E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhoma e Tregtisë, ikën Uldedaj në vend të tij Jaka

Ndryshimet për kreun e biznesit të Tiranës erdhën pas dorehëqjes së Uldedajt, për shkak të mandatit të tij si deputet i Partise Demokratike (zgjedhur më 28 qershor).

Pavarësisht se Kushtetuta nuk e ndalonte Uldedajn t’i mbante te dy funksionet, vendimi për dorëheqje u pa i arsyeshëm, për shkak të ngarkesës në punë. Zgjedhja e Nikolin Jakës, ish-zv.ministër i Punëve Publike dhe Transportit, erdhi pas votimit të zhvilluar dje nga Asambleja e Përgjithshme, me 55 vota pro, nga 65 që ishin gjithsej.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë  Tiranë zhvilloi dje mbledhjen e jashtëzakonshme të forumit më të lartë vendimmarrës, me kërkesë të vete kryetarit, Gjokë Uldedaj. Të 75 anëtarët (101 janë gjithsej), u njohën në fillim me veprimtarinë e Dhomës së Tregtisë gjatë periudhës janar–shtator 2009 dhe më pas miratuan strategjinë lidhur me perspektivat dhe situatat e reja të zhvillimit të biznesit.

Më tej, kryetari Gjokë Uldedaj kërkoi dorëheqjen e parevokueshme nga detyra në krye të Dhomës së Tregtisë. Sipas tij, arsyet që e çuan në këtë vendim kanë të bëjnë me angazhimet e tij në jetën parlamentare. “Kjo kërkesë për dorëheqje ka ardhur jo për shkak të ndonjë problemi ligjor që mund të vinte nga mbajtja e dy detyrave njëherësh, por që biznesi shqiptar të jetë më i lirë ndaj çdo oponence të mundshme ekonomike apo politike”, tha Uldedaj. Në vijim ai do të mbetet pjesë e strukturave vendimmarrëse të Dhomës, si në kryesi, ashtu edhe në Asamble.

Për postin drejtues konkurruan Edmond Rusmali, Nikolin Jaka dhe Sami Çela. Me një pjesëmarrje prej 74 anëtarësh, nga 101 anëtarët e Asamblesë, votuan 65 prej tyre, ku 55 anëtarë votuan pro kandidaturës së Nikolin Jakës, 3 në favor të Rusmalit dhe 4 për Çelën.

Pas mandatimit, Jaka u shpreh para anëtarëve të Asamblesë se institucioni i Dhomës do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të biznesit shqiptar, si edhe do të vijojë lobimin për njohjen e resurseve shqiptare nëpër botë, me qëllim tërheqjen e investitorëve të huaj në vendin tonë.

Ardhja në krye të Dhomës së Tregtisë nuk është diçka e re për Nikolin Jakën, pasi tre vjet më parë ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm. Më tej është emëruar në detyrën e zv.ministrit të Punëve Publike. Pas hetimit nga prokuroria, Jaka u dënua me burg me akuzën e korrupsionit.

Biznesmeni i njohur në fushën e karburanteve dhe profesor ne Fakultetin e Bujqësisë, Gjokë Uldedaj, e ka mbajtur për tre vjet funksionin e kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Aktualisht është deputet i PD-së dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.  

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›