E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Basha, vizitë dyditore në Norvegji

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Norvegjisë. Vizita në fjalë pritet të nisë ditën e sotme, ku ministri shqiptar pritet të takohet me zyrtarët më të lartë të vendit. Kjo vizitë zyrtare në Oslo ka ardhur me ftesë të homologut të tij, ministrit të Jashtëm norvegjez. Gjatë vizitës së tij dyditore në Norvegji, ministri Basha do të zhvillojë bisedime me ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Norvegjisë, Jonas Gahr Store. Intensifikimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, procesi i integrimit euroatlantik të Shqipërisë, zhvillimet në rajon etj., do të jenë disa nga temat e diskutimit midis dy homologëve. Gjatë qëndrimit në Oslo, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, do të zhvillojë takime të veçanta me ministren e Mbrojtjes së Norvegjisë, znj. Anne-Grete Strom-Erichsen, me Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit norvegjez, si dhe me përfaqësues të investitorëve norvegjezë. Procesi i integrimit të Shqipëri në strukturat euroatlantike pritet të jetë edhe çështja kryesore e bisedimeve. Njëkohësisht bashkëpunimi dhe rritja e tij mes dy vendeve, do të jetë një tjetër pikë e rëndësishme e bisedimeve të ministrit shqiptar, Basha, në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›