E Diel, 1 Nëntor 2026

Menaxhimi i energjisë në ndërtesat publike mbledh vendet e rajonit

Menaxhimi i energjisë në ndërtesat publike, legjislacioni dhe eksperienca e vendeve të rajonit, u diskutuan në një takim në Budva me përfaqësues të ministrive të rajonit. Zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Leonard Beqiri, mori pjesë në konferencën rajonale Menaxhimi i qëndrueshëm i energjisë në ndërtesat publike, që u zhvillua dy ditë më parë në Budva të Malit të Zi. Në këtë konferencë, e cila u organizua nga GTZ, Ministria e Ekonomisë së Malit të Zi, Komuniteti i Energjisë dhe Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të Gjermanisë, u trajtuan probleme të eficencës së energjisë në përgjithësi dhe të eficencës së ndërtesave publike në veçanti, në kuadër të nismës 20/20/20 të Bashkimit Evropian. Zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Leonard Beqiri, mbajti fjalën e tij në këtë konferencës, gjatë së cilës trajtoi situatën aktuale në Shqipëri, në lidhje me eficencën e energjisë në ndërtesat publike dhe banesat. Ai u përqendrua në kuadrin ligjor ekzistues dhe parashtroi rrugët që do të ndjekë qeveria shqiptare, për të pasur rezultate konkrete në eficencën e energjisë. Zv.ministri informoi mbi drejtimet në të cilat do të punojë Shqipëria për të realizuar objektivat, si: përmirësimi i kuadrit ligjor ekzistues në sektorin e energjisë dhe përafrimin i tij me ato të vendeve të BE-së dhe me direktivat e BE-së. Në këtë drejtim, z. Leonard Beqiri përmendi hartimin e kuadrit të ri ligjor e nënligjor Për energjitë e rinovueshme; përmirësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor Për eficencën e energjisë dhe përmirësimin e kodit energjetik të banesave. Zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës përmendi edhe të tjera drejtime, si krijimin e infrastrukturës së nevojshme për monitorimin e ndërtimit të burimeve të rinovueshme dhe përdorimin eficent të energjisë; bashkëpunimin me strukturat e tjera, të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, të cilat trajtojnë zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor për rritjen e eficencës së energjisë në ndërtesa; krijimin e klimës së sigurt për tërheqjen e investitorëve strategjikë në sektorin e energjisë; zhvillimin e fushatave sensibilizuese për rritjen e përdorimit të energjive të rinovueshme dhe kursimin e energjisë në ndërtesa.

Gjithashtu, në fjalën e tij, z. Beqiri trajtoi dhe projektet e realizuara deri tani me financim të qeverisë gjermane, sidomos nëpërmjet bankës kfW dhe GTZ-së, ku u theksua se Asistenca Teknike Gjermane për Shqipërinë ka filluar 21 vjet më parë dhe se aktivitetet e GTZ-së mbulojnë shumë fusha të zhvillimit ekonomik, si bujqësinë, turizmin, arsimin, zhvillimin e biznesit, sektorit të ujësjellësit, energjinë etj. Për sa i përket sektorit energjetik, zv.ministri Beqiri foli për mundësitë e mëdha që ka Shqipëria në shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, sidomos të energjisë së erës, ujit dhe asaj diellore. Në fund të prezantimit, zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shprehu edhe njëherë gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me qeverinë gjermane për projekte të karakterit kombëtar dhe rajonal në fushën e energjisë, sidomos për eficencën e Energjisë; energjitë e rinovueshme; bashkëpunimin e sektorit publik me atë privat; përmirësimin e kuadrit nënligjor për standardet dhe normat. Gjatë zhvillimit të konferencës, zv.ministri Leonard Beqiri zhvilloi një takim me z. Heinrich Hermann Schulte, President i firmës gjermane BOSCH. Z. Schulte u shpreh se në prezantimin e z. Beqiri konstatoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të punuar në rritjen e përdorimit të energjive të rinovueshme në Shqipëri, si dhe në përdorimin eficent të energjive në përgjithësi. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›