Hamarberg i dërgon letër kryeministrit slloven

Komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Tomas Hamarberg, i ka dërguar një letër kryeministrit slloven, Borut Pahor, me të cilën i bën thirrje që të përmirësojë kushtet për banim në lagje të caktuara të romëve në Slloveni.
Në letrën e dërguar pas vizitës së realizuar në fillim të muajit prill, komisioneri thotë se mirëpret masat pozitive që kanë për qëllim përmirësimin e të drejtave të njeriut për romët dhe qasjen e tyre në edukim dhe punësim.
Pavarësisht këtij progresi, komisioneri thekson se kanë mbetur ende probleme, ndërsa shpreh shqetësimin e tij lidhur me raportet që flasin për kushtet e banimit të disa romëve në Slloveni.
Hamarberg theksoi rëndësinë që të merren masa urgjente në nivel lokal në mënyrë që të mënjanohet mungesa e qasjes në ujë të rrjedhshëm, instalime hidrosanitare dhe energji elektrike.
Përfaqësuesi i Këshillit të Evropës përmend dhe gjendjen e rreth 25 mijë qytetarëve të ish-Jugosllavisë, të dhënat e të cilëve janë fshirë nga regjistrat permanente të rezidencës pas shpalljes së pavarësisë së shtetit slloven.