dëgjoj artikulime periudhash e fjalimesh të tëra pa asnjë platformë reale, që për fat të keq edhe janë gëlltitur ose të paktën kështu më janë dukur, nga të gjithë krahët. Është shpejt të themi të njëjtën për lidershipin aktual dhe bëj pjesë në personat e duruar. Për më tepër që tashmë po punohet për rifiniturën e platformës që besoj do shpallet së shpejti. Që programi dhe platforma të jenë sa më evropiane dhe me vlera, konsultat po realizohen me partnerët perëndimorë. Jam më shumë optimist edhe për një arsye tjetër, që për mua është madhore dhe me shumë vlera. Shqipërisë nuk i kanë munguar programet, platformat, ligjet, strategjitë e shkruara, por vizioni i duhur dhe paaftësia e zbatimit në praktikë. Vlerësimet jo vetëm tonat, por dhe të ndërkombëtarëve kanë qenë të mira për këtë lidership. Pra, dua të them që ke ku i thua punë e mbarë, pasi nga dora ka nxjerrë punë të mira në vite, jo vetëm programe për elektorat.

Nga ana tjetër, opozita është e përçarë. Si e gjykoni këtë përçarje, kush ka përgjegjësi si dhe çfarë mendoni se duhet bërë që opozita të ribashkohet?

Ndoshta ka ndonjë, vetëm një komb tjetër në glob që bashkëkombësit i ka në katër shtete të ndryshme, që edhe sikur t’i mbledhësh së bashku, përsëri do të jenë komb i vogël. Por kjo duket se i përket historisë, e ardhmja duket drejt një familjeje të përbashkët, BE-së. Po bëj analogji për ndarjet joprogramore, së bashku me urimin për bashkim sa më të shpejtë për të dyja.

Zoti Cani, ju jeni pjesë e historisë së Partisë Socialiste. Shumë prej figurave historike të PS-së e kanë cilësuar politikën e ndjekur nga zoti Rama si jo të efektshme. Ju si mendoni, kjo PS është më lartë se PS-ja e viteve më parë apo PS-ja e sotme po ndjen vështirësi, edhe pse është në opozitë?

Nuk më pëlqen të luaj as mendjemadhi, as edhe modestin e tepruar. Nuk jam pjesë e historisë, se më duket fjalë shumë e madhe dhe për më tepër e keqpërdorur. Por edhe pse ndonjërit mund të mos i vijë shumë mirë, pranoj që kam qenë pjesë e saj që në fillim.

Nuk dëshiroj të merrem me vlerësimet e të tjerëve, pasi gjithkush përdor një logjikë për konkluzionin e arritur. PS në vite ka pasur ngritje e ulje në performancën e saj dhe gjithnjë kritikat e vlerësimet kanë qenë nga dashamirës për përmirësime. Të tilla besoj janë dhe këto të tanishmet nga një pjesë e mirë e miqve të mi. Në këtë mënyrë i ka perceptuar dhe vetë lidershipi aktual besoj, që duket i hapur dhe në fakt po këmbëngul pikërisht për përmirësime. Ajo që do të këshilloja është që të gjithë ne duhet të mësohemi dhe me një opozitë ndryshe, nëse ajo është vizionare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›