E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhoma e Tregtisë, mbledhje për ruajtjen e stabilitetit financiar

Për të qartësuar dhe specifikuar rolin biznes/bankë, Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë së Tiranës organizon një mbledhje jashtë radhës dhe përgatit një platformë e cila e merr nismën nga zhvillimet më të fundit financiare në vend.
 

Synimi i kësaj platforme e cila do të hartohet nga ekspertët e Dhomës së Tregtisë ka si synim ndërtimin e një marrëdhënie të drejtë kredimarrje-kredidhënie, mbi bazën e të cilës do të hartohet dhe kjo strategji.
 

Kreu i Dhomës së Tregtisë ka bërë të njohur rolin që Dhoma ka, atë të arbitrit duke kërkuar që sipërmarrjet të jenë gjakftohta në gjykim me akuzat dhe kundërakuzat mes palëve. Për këtë qëllim, për të ruajtur stabilitetin financiar të vendit, në një moment aq të brishtë dhe delikat për Shqipërinë, pritet që së së shpejti të miratohet kjo platformë që do të shkojë për diskutim në tre institucionet kryesore financiare të vendit, Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për të gjetur kësisoj një zgjidhje afatgjatë dhe larg rrezikshmërisë aktuale.
 

Një pikë tjetër e rendit të ditës së mbledhjes së kryesisë ishte dhe ajo e taksës progresive, për të cilin anëtarët e kryesisë u shprehën kundër, duke e cilësuar një taksë në kurriz të biznesit. Edhe për këtë, Dhoma e Tregtisë është shprehur se do të hartohet një draft konkret për t`ju dërguar Këshillit Konsultativ të Biznesit me argumentet e duhura pse kjo taksë nuk duhet të aplikohet në vendin tonë.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›