E Diel, 1 Nëntor 2026

Bozdo në Zvicër: Shqipëria ka potencial për investimet e huaja

Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Eno Bozdo, prezantoi pak ditë më parë përpara vendeve të Organizatës Botërore të Tregtisë raportin e posaçëm për Politikat Tregtare të Shqipërisë në dy dekadat e fundit. Paneli drejtohej nga ambasadori Aran si drejtues dhe ambasadori Major si diskutant (oponenca) i raportit. Ky raport është një dokument thelbësor i OBT dhe si i tillë është një dokument shumë i rëndësishëm për qeverinë shqiptare, sepse prezanton klimën e të bërit biznes në Shqipëri, stabilitetin makrofinanciar të vendit, liberalizimin e tregjeve të mallrave, produkteve bujqësore dhe të shërbimeve, reformat për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, shkallën e përafrimit të legjislacionit kombëtar me parimet e tregtisë së lirë të sanksionuara në marrëveshjen që themeloi OBT. Raporti konsiderohet shumë i rëndësishëm edhe nga investitorët e huaj për imazhin e Shqipërisë, sepse duke mbartur certifikimin e OBT-së, është një dokument shumë i besueshëm që ofron informacion të larmishëm, profesional dhe koherent për Shqipërinë dhe ekonominë e saj. Raporti u përgatit nga ekspertët e përbashkët të OBT-së dhe ekspertët e administratës shqiptare. Në fjalën e tij të mbrojtjes së raportit, zv.ministri Eno Bozdo theksoi reformat e mëdha strukturore ekonomike të viteve të fundit, shpjegoi performancën e lartë dhe stabilitetin e admirueshëm makroekonomik të vendit, reformat e ndërmarra në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit dhe tërheqjes së investimeve të huaja direkte, si dhe potencialin e Shqipërisë, për të tërhequr investime në sektorët e turizmit, bujqësisë, transportit etj. Në fjalën e tij të oponencës, si diskutant i raportit, ambasadori Major përgëzoi Shqipërinë për progresin e jashtëzakonshëm të arritur, si dhe theksoi rëndësinë e reformave strukturore të thella, që mundësuan përballjen me sukses të krizës ekonomike globale. Ambasadori Major gjithashtu shprehu kënaqësinë dhe përgëzimet e tij për delegacionin shqiptar për këtë dokument shumë të rëndësishëm. Më pas diskutuan 15 vende të ndryshme, ndërmjet të cilave përfaqësuesi i BE-së, i SHBA-së, i Kinës, Tajvanit, Kanadasë, Brazilit, Indisë, Pakistanit, Koresë, Kroacisë, Maqedonisë etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›