E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i “ri”, 16 miliardë lekë shpenzime më pak

07/06/2011  Drafti për shpenzimet nga arka e shtetit do të miratohet në qeveri

Plot 16 miliardë lekë më pak mendohet të shkurtohet arka e shtetit në investime. Kjo në krahasim me planin e hartuar në buxhetin 2011. Drafti është konkretizuar nga ekspertët e Ministrisë së Financave duke përfshirë parametrat e tij të rinj. Drafti, sipas burimeve nga ky dikaster, tashmë është dërguar në Këshillin e Ministrave dhe pritet që të marrë miratimin brenda kësaj jave.

Reduktimi i shpenzimeve

Në buxhetin që do të përmbledhë gjysmën e dytë të vitit pritet të shpenzohen në total për projekte të ndryshme nga të gjitha dikasteret rreth 16 miliardë lekë më pak. Kështu, është planifikuar ulje e të ardhurave dhe e shpenzimeve, kryesisht ato korrente që kanë dhe vlerën më të lartë të shkurtimeve. Ekspertët e Financave sqarojnë se këto shkurtime nuk kanë prekur strukturën e pagave, si dhe projektin për rritjen e pagave dhe pensioneve. Ato do të prekin kryesisht zërin e investimeve pas shqyrtimit me specialistë të ministrive për projektet e mundshme që janë planifikuar që në krye të vitit. Buxheti 2011 planifikonte një shpenzim prej rreth 409 miliardë lekë nga qeveria dhe realizim të të ardhurave në masën rreth 362 miliardë lekë. Rreth 500 milionë lekë është fondi për financimin e rrugëve gjatë gjithë vitit, ndërsa shpenzimet e buxhetit për pushtetin vendor janë parashikuar në masën 31 772 milionë lekë. Ministria e Punëve Publike ka përfituar pjesën më të madhe të fondeve të parashikuara për investime, rreth 44 miliardë lekë ose 53.8 për qind të totalit të investimeve publike.

Politikat e pensioneve

Në buxhetin 2011 synohet të bëhet me ritme të shpejta rritja sa i përket pensioneve të ulëta e minimale me synimin që pensionet minimale të plotësojnë kërkesat dhe nevojat jetike të pensionistëve, duke vazhduar që politikat e pensioneve të mbeten një faktor i rëndësishëm i reduktimit të varfërisë. “Në vitin 2011, pensionet parashikohen të rriten nga 5 deri në 10%. Gjithashtu edhe përfitimet e tjera nga programe të veçanta të qeverisë apo të statuseve do të indeksohen sipas zhvillimit të indeksit të çmimeve apo sipas masës së indeksimit të pensioneve, për ato kategori që parashikohen me ligj”, - theksohet në relacionin e buxhetit 2011. Numri i pensionistëve është 550.4 mijë për 2011-ën dhe mbi 25 000 persona do të trajtohen me përfitime suplementare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›